E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më shumë taksa, më pak të ardhura në buxhet

Emirjon Senja

Ndryshimet e ndërmarra nga qeveria në sistemin fiskal gjatë vitit të shkuar me tendencë rritje, nuk dhanë rezultatet e pritshme. Rasti konkret janë të ardhurat nga akcizat. Këto të ardhura vilen kryesisht nga mallra si karburantet, pijet alkoolike, kafeja dhe cigaret. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ndërkohë, deklaron se ka realizuar planin me 102 për qind në totalin e të ardhurave doganore duke mbledhur 128.4 miliardë lekë nga 126.5 miliardë lekë të parashikuara. Megjithatë, të ardhurat nuk janë rritur pikërisht tek akcizat, niveli i të cilës pati rritje edhe gjatë vitit të shkuar tek cigaret. Nga raporti i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për vitin e shkuar del që të ardhurat nga akcizat në dogana u ulën me 244 milionë lekë gjatë vitit 2011 krahasuar me një vit më parë.

Nga janari i vitit 2011, për çdo paketë cigare u fut në Shqipëri me 20 lekë më shumë akcizë. Në parim, një rritje e tillë e akcizës për cigaren, me rreth 40 për qind (ishte 50 lekë për paketë u bë 70 lekë) pritej të rriste edhe të ardhurat në buxhet, gjë e cila nuk ndodhi, përkundrazi ato u ulën.

Përgjatë vitit të shkuar, doganat raportohet të kenë mbledhur në total 24.7 miliardë lekë nga akcizat. Taksat u rritën, qytetarët paguan më shumë për çdo paketë cigare apo ambalazh (plastik, qelq) të blerë, por të ardhurat në buxhet, të cilat më pas do tu ktheheshin atyre në formën e investimeve vijuan në të njëjtat nivele.

Konsumatorët u përballen me një rritje të re taksash gjatë verës së vitit të shkuar. Ndryshimet ne sistemin e taksave për makinat parashikonte vendosjen e një takse të posaçme për naftën dhe benzinën. Taksa e re, e emërtuar si taksë qarkullimi për karburantet, ishte 5 lekë për litër si për naftën ashtu edhe për benzinën (6 lekë me TVSH). Ky nivel u aplikua vetëm përgjatë periudhës shtator-dhjetor 2011, pasi ajo u rrit edhe me dy lekë të tjera nga janari 2012 duke shkuar në total në 7 lekë për litër (8.4 lekë me TVSH). Kjo gjë bëri që karburantet të shtrenjtoheshin edhe me 6 lekë për litër në shtator 2011 si edhe 3 lekë për litër në janar 2012. Nga këto lëvizje, buxheti i shtetit parashikohej të përfitonte 1.2 miliardë lekë nga shtatori deri në dhjetor dhe rreth 4.9 miliardë lekë përgjatë këtij viti.

Karburantet përbëjnë pjesën më të madhe të të ardhurave nga akciza për doganat shqiptare. Vlen për tu theksuar se doganat vjelin vetëm akcizën që mallrave të listës që importohen, kurse tatimet akcizën e mallrave të listës që prodhohen në vend. Referuar deklarimeve të doganave, mësohet se gjatë vitit të shkuar janë importuar rreth 457 mijë ton karburante kundrejt 484 mijë tonëve në vitin 2010. Ulja e sasisë së importit është kompensuar disi me rritjen e prodhimit vendas.

Zhdoganimi i birrës gjithashtu ka pësuar ulje gjatë vitit të shkuar krahasuar me atë 2010. Mësohet se në 2011 janë zhdoganuar rreth 31.4 milionë litra birrë kundrejt 34 milionëve të zhdoganuara në vitin 2010. Edhe kjo ulje shpjegohet nga ekspertët me rritjen e prodhimit vendas të birrës. Megjithatë, rritja e prodhimit vendas të birrës dhe karburanteve do të duhej të pasqyrohej me rritje të të ardhurave nga tatimet, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Kafeja është i vetmi produkt, importi të cilës ka pësuar rritje gjatë vitit 2011. Përgjatë 12 muajve të shkuar u importuan rreth 6 500 tona kafe, kundrejt 6 330 tonëve të importuara në vitin 2010.

Qeveria kishte parashikuar të mblidhte rreth 115.6 miliardë lekë të ardhura nga tatimet gjatë vitit të shkuar, nga të cilat janë realizuar 107.1 miliardë, lekë me një diferencë minus 8.5 miliardë lekë në arkë. Treguesit më problematik në realizimin e të ardhurave nga tatimet janë mbledhja e Tatimit mbi Fitimin dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale, të cilat gjatë vitit të shkuar u paraqiten me një ecuri ndryshe krahasuar me vitin 2010.

Bie importi i cigareve, doganat mbledhin më pak para

Doganat shqiptare kanë zhdoganuar sasinë më të vogël të cigareve të shënuar që prej vitit 2008 gjatë 2011-s. Doganat deklarojnë se gjatë vitit të shkuar u zhdoganuan rreth 3 250 ton cigare, kundrejt 4 500 tonëve të zhdoganuara në vitin 2010. Kjo është një diferencë tepër e madhe për tia veshur uljen e zhdoganimeve vetëm uljes së numrit të duhanpirësve në vend. Përveç rritjes së kontrabandës ka edhe një shpjegim tjetër për këtë fenomen, është rritja e paralajmëruar e akcizës për të me 20 lekë për paketë duke filluar nga 1 janari 2011.

Historia fillon në vjeshtë të vitit 2010, kur u miratuan edhe ndryshimet ligjore për rritjen e akcizës së cigareve. Çdo paketë cigare që do të hynte nga data 1 janar 2011 në territorin e Republikës së Shqipërisë, do të taksohej edhe 20 lekë më shumë. Normalisht, një gjë e tillë pritej të pasqyrohej menjëherë në rritjen e çmimit të cigareve, e cila ndodhi. Çmimet e paketave u rriten që prej janarit 2011.

Duke ditur se nga janari do të rritej akciza, kompanitë e cigareve futën sasi të mëdha malli në Shqipëri përgjatë ditëve të fundit të vitit 2010 me qëllim që ti shmangeshin 20 lekëshit shtesë. Sasia e cigareve të futura vetëm përgjatë dhjetorit 2010 ishte tepër e madhe krahasuar me periudhat e tjera. Në publikimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave raportohet se gjatë dhjetorit 2010, u importuan jo pak, por 513 ton cigare. Kjo sasi është dy herë e gjysmë më e madhe se sa importi i janarit të të njëjtit vit. Madje, rritja e importeve ka filluar që në muajin nëntor, ku mësohet se janë futur 488 ton. Pasi importuan shume cigare gjatë dy muajve të fundit të vitit 2010, kompanitë ulen në maksimum importin gjatë vitit 2011 duke shfrytëzuar sasinë e blerë më parë, e cila t ishte futur me nivel taksash më të ulëta. E gjithë kjo shpjegon edhe uljen e importit si edhe të të ardhurave nga cigaret në arkën e shtetit përgjatë vitit të shkuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›