E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thyhet një rreth i mbrapshtë dhune

Uk Lushi / Nju Jork

Filmi Falja e gjakut (Forgiveness of Blood) i regjisorit Joshua Marston është një dramë kinematike shumështresore e një familjeje në gjakmarrje. Është historia e një familjeje gjashtëantarëshe, e cila jeton në një fshat të varfër në Shqipërinë Veriore. Jeta nuk është e lehtë, por familja e vogël duket që e shtyn disi dhe bën një jetë të lumtur në mënyrën e vet si shumica.

Niku (Tristan Halilaj), djali i madh, është një i ri në teh të moshës madhore të cilit i interesojnë motoçikletat dhe shoqja e klasës Bardha (Zana Hasaj). Rudina (Sindi Laçej) është motra e madhe e Nikut, më e re se ai, gjimnaziste e shkëlqyer me shumë ëndrra. Bota e tyre kthehet përmbys kur babai Marku (Refet Abazi) dhe xhaxhai Zefi (Luan Jaha) vrasin fqinjin e tyre të rrëmbyeshëm Sokolin (Veton Osmani). Shteti i ka dhënë Sokolit dhe familjes së tij një copë toke, e cila i kishte takuar familjes së Nikut dhe Rudinës për gjenerata, dhe Sokoli kundërshton përdorimin e udhës që kalon nëpër ngastrën që tash është në pronësinë e tij. Vrasja nuk shihet në ekran, por konflikti paralajmërohet në një skenë paraprake të shkruar me mjeshtëri të rrallë në kafenenë e fshatit ku babai dhe xhaxhai i Nikut dhe Rudinës shkëmbejnë fjalë të rënda dhe therëse me pjesëtarët e fisit të Sokolit.

Policia arreston Zefin, por Marku arrin të ikë dhe fshihet. Ligji i maleve apo Kanuni kërkon hakmarrje për gjakun. Sipas neneve të këtyre ligjeve zakonore të gjithë meshkujt e shtëpisë së dorasëve mund të jenë cak. Niku dhe vëllai i tij i vogël nuk mund ta lëshojnë shtëpinë asnjëherë; ose, nëse shihen përjashta, ata do të qëllohen për të paguar për vdekjen e Sokolit. Edhe pse femrat e shtëpisë nuk janë në rrezik nga haku, barra e vuajtjeve bie pikërisht mbi to. Rudina dhe nëna e saj (Ilire Vinca-Çelaj) detyrohen të marrin përsipër mbijetesën dhe menaxhimin e punëve shtëpiake. Obligimi më i vështirë bie mbi shpatullat e njoma dhe të brishta të Rudinës, e cila nga zori ndërpret shkollimin dhe vazhdon biznesin e shpërndarjes së bukës që e udhëhiqte babai.

Është mu kjo fazë në kornizën e fabulës që reflekton tërë shkëlqimin e regjisorit Marston si kineast, sepse ai nuk lejon të ngatërrohen doket e vjetra me ligjet moderne, por përqendrohet në aspektet morale dhe psikologjike të personazheve kryesore.

Kuadri i dramës bëhet shtëpia e papërfunduar e familjes. Fabula natyrore vazhdon të zhvillohet, megjithëse me një ritëm shumë më të ngadaltë. Shikuesit kanë rastin të fokusohen në qëndrimin, ndjenjat dhe sjelljen e protagonistëve. Tema qendrore natyrisht mbetet gjakmarrja; mirëpo në ndërkohë nëntema të reja fillojnë të shfaqen: marrëdhënia bir-baba midis Nikut dhe Markut, i cili tinëz dhe herë pas here viziton gruan dhe fëmijët e tij; si dhe beteja mes pikëpamjeve dhe traditave arkaike të Markut dhe babait të tij (Çun Lajçi), që ata i mbrojnë, në njërën anë, dhe këndvështrimit bashkëkohor të Nikut dhe Rudinës, në anën tjetër.

Në fazën e mesme të fabulës Niku është i mbyllur brenda mureve të shtëpisë. Ai përvidhet dy herë përjashta për të takuar simpatinë e tij Bardhën, shkëmben video regjistrime me të përmes telefonave celularë dhe tenton të bëjë stërvitje në një lloj palestre të improvizuar, të cilën e ndërton në katin e dytë të shtëpisë, por Niku megjithatë është i dënuar të jetë i izoluar. Përgjatë këtij segmenti filmi shpëtohet nga personazhi i Rudinës dhe nga interpretimi brilant i aktores Sindi Laçej, e cila e merr karrocën dhe del në botën e madhe për të ushqyer familjen. Kjo pjesë e filmit përshkohet nga pamje të magjishme të bukurisë së Alpeve shqiptare dhe gjelbërimit mahnitës i Shqipërisë veriore të kapura mjeshtërisht nga Marston.

Tensioni midis adoleshentëve dhe prindërve të tyre nis të rritet ndërkaq që Niku dhe Rudina provojnë të bindin babain e tyre të dorëzohet në polici ose të gjejë një zgjidhje përmes negociatave. Botëkuptimi i vjetër dhe i ri për jetën i hidhen njëri-tjetrit në grykë. Mirëpo babai nuk jepet. Praktikisht në gjendje arresti shtëpiak, Niku gati sa nuk çmendet; dikush (sipas të gjitha gjasave nga klani i Sokolit) u djeg stallën dhe karrocën dhe Rudina shtrëngohet të shesë kalin. Skena ku ajo – ende fëmijë, ndonëse e pjekur para kohe – bën pazar me blerësin e kalit është pamëdyshje një ndër skenat më të arrira të filmit dhe të kujton një episod nga filmi i vëllezërve Coen Guximi i vërtetë (True Grit), ku Mattie Ross (Hailee Steinfield) shkon te hangari i kolonelit Stonehill (Dakim Mattheës) dhe me takt e zgjuarsi i shet mirë kuajt.

Lufta e ngadaltë dhe e padeklaruar midis fëmijëve dhe babait duhet të përfundojë dikund. Regjisori Marston nuk përdor një zgjidhje deus ex machina. Heronjtë nuk shpëtohen nga një palë e fuqishme e jashtme siç janë policia apo shteti. Përkundrazi, Niku vendosë të shkojë te kulla e fisit të viktimës dhe ta lë në dorën e tyre nëse do të donin ta vrisnin apo ta falnin. Pa asnjë dyshim, një akt trimërie dhe i rrezikshëm. Por patriarku i klanit të Sokolit tregon urtësi dhe humanizëm dhe e lejon Nikun të largohet, me kusht që ai të lëshojë fshatin e lindjes përgjithmonë. Rrethi i mbrapshtë i dhunës duhet të thyhet së paku për gjeneratën e re. Ky kompromis dhe skena ku Niku ikën nga fshati dhe personi i fundit që i jep lamtumirën është Rudina, janë aq të bukura si gjetje kinematografike sa janë edhe të drejta dhe me vend.

“Falja e gjakut” është triumf për artin e kinemasë. Bashkëprodhim i SHBA-së, Shqipërisë, Danimarkës dhe Italisë filmi është në gjuhën shqipe, megjithatë ai është një film universal me mesazh të përbotshëm. Aty-këtu disa nga personazhet minore bëjnë ndonjë lëshim në aktrim, porse aktorët kryesorë, shumica joprofesionistë, gati pa përjashtim, dhurojnë një performancë fantastike. Filmi është i xhiruar në 16 mm; e  panevojshme të thuhet, do të kishte qenë më mirë të ishte xhiruar në 35 mm, por sikur edhe me filmin e tij të parë Maria plot hir (Maria Full of Grace), Joshua Marston ja ka dalë mbanë edhe një herë. Filmi Falja e gjakut – deri më tani – ka fituar Ariun e Argjendtë për Skenarin në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin 2011, si dhe Hugon e Argjendtë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Çikago. Sidoqoftë, çmimi më i mirë që admiruesit e kinemasë mund ti japin këtij filmi është të shkojnë dhe ta shohin. Dhe pasi ta kenë parë atë, Falja e gjakut do tu mbetet në kujtesë si film i paharrueshëm.

Përktheu nga anglishtja në shqip Memo Hajdin

Falja e gjakut (The Forgiveness of Blood) nisi javën ne kaluar të shfaqet në Nju Jork e Los Anxheles

Regjia: Joshua Marston; skenari: J.Marston dhe Andamion Murataj; drejtor fotografie: Rob Hardy; montazhi: Malcolm Jamieson; muzika: Jacobo Lieberman dhe Leonardo Heiblum; kostumet: Emir Turkeshi; producent: Paul Mezey; aktorë: Tristan Halilaj (Nik), Sindi Laçej (Rudina), Refet Abazi (Mark), Ilire Vinca-Çelaj (Drita) dhe Çun Lajci (Ded).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›