E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrat bëhen zap

Barazia gjinore në shoqëri do të përcaktohet tashmë nga një ligj i ri, i cili parashikon detyrime të reja si për raportet në shifra mes grave dhe burrave, ashtu edhe për trajtimin e barabartë të tyre.

Barazia gjinore në shoqëri do të përcaktohet tashmë nga një ligj i ri, i cili parashikon detyrime të reja si për raportet në shifra mes grave dhe burrave, ashtu edhe për trajtimin e barabartë të tyre. Diskutimi tashmë ka filluar dhe një pjesë e debatit që do të vazhdojë sërish, u krye dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Nëse femrat shkojnë drejt barazisë së plotë gjinore dhe për trajtim të barabartë, për disa nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve duhet të parashikohen masa për të mos i ndryshuar gjërat në të kundërt, që për shkak të këtyre masave, të jenë burrat ata që të “kërcënohen” si të diskriminuar.

Projektligji

Propozimi i këtij projektligji vjen nga Këshilli i Ministrave, konkretisht nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Ndalohet diskriminimi për shkak të gjinisë, pra nuk mund të ketë më përjashtim ose kufizim mbi baza gjinore, që synojnë dëmtimin ose mosnjohjen në mënyrë të barabartë nga secila gjini, të të drejtave të njeriut. Përfaqësimi i barabartë gjinor është një tjetër prioritet që synon të vendosë projektligji. Secila nga gjinitë duhet të përfaqësohet me jo më pak se 30 për qind në një institucion, në nivel drejtues, organ të emëruar apo edhe parti politike. E njëjta punë do të ketë vlerë të barabartë pagese për të dyja gjinitë. I jepet fund ngacmimit për shkak të përkatësisë gjinore. Projektligji ndalon edhe ngacmimin seksual, në çfarëdolloj forme, me fjalë ose veprime fizike apo simbolike.

Kundërshtitë

Ndaj projektligjit, veç vlerësimeve pozitive, pati edhe kundërshti nga ana e anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, që shqyrtuan dje një pjesë të neneve, ndërsa të hënën u la të vazhdonin diskutimet për pjesën tjetër. Fatos Beja kërkoi të merren masa për frenimin pozitiv, që do të thotë shmangien e favorizimit të gjinisë femërore. E menjëhershme ishte përgjigjja e përfaqësueses së PNUD-it, që sqaroi se ligji mbron nga diskriminimi të dyja gjinitë. Në fakt, neni 27 i projektligjit përcakton marrjen e masave të veçanta të përkohshme në fushën e marrëdhënieve të punës. Arian Madhi ishte kundër heqjes nga puna të meshkujve pa asnjë arsye, përjashto faktin që duhej krijuar raporti ligjor. Por përfaqësuesja e PNUD-it sqaroi se nuk është kjo që do të ndodhë. Projektligji thotë se, për të siguruar përfaqësim të barabartë në fushën e marrëdhënieve të punës, në procesin e përzgjedhjes për marrjen në punë, ngritjen në detyrë, kur kandidatët kanë rezultate ose nivele të barabarta, punëmarrësi duhet t’i japë përparësi kandidatit të gjinisë më pak të përfaqësuar. Me hyrjen në fuqi të ligjit, do të ishte mirë që, përpara se çdokush të shikonte për një vend pune, të interesohej më parë për raportet mashkull-femër në këtë institucion, shtetëror apo privat. Falë projektligjit të ri, jo vetëm administrata shtetërore, por edhe kompanitë private janë të detyruara të zbatojnë raportet, në të kundër ka gjoba. Tema më e debatueshme ishte ajo e raportit të përfaqësimit. Për një pjesë të deputetëve, përcaktimi i raporteve në parti është jonormal, pasi çdo subjekt politik ka statutin e tij. 

Seriozitet

Për ecurinë dhe zbatimin e ligjit do të ketë edhe organe përgjegjëse që do të bëjnë verifikimet. Së pari, Këshilli i Ministrave çdo tre vjet është i detyruar të miratojë strategjinë kombëtare dhe planin e veprimit për arritjen e barazisë gjinore. Ekzekutivi do të raportojë çdo tre vjet në Kuvend për ecurinë e barazisë gjinore në vend. Do të krijohet po ashtu një Këshill Kombëtar i Barazisë Gjinore, që kryesohet nga ministri i Shanseve të Barabarta. Çdo ministër gjatë hartimit të projektligjeve, akteve nënligjore etj., do të duhet të respektojë dispozitat e këtij ligji, madje edhe gjatë ngritjes së grupeve të punës e përbërjes së delegacioneve. Organet e qeverisjes vendore po ashtu, duhet të garantojnë funksionimin e ligjit dhe të raportojë për këtë. Pra, janë një sërë organizmash, të cilët do të duhet të angazhohen sipas ligjit, vetëm për një qëllim: barazinë gjinore, të papranueshme për “kapedanin”. saqellari@korrieri.com

Gjobat

Çdo person që shkel dispozitat e këtij ligji dënohet me gjobë:

Personi fizik, nga 30.000 deri në 60.000 lekë.

Personi juridik, nga 60.000 deri në 100.000 lekë.

Personi fizik brenda personit juridik, i cili është përgjegjës për shkeljen, nga 30.000 deri në 80.000 lekë.

Personi i cili ushtron funksionin publik dhe është përgjegjës për shkeljen. nga 30.000 deri 80.000 lekë.

Debatet

Arian Madhi, deputeti i PR-së, e cilësoi si jonormale këtë përcaktimin ligjor, sipas të cilit, raporti duhet të jetë jo më pak se 30 për qind për secilën gjini. “Çdo subjekt politik ka statutin e vetë për mënyrën sesi duhet të funksionojë”, - deklaroi ai, duke e cilësuar si shkelje ligjore detyrimin e përfaqësimit të gjinive në këto raporte. Në të kundërt me të ishte socialisti Bashkim Fino. “Unë për vete jam dakord për përcaktimin, por dua që shifra të rritet në masën 50 për qind. Partia jonë e ka 50 për qind, kështu që nuk kemi si t’ia bëjmë”, - tha ish-kryeministri, lidhur me atë çka socialistët kanë vendosur në statutin e tyre. Pikërisht në këtë moment ndërhyn Pal Dajçi, që ironizon: “Merrni gratë e PR-së”, ndërsa Fino përgjigjet: “Ku kanë këta, nuk e shikon ti”. Në bisedë hyn edhe deputeti i PD-së, Eris Hoxha, që thotë: “Po nëse bëhet një parti “Lëvizja e grave”, do të përfaqësohet nga burrat në masën 30 për qind?!”. Në bisedë e sipër, Bashkim Fino thotë: “Mesa shoh, ky projektligj s’ka për të kaluar tani që janë këta në pushtet. Do të kalojë kur të vijmë ne në pushtet”.

Listat e kandidatëve 50 për qind burra, 50 për qind gra

Shkelja e ligjit ndërpret fondet shtetërore

“Partitë politike që nuk u binden shifrave të përfaqësimit gjinor, nuk do të përfitojnë fonde shtetërore për ushtrimin e veprimtarisë së tyre, deri në ndreqjen e shkeljes”, - kështu thotë projektligji i ri i barazisë gjinore. Për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës e në vazhdim, sipas projektligjit, kandidatët femra dhe meshkuj do të jenë të barabartë. Është e detyrueshme përfshirja në masën 50 për qind për secilën gjini, në listët e kandidatëve të paraqitur nga partitë politike për sistemin proporcional, për zgjedhjet e përgjithshme që përcaktojnë përfaqësimin në Kuvend. Ndërkaq, raport tjetër kanë listat për zgjedhjet vendore. Lista e kandidatëve për zgjedhjet në organet përfaqësuese vendore duhet të jetë mbi 30 për qind për secilën gjini. Lista emërore rendit kandidatët femra dhe meshkuj në mënyrë të alternuar. Akoma më tej, femrat do të kenë përfaqësueset e tyre në organet administruese të procesit të zgjedhjeve, në masën 30 për qind.

Fund diskriminimit gjinor dhe ngacmimit seksual

Ndalohet diskriminimi gjinor dhe ngacmimi seksual si nga ana e punëdhënësit, ashtu edhe nga punëmarrësi. Për këtë arsye, punëdhënësi për të mbrojtur punëmarrësit është i detyruar të marrë masa parandaluese e të përcaktojë masa disiplinore në rregulloren e brendshme, për ndalimin e ngacmimeve seksuale ndaj punëmarrësit. Nëse merr dijeni, në mënyrë të tërthortë apo me ankesë nga një punëmarrës, duhet të ndalojë diskriminimin apo edhe ngacmimin seksual. Pas kësaj dhe ndërmarrjes së sanksioneve, punëdhënësi duhet të informojë të gjithë punëmarrësit për këtë fakt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›