E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrja e Krasniqit Partite qendrim unik per veriun

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u ka bërë thirrje partive politike që të jenë më unike rreth çështjes së veriut. Në një prononcim të bërë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi u shpreh se partitë politike duhet të kenë qëndrime më të pjekura kur bëhet fjalë për pjesën veriore. 

“Unë kam dhënë mendimin tim që subjektet politike në përgjithësi duhet ta kenë një qëndrim më të qartë në raport me pjesën veriore të Kosovës, kurse Kuvendi si institucion legjislativ, përfaqësues dhe mbikëqyrës i institucioneve që i zgjedh, pra në Kuvend partitë politike duhet t’i sjellin qëndrimet dhe mendimet e tyre të pjekura, që pastaj Kuvendi të marr një qëndrim që është në interes të sundimit të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të vendit”, tha Krasniqi.

Kryetari i  Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri tha se partitë politike për çështje të rëndësishme kanë pasur unitet, megjithë kritikat ndaj veprimeve të ndërmarra nga Qeveria, kryesisht përsa i përket shtrirjes së rendit dhe ligjit edhe në pjesën veriore.

“Nëse  ne si parti kemi dhënë mbështetje për atë që të shtrihet sovranitetit në atë pjesë të Kosovës , kjo tregon se ne jemi për këtë lloj uniteti por kjo nuk do të thotë  që ne nuk i kemi vërejtjet dhe sugjerimet tona. Duke i pasur parasysh të gjitha, nëse kemi kritika dhe vërejtje kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë që ne nuk e përkrahim shtrirjen e sovranitetit në  të Kosovës në tërë  territorin e Kosovës”, u shpreh Beqiri.

Situata në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e tensionuar. Strukturat paralele po vazhdojnë të provokojnë banorët e paktë shqiptarë që jetojnë në veri. Të hënën ata kanë vendosur një barrikadë të re në vendin e ashtuquajtur “Tre Rrokaqiejt” në veri ku jetojnë së bashku shqiptarët, serbët dhe boshnjakët.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›