Një pësim për formulën e koalicionit
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për tragjedinë e ndodhur në Gërdec, duke e kufizuar gjestin e dorëheqjes te përgjegjësia e tij morale dhe politike. Me një mitomani që prek rëndom politikanët axhaminj që merren me ushtrinë te ne, ai po largohej dje me idenë se Shqipëria ka humbur një interlokutor të saj të madh për të marrë ftesën për në NATO dhe thuajse ishte gati të na detyronte të gjithëve t’ia dinim për nder për gjestin që po bënte. Ky delir në fakt ka shpjegimet e veta. Shpjegimi kryesor qëndron te fakti se aleatët formalë të PD kanë marrë peshën kryesore në qeveri dhe kanë keqidentifikuar pushtetin që kanë marrë me përgjegjësinë publike të kësaj shumice. Katastrofa që ndodhi, natyrisht është një taksë e rëndë për shumicën në pushtet dhe Sali Berishën. Atij i faturohet tragjedia, atij i faturohet impakti i keq publik i ngjarjes dhe gjithë pasojat negative. Nuk besoj se, pas kësaj që ndodhi, ndonjë qytetar i Shqipërisë mund të thotë i zhgënjyer se “tani e tutje nuk votoj më për Partinë Republikane”. Të zhgënjyerit e kanë problemin me Sali Berishën.
Duke qenë tërësisht përgjegjës dhe nga ana ligjore dhe më tej akoma, duke qenë lobues personal i kompanisë që na shkaktoi gjëmën, Fatmir Mediu është sot një politikan që duhet të trokasë në zyrën e Ina Ramës për të dorëzuar imunitetin për t’iu nënshtruar hetimit. Faktet e para që ai shqiptoi dhe faktet reale që ekzistojnë për këtë histori, dëshmojnë se Fatmir Mediu fsheh të vërteta të hidhura, që fatkeqësisht do t’i vuajë shumica në pushtet. Ai nuk ka çfarë të dëmtojë si politikan. Partia Republikane, e cila sillet rrotull në politikën shqiptare me një legjendë të ngritur si mbrojtëse e pronarëve, e pa me sytë e saj ç’mund t’iu bëjë pronarëve një kryetar si Fatmir Mediu. Megjithëse iku pas një lemerie si ajo e Gërdecit, ai nuk ka kë të dëmtojë nga elektorati i vet, se ai nuk ekziston. E vetmja gjë që ekziston, janë disa republikanë të punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilët në përpjekje për të bërë shpejt e shpejt ndonjë lek, desh na groposën të gjithëve të gjallë. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për një katastrofë të mundshme në Shëndetësi apo Arsim. Ku ka shqiptar të drejtojë sytë nga Nard Ndoka, nëse konstaton, siç po konstaton, se mjekësia shqiptare po bën poshtë e më poshtë? Ku ka shqiptar të drejtojë sytë nga Genc Pollo, kur konstaton se arsimi po degradon dhe diplomat e universiteteve private mund të blihen nga çdo njeri i rëndomtë me tetëvjeçare në Shqipëri? Kolapsi i tyre i mundshëm do të jetë kosto për historinë politike të Sali Berishës. Ikja e Fatmir Mediut me një kosto të tmerrshme nga kjo qeveri duhet të jetë një rast i mirë për të reflektuar ndaj riformatimit të qeverisë. Aleatët formalë të PD, nëse duhet të përfshihen në qeveri, duhet të përfshihen në ministri, të cilat nuk janë prioritete kombëtare të shumicës në pushtet. Arsimi, shëndetësia, mbrojtja dhe përkrahja sociale janë sot bomba të paplasura për të ardhmen e kabinetit ‘Berisha’. Kërcënimet e tyre se, nëse nuk marrin ministritë që duan, rrënojnë këtë shumicë, përveçse janë false, dëshmojnë dhe mungesën e parimeve që ata kanë në politikë. Nëse PD dhe Berisha duhet të bëhen promotorë të një mandati të dytë në Shqipëri në këtë vit të fundit, nuk kanë pse e shtyjnë me makthin e skandaleve të mundshme nga ministra delirantë.
Nga ana tjetër, politika e re e Edi Ramës është para një prove konkrete për të qenë në anën e progresit. Është normale që në vitin e fundit atij i duhet të punojë me qeverinë për disa reforma thelbësore siç është ajo elektorale dhe kushtetuese dhe në këtë prizëm zgjedhjet e parakohshme që mund të vijnë nga presioni i batakçinjve në qeveri duhet të jenë ëndërr e largët. Ai duhet të japë sinjale të qarta, se nuk do të përdorë energjitë negative brenda shumicës si një rast për të shkaktuar krizë në vend dhe t’i japë qeverisë shansin për reforma të thella cilësore në qeveri dhe një formatim të saj cilësor. Ndryshe, lotët e derdhur për banorët e Gërdecit janë falsë dhe ne do të vazhdojmë të vuajmë nga delire politikanësh, të cilët, kur nuk janë ministra, janë thjesht miq njerëzish të rëndomtë për të mos thënë më keq.