E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ti japim mësim të mirë presidentit

Deputeti i Shkodrës thotë se rrëzimi i dekreteve të presidentit Bamir Topi ishte një degjenerim moral dhe politik i mazhorancës, e cila e sheh atë akoma si nënkryetar të saj. Sipas tij, deputetët kanë votuar pa u dhënë asnjë sqarim në lidhje me përshtatshmërinë e kandidaturave.

Deputeti shkodran, Gilman Bakalli, e cilëson rrëzimin e dekreteve të presidentit Bamir Topi për Gjykatën e Lartë, si një degjenerim moral dhe politik të mazhorancës. Sipas Bakallit, deputetëve nuk u është dhënë asnjë sqarim në lidhje me përshtatshmërinë e kandidaturave të propozuara nga presidenti. “Thjesht Berisha dhe Topalli na thanë se, meqë presidenti nuk na pyeti, duhet t’i japim një mësim të mirë, që të mos harrojë më, se për shumicën në pushtet, Bamir Topi mbetet një nënkryetar i Partisë Demokratike. Kulmi i degjenerimit dhe abuzimit moral ishte argumentimi, se kandidaturat duheshin hedhur poshtë, sepse ato paskan qenë shërbëtorë të komunizmit!!!” - deklaron deputeti i pavarur, Gilman Bakalli, për “Korrierin”. Duke kundërshtuar mënyrën sesi u rrëzuan dekretet e presidentit, Bakalli thotë se argumentimi i mazhorancës se kandidaturat kishin një të kaluar të errët në komunizëm, mund të pranohet vetëm në rast se ai do të zbatohej me konsekuencë edhe për qeverinë  e kryeministrit Sali Berisha. “Do ta pranoja një argument të tillë, nëse ai do të zbatohej me konsekuencë në votimin e kryeministrit tonë ish-komunist dhe të disa ministrave të tij ish-komunistë, të cilët kanë qenë jo thjesht shërbëtorë të komunizmit, por propagandues të flaktë të tij. Meqë shumica dashka me kaq zell ta ruajë drejtësinë nga uzurpimi komunist, le ta filloje nga vetja...”, thotë Bakalli. Para se të votoheshin dekretet, kryeparlamentarja Jozefina Topalli kishte kërkuar edhe shqyrtimin e kandidaturave nga ana e presidentit, duke sjellë kështu edhe një vonesë në dhënien e pëlqimit nga ana e Kuvendit. Për këtë çështje, deputeti Bakalli thotë se, “pasi mazhoranca e zvarriti për disa javë shqyrtimin e kandidaturave, arriti në përfundimin se presidenti kishte shkelur Kushtetutën, megjithatë (edhe pse kishte konstatuar shkelje të Kushtetutës), i rrëzoi ato në Kuvend dhe i refuzoi në unison”. Tashmë, çështja e dekreteve mund të marrë zgjidhje vetëm nëse presidenti Bamir Topi propozon kandidatura që kanë “bekimin” e mazhorancës, ndërsa situata e Gjykatës së Lartë mbetet e bllokuar nga mungesa e anëtarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›