Themelohet çmimi i shkencor “Pilika”, në respekt të themeluesit të shkollës shqiptare të matematikës

Në 100-vjetorin e lindjes së akademikut Petraq Pilika, themelues i shkollës shqiptare të matematikës, u themelua çmimi i veçantë shkencor “Pilika”, njoftoi Akademia e Shkencave.
Petraq Pilika është matematikan, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Lindi në Korçë në vitin 1924, ku kreu liceun kombëtar francez.
Mori pjesë aktive në lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare që në fillimet e saj dhe më pas edhe në luftën antifashiste.
Pilika u diplomua në degën e matematikës të Universitetit “Lomonosov” të Moskës (1946-1951).
Më 1951 u emërua përgjegjës i katedrës së matematikës e të fizikës në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës.
Me themelimin e UT u emërua përgjegjës i katedrës së matematikës në Fakultetin e Shkencave Natyrore, të cilën e drejtoi për 31 vjet.
Petraq Pilika kreu studime të rëndësishme në fushën e teorisë së funksioneve, botuar në revista të vendit e të huaja. Në vitet 1970 luajti rol kryesor në hartimin e strategjisë së zhvillimit në matematikë. Ishte organizator kryesor i dy konferencave kombëtare për matematikën (1984, 1989). Nxiti kërkimin e mirëfilltë shkencor dhe e orientoi drejt në hapat e parë të tij në disa fusha me perspektivë për rritjen e nivelit shkencor të mësimdhënies dhe për zbatime në fusha të tjera.
Disa nga veprat kryesore: “Funksionet kufitare e klasat Hp” (monografi); “Teoria e funksioneve të ndryshorit real”; “Teoria konstruktive e funksioneve”.
Akademik Petraq Pilika ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në disa forume shkencore ndërkombëtare dhe pjesëmarrës në kongreset botërore të matematikës.
Ai mbylli sytë në Tiranë në moshë 85 vjeçare.
/ rtsh.al /