“Gërdeci”; Shtyhet seanca, mungoi gjyqtarja Hajdari
Në Gjykatën e Tiranës është shtyrë dje seanca e radhës për 29 të pandehurit e akuzuar për tragjedinë e rëndë të Gërdecit. Shkak është mosformimi i trupit gjykues për mungesë të Fatmira Hajdarit, që është një prej anëtarëve. Hajdari kishte njoftuar se ishte për punë personale jashtë shtetit dhe seanca e radhës u caktua më 4 nëntor. Gjatë seancës së djeshme, kryesuesi i trupës gjyqësore, Ridvan Hado, theksoi se nëse gjyqtarja Hajdari nuk do të jetë e pranishme në seancën e datës 4 nëntor, atëherë ajo do të zëvendësohet nga një tjetër gjyqtar penalist, me qëllim që të evitohet zvarritja pafundësisht e këtij gjyqi. Një seancë më parë prokuroria lexoi kërkesën për gjykim, një dosje voluminoze kjo me mbi 140 faqe ndaj 29 të pandehurve që gjykohen në këtë gjykatë. Gjithashtu në seancën paraardhëse prokuroria rrëzoi Mediun, sipas të cilit, shpërthimi ishte një sabotim. Në kërkesën për gjykim shkruhej qartë se shpërthimi ishte aksidental dhe i shkaktuar si pasojë e kontaktit të shkëndijës nga saldimi i karrocës me barutin. Ndërkohë prokuroria kërkoi thirrjen në vazhdim të seancave të mbi 300 dëshmitarëve që do hedhin dritë për tragjedinë e rëndë. Trupi gjykues hodhi poshtë gjithashtu 14 kërkesa të avokatëve mbrojtës, ndër to edhe kërkesën e ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, për zhvillim të gjyqit me dyer të mbyllura. Tragjedia e rëndë e 15 marsit 2008 shkaktoi 26 viktima dhe mbi 300 të plagosur.