Tetori gjerman 2009; Politika dhe kultura, 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit
Kultura dhe politika 20 vjet pas Murit të Berlinit në fokus të kulturologëve nga Evropa mblidhen në “Tetori Gjerman 2009” në Shqipëri, e cila është jo vetëm një axhendë aktivitetesh kulturore, por dhe hapësirë diskutimesh mbi të shkuarën, aktualitetin e perspektivën. Njëri prej diskutimeve u organizua së fundi dhe në ambientet e ekspozitës "Feedback 1989". Autorë dhe organizatorë të kësaj ekspozite, krijues e kritikë arti, si dhe publicistë diskutuan mbi raportet e politikës dhe kulturës 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit. Pjesëmarrësit në diskutimin "Hartografia Evropiane, politika dhe kultura 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit" ishin në vendin e duhur. Duke e improvizuar aktivitetin e tyre në një nga ambientet e ekspozitës "Feedback 1989". Atje ku artistë nga Gjermania dhe Evropa Lindore performomin sipas mënyrës së tyre atë që kishte ndodhur para, gjatë dhe pas 9 nëntor të vitit 1989, si dhe proceset që shoqëruan këtë ngjarje historike në të gjithë ish-bllokun komunist. Edhe gjatë debatit secili nga panelistët apo pjesëmarrësit e tjerë u përpoq të shprehte perceptimin e vet për atë që ka ndodhur dhe ndodh në vendin e tij, apo në rajon e më gjerë. Publicisti nga Berlini, Albreht von Lucke, merr si shembull tematikën e ekspozitës "Feedback 1989". Sipas tij, pjesëmarrja e artistëve nga Evropa Lindore ndikon në kapërcimin e atij që quhet si statusi ekzotik i "artit të Evropës Lindore". Albreht von Lucke duke iu referuar hartës kulturore të Evropës u shpreh se ajo "tashmë është më e pasur me kolorit. Por përballë zgjerimit të kontributeve në kulturë e art nga radhët e ish-bllokut komunist nuk mungojnë dhe ankesat për fenomenin e globalizimit kulturor". Borka Pavicevic, kritike arti nga Beogradi, tha për DW se është tërësisht e bindur se kur ekziston mes njerëzve komunikimi në nivel artistik, kjo i reziston çdo influence negativiste që vjen nga institucionet e politizuara, ose të indoktrinuara.
"Aq më tepër ku ky komunikim brenda vendit, si dhe mes vendeve të ndryshme balancon dhe qëndrimet konservative, apo ato që kanë shtrat nacionalist”. Borka Pavicevic, kritike arti nga Beogradi në ish-Jugosllavi tha se, “p.sh., ka mjaft struktura nacionaliste e agresive, të cilat operojnë me maska e fasada kulturore e artistike. Një rast i dukshëm është muzika turbo-folk, e cila jo vetëm në ish-Jugosllavi, por dhe në vende të tjera të rajonit është përçuese e mesazheve nacionaliste e agresive. Dhe kur mendon se ky zhanër muzikor përpiqet të afrojë gjithnjë e më shumë fansa, kryesisht njerëz të thjeshtë”. Diskutimi mbi aktualitetin dhe perspektivën evropiane u strukturua dhe nga mjaft ide që hodhi për pjesëmarrësit në sallë moderatori Benet Koleka, gazetar i agjencisë “Reuters”. Ngacmime, që kishin të bënin me ngjarjet politike dhe rrymat që kanë influencuar në formën aktuale të Evropës, mungesa e sinkronizimit në zhvillimet politike e kulturore në kontinent në dy dekadat e fundit, arti dhe kultura për gjeneratat e reja në shoqëritë demokratike, një luks apo domosdoshmëri etj. "Hartografia evropiane, politika dhe kultura 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit" ishte pjesë e axhendës së Tetorit Gjerman 2009, që po zhvillohet në Shqipëri.