E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ti kërkosh ndihmë kalamajve!

Është pa dyshim një risi në politikë vizita e kryeministrit të një vendi në kopshte dhe shkolla fillore, me thirrje drejtuar kalamajve që prindërit të votojnë kundra opozitës. Në vendet normale, do ishte objekt barcaletash. Në vendet diktatoriale apo autoritare, nuk do ndodhte, pasi një sistem qeverisës, sado farsë që të jetë, protagonisti nuk do ta lejonte veten të rrezikonte seriozitetin. Por shfaqja që përjetuam, është shprehje e groteskut ku ndodhemi. Ashtu siç është shenjë paniku e kryeministrit për një rezultat zgjedhor në disfavor në zgjedhjet që vijnë. Dhe treguesit që nuk parashikojnë mot me diell për Sali Berishën, janë disa. Fillon nga ekonomia. Pavarësisht optimizmit për oksigjenin që mund t’i japin ekonomisë së asfiksuar, paratë që vijnë nga privatizimi i “Albpetrolit”, mbetet për tu parë sa nga ato do jenë të thata, si dhe ritmika e likuidimit. Pasi në gjendjen aktuale, çfarë ka më shumë nevojë arka e shtetit janë likuiditetet. Që vendi është në krizë, vështirë të konstatohet nga të dhënat statistikore, pasi institucioni është nën kontrollin e hekurt të kryetarit të qeverisë, por operimi me klering i biznesit, dhe ulja e shpejtësisë së qarkullimit të parasë, janë shenjë e temperaturës së keqe. Klimën e tensionuar sociale, nuk ka nevojë të tregohet me demonstrata antiqeveritare. Tashmë ky nerv i shoqërisë shqiptare u vra bashkë me katër demonstrues në 21 janar të 2011-ës. Por vrasjet për motive të dobëta në familje, midis komshinjve, apo të rastit, janë shenjë e tensionit social. Fakti që krimet kanë si autorë kryesisht persona pa precedentë kriminalë, janë simptomë e stresit shoqëror. Transporti i lëndëve narkotike në përmasa kolumbiane, si dhe aksidentet rrugore me shifra që konkurrojnë luftën civile, evidentojnë shkrehjen e strukturave të shtetit. Që të gjitha janë tregues të krizës ekonomike dhe morale që ka përfshirë vendin. Deklaratat për hyrjen e vendit në fashën e atyre të zhvilluara, bëjnë për të qeshur edhe autorin e tyre. Kështjella buzë Adriatikut vazhdon të mbajë me stoicizëm vendin e parafundit të klasifikimit europian, ku janë futur nën pozicionin tonë dhe jo se i kemi tejkaluar me meritë, Kosova, dhe një republikë vinikulture ish-sovjetike si ajo e Moldavisë. Në këto rrethana, sado besim që të ketë tek ylli i tij, që do të fitojë, Berishës do t’i duhet më shumë se një mrekulli që të marrë mandatin e tretë. Ndaj nuk lë asnjë faktor ndihmës, sado i vogël që të jetë, për të mbushur gotën nga e cila do mund të derdhet fitorja. Pak manipulime në lista; pak zhvendosje votuesish; fushatë shtypëse; përdorim i klentelizmit, krahinarizmit, punësimit, korruptimit si armë kërcënimi dhe joshjeje; aleancat e principta dhe jo; shfrytëzimi i paqëndrueshmërisë së partive satelitare të kampit kundërshtar; janë të gjitha mjete që do përdoren nga veterani i politikës shqiptare. Afrimi me BE-në dhe dhënia e statusit të kushtëzuar, nuk do jenë tabu për kryeministrin, që mos bëjë të pamundurën me hir e pak me pahir të fitojë. Ai e di mirë që do mjaftojnë një palë zgjedhje të pranueshme, ku mos vidhet në mënyrë industriale vota, që statusi i vendit kandidat mos hiqet në mënyrë spektakolare. Pasi në të vërtetë BE-ja është makinë që nuk ka marsh indietro. Politika e kësaj organizate ka si bosht të saj edukimin nëpërmjet shoqërimin dhe jo metodat e kulaçit dhe kërbaçit. Ndaj dhe vendin tonë nuk ka për ta përjashtuar. E shumta do ta fusin në frigorifer, për ta shkrirë andej nga 2030-ta. Sa i takon pushtetit, ky afat kohor, është një çmim i pranueshëm. Indiferenca proverbiale e shqiptarëve ndaj luhatjeve të mirëqenies ekonomike, edhe kur statistikisht kjo kap nivele dy shifrore, është ndihmesë tjetër për banorin e Bulevardit të Tiranës. Mjafton të kujtosh se ka shtatë vjet që qeveria nuk bën indeksimin e inflacionit në rrogat e buxhetorëve dhe pensionet e të moshuarve, për ta kuptuar që pak propagandë, pak manipulim, pak vjedhje, pak indiferencë europiane, mund të bëjnë që të marrë një mandat të tretë. Duke sfiduar në vite qeverisjeje Shroeder, Sarkozy, Zapatero e shumë homologë protokollarë të veteranit Berisha. Po ku statistika, në këtë rast futet tek ato të trishtuarat për standardet e demokracisë së një vendi. Pasi sado dashamirëse të jenë standardet e demokracisë ndaj një individi, jetëgjatësia e tij në pushtet, nuk vjen për shkak të arritjeve, pasi kjo është jo shkencore, por për arsye të apatisë së një populli, dhe pangopësisë së personazhit kryesor të teatrit tashmë të mërzitshëm shqiptar. Ku secili ka fajin e vet të barabartë. Megjithatë, duket se matësit e Berishës thonë që kandilit të tij po i mbaron vaji. Ndaj po kërkon dhe lyp gjithçka. Ngado që kjo ndihmë të vijë. Qofshin këta edhe kalamaj. Megjithëse në moshën e tij, kalamajve ju kërkohet ndihmë për të kapërcyer rrugën dhe jo që t’i thonë prindërve ta votojnë.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›