E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thesi i të këqijave



Një politikan i kotë që vegjeton në Kryesinë e BDI-së, si asnjëherë më parë i ekzaltuar me rastin e raportit pozitiv të BE-së për Maqedoninë, do të deklarojë: “E shihni! Sa herë që BDI-ja gjendet në pushtet, Maqedonisë i ndodhin gjëra të mira”! Maqedonisë po, por shqiptarëve?!

Një numër bukur i madh i intelektualëve, analistëve e gazetarëve shqiptarë në Maqedoni tashmë kanë filluar të druajnë se po i bien paksa tepër më qafë BDI-së! Vija gjenealogjike e kësaj partie është tepër shumë e segmentuar dhe, në çdo prerje të vijës gjendet nga një pus fatal për shqiptarët e këtushëm. Komuniteti jo i vogël i shqiptarëve që po merren me analiza e me komente, kanë filluar të ngrenë një tezë shumë interesante, meqë pas çdo kritike të shëndoshë e të arsyeshme drejtuar BDI-së, kjo parti, si për inat i surprizon shqiptarët me ndonjë dështim të radhës që po rëndon mbi kurrizin e dinjitetit kombëtar. Mjaft më! - po thonë. Të përpiqemi që të gjejmë ndonjë anë pozitive të kësaj partie dhe të shkruajmë paksa më ëmbël e ta ëmbëltojmë zemrën e Ali Ahmetit, këtij të BDI-së e jo të Ali Ahmetit, aktorit që luan rolin e të hutuarit në “Kafeneja jonë”.

Do të ishte tepër e kotë përpjekja për t’u futur në thesin e të ashtuquajturës BDI e të gjejmë ndonjë vlerë të mirë. Nuk ka. Absolutisht asnjë vlerë. Në këtë thes mund të gjenden vetëm mynxyra, dështime, përkulje servile, vasalitet, shkelje të dinjitetit e deri te talljet nga më të vrazhdat me qenien kombëtare shqiptare. Çdo e arritur kombëtare do të degradohet pa dhembje, çdo sukses i subjekteve të tjera politike shqiptare do të mohohet e fshihet, çdo e arritur kombëtare e ndërkombëtare që shkon në të mirë të çështjes shqiptare, do të fragmentarizohet (rasti me Marrëveshjen e Ohrit) e do të deformohet me qëllim të arritjes së ndonjë të mire meskine partiake. Analizat reale për të kaluarën e kësaj partie janë tepër dëshpëruese dhe shumë irrituese. Le t’i bëhet shkarazi një retrospektivë vetëm këtyre muajve, përderisa vegjeton në qeverinë aktuale.

Manifestimet dhe përvjetorët nuk janë institucione nacionale

Vërtet, cila është ajo e mirë kombëtare e arritur përgjatë këtyre muajve vasaliteti të BDI-së në qeverinë aktuale të Nikolla Gruevskit, të vetmit funksionar racist në Ballkan? Nuk ka të mira. Gjendet një kaptinë historike tepër e zymtë, e errët, e trishtë, që mban firmën e BDI-së. E vetmja e mirë që shpërthen nga kjo kaptinë, është kërkesa e zëshme ndërgjegjësuese e trungut kombëtar: “Ali, dil nga kjo qeveri se na e nxive fytyrën”!

Ndërsa çdo ditë botohet nga një analizë, koment apo artikull gazetaresk që flet për politikat dështuese e dëshpëruese të Ali Ahmetit, ky lider i BDI-së gjen mundësi të japë ndonjë intervistë të shpifur e të flasë me pompozitet për “sukseset” e kësaj partie. Në të gjitha prezantimet e tij ai flet për shënimin e “100-vjetorit të Kongresit të Alfabetit Shqip”, aktivitet të cilin ai e ngre në sukses madhështor kombëtar, ndërkohë që i shkatërroi të gjitha institucionet nacionale shqiptare të themeluara në qeverisjen e PDSH-së! Flet për dispersimin e dy-tri fakulteteve të USHT-së në Shkup e Kumanovë, ndërsa hesht për veprimet raciste të Gruevskit e të njerëzve të tij që po kryhen mbi arsimin e mesëm e fillor të shqiptarëve të Maqedonisë. Ai flet për pranimin e pavarësisë së Kosovës, duke u mburrur se ky sukses është ekskluzivisht i BDI-së, ndërkohë që PDSH kthimin në Kuvend e pat kushtëzuar pikërisht me këtë pranim e që më në fund u arrit falë trysnisë njëditore e të pakompromis të amerikanëve.

Nëpërkëmbja e shqiptarëve, e drejtë ligjore e maqedonasve?!

Ali Ahmeti fle rehat në shtratin e degradimeve fatale të dinjitetit kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë. Ai i ka arritur të gjitha “sukseset” e parapara në programin e tij partiak, ndonëse aty premtohet “parajsa” për shqiptarët e këtushëm, sjellja e mbi 1 miliard dollarëve në Maqedoni, investimet kapitale nëpër vendbanimet shqiptare, punësimi i mbi 100 mijë shqiptarëve e dokrra të tjera. Rrahjet dhe vrasjet e shqiptarëve, bastisjet e tyre, burgosjet politike, përkrahja dhe stimulimi institucional i strukturave krimogjene sa për ta njollosur trungun kombëtar shqiptar, mohimi i shqiptarëve për zhvillim dhe avancim të gjithëmbarshëm, punësimi i nëpunësve shqiptarë për të ndenjur në shtëpi me qëllim të ruajtjes së higjienës së zyrave maqedonase, të gjitha këto diskriminime raciste, për Ali Ahmetin, liderin e BDI-së, na qenkan e drejtë e organizmave shtetërorë të shtetit të përbashkët për maqedonasit, shqiptarët, serbët, romët, turqit, boshnjakët, vllehët si dhe të fisit mbretëror pakistanez pasardhës të Aleksandrit të Madh! Pa dyshim, institucionet shtetërore të Maqedonisë çdo ditë të lume vënë në dijeni se Maqedonia është shtet i të gjitha këtyre komuniteteve, përveçse i shqiptarëve. Të gjitha të mirat që “i kemi”, janë arritje të vetë shqiptarëve, me mund e sakrificë, dhe jo rezultat i ndonjë brenge, përkushtimi apo zemërgjerësie e strukturave shtetërore maqedonase.

Ftesë ahmetiane për ikje nga dinjiteti

Në një intervistë televizive të këtyre ditëve të z. Ahmeti u nënvizua se e vetmja brengë momentale e tij na qenka mosrealizimi akoma i premtimit që ua paska dhënë shqiptarëve për inkuadrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike! Të gjitha kontekstet shqiptare i paska mbyllur dhe na paska ngelur vetëm edhe ky problem! Paramendoni shqiptarët e Maqedonisë të inkuadruar nesër në NATO e në BE, duke protestuar kundër politikave antishqiptare e raciste të përfshira në “Enciklopedinë maqedonase”; duke protestuar e ngritur lart zërin për gjuhën shqipe, për avancimin e kulturës shqiptare, për urbanizimin e vendbanimeve shqiptare në mes të Shkupit, për të drejtat dhe liritë njerëzore e kombëtare, për të drejtat ligjore për familjarët, jetimët dhe invalidët e luftës së kurdisur më vitin 2001; paramendoni duke u ankuar zëshëm e me protesta shqiptarët kundër ligjit diskriminues e racist që i detyron fëmijët shqiptarë që nga klasa e parë për ta mësuar maqedonishten, këtë alamet “gjuhe të hyjnishme”! Paramendoni protesta të shqiptarëve për kthimin e Institutit “Pjetër Bogdani” në konceptin e vet fillestar me të gjitha parametrat që një ditë të ngrihet në Akademi Shqiptare në Maqedoni! Po kur do të protestojnë për subvencionimin e jetës kulturore, arsimore, shëndetësore, sociale të shqiptarëve të Maqedonisë? Nuk ka, jo! Nuk ka protesta kombëtare në familjen e madhe euroatlantike! Ka heshtje, përulje dhe pranim e miratim të politikave globale që dalin të njëjta nga strukturat politiko-ushtarake për të gjithë qytetarët evropianë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›