Thyen arrestin në shtëpi, dy hajdutët nga Tirana kapen në Vlorë duke vjedhur një banesë

Dy persona me precedentë të theksuar penalë për vjedhje janë arrestuar në flagrancë në Vlorë, pasi kishin thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kishin udhëtuar nga Tirana për të kryer vjedhje në banesa.
Operacioni policor i koduar “Again”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vlorë, çoi në prangosjen e shtetasve A. G., 48 vjeç dhe A. H., 46 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Sipas Policisë, të dy u kapën në momentin kur, me pajisje të posaçme për hapjen e bravave, po tentonin të hapnin derën e një banese në lagjen “Bashkimi”, me qëllim vjedhjen.
Verifikimet zbuluan se të arrestuarit ishin nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur për të njëjtën vepër penale, por e kishin shkelur atë duke u larguar nga Tirana drejt Vlorës për të vijuar aktivitetin kriminal.
Gjatë operacionit, Policia sekuestroi pajisje të posaçme për hapjen e bravave dhe kasafortave, një automjet “Mercedes-Benz” që dyshohet se përdorej nga autorët, si dhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.