E Shtunë, 31 Tetor 2026

Themelimi i PD, Berisha: Rilindje e dytë për Shqipërinë – sfidë shembja e murit të bllokimit dhe avancimi i projektit evropian

11-12-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha ka uruar sot demokratët me rastin e 22-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike. 

Nga Facebook-u, kreu i qeverisë theksoi se themelimi i PD-së është dita e shpëtimit dhe e shpresës së madhe. “Sot kremtojmë 22 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Po bëhesha gati të shkruaja një status për këtë ngjarje dhe më erdhi në mënd ajo natë e ftohtë e 11 Dhjetorit ‘90 kur së bashku me një grup studentësh e intelektualësh, Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon etj, diskutuam dhe vendosëm themelimin e pluralizmit politik njëherazi dhe PD-në si forcë e parë opozitare të vërtetë të vendit. Themelimi i PD-së mund të quhet dita e shpëtimit dhe e shpresës së madhe, dita e rilindjes së vërtetë të dytë kombëtare sepse Partia Demokratike u themelua si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore në vendin ku ato ishin të ndaluara me Kushtetutë, e vokacionit perëndimor dhe integrimit Euro – Atlantik dhe Evropian të saj, si parti e interesit kombëtar dhe çështjes shqiptare. Asokohe ky vizion dukej thjesht një utopi, mbasi vendi kishte përjetuar izolimin më të thellë, mjerimin më të madh”- thekson Berisha.

Kreu i PD-së shpreh bindjen se së shpejti do të bëhet realitet ëndrra evropiane e të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut.

“Shqiptarët jashtë Shqipërie në Rajon përjetonin pushtimin më të egër. Por sot, pas 22 vitesh, ëndrra e tyre, e një shoqërie të lirë, e shqiptarëve të lire kudo që ata jetojnë, e anëtarësimit në NATO, është bërë e vërtetë. Kam bindjen se nuk do të vonojë së shndërruari në realitet edhe shembja e murit të bllokimit dhe avancimit të madh të integrimit evropian”, thekson Berisha. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›