E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozat Kuq e Zi: Kuzhe duhet të qëndrojë me ne

TIRANE- Grupimi mbarëshqiptar Tifozat Kuq e Zi kërkojnë qëndrimin e trajnerit Josip Kuzhe në krye të ekipit kombëtar. Nëpërmjet një deklarate të shpërndarë sot për mediat, ata i kanë bërë thirrje Federatës që të mbajë teknikun kroat, i cili duket shumë pranë largimit pas dështimit në arritjen e vendit të katërt.

Filmi qesharak i largimit të trajnerëve përsëritet gjatë të paktën 3 kualifikimeve të fundit, - shkruan grupimi Tifozat Kuq e Zi. - Ju kujtohet Bariç, Brigel, Han etj? Ne mbështesim Kuzhen të vazhdojë punën si trajner. Publikisht këtë e kanë kërkuar dhe shumica e lojtarëve”, thuhet më tej në komunikatë. Por, ata kanë zbuluar edhe disa fakte tronditëse që lidhen me ndeshjen e fundit, atë me Rumaninë (1-1). Në minutën e 80-të, takimi u ndërpre për dy minuta për shkak të hedhjes së tymueseve dhe flakadanëve në fushën e lojës.

“Flakadanët dhe tymueset hidhen në fushë për të ndërprerë ndeshjen, - sqarojnë ata në komunikatën për mediat. - Tifozat e ndërpresin ndeshjen në formë proteste. Protestuam për rezultatet skandaloze prej të paktën 3 eliminatoresh, për trajtimin armiqësor prej disa ndeshjesh nga policia dhe më e rëndësishmja, kundër përdhosjes që u bëhet simboleve të shenjta kombëtare! Prej dhjetëra vitesh, vazhdojmë të qëndrojmë në vend të fundit ose të parafundit në grup”.

Një tjetër temë e prekur prej këtij grupimi është këndimi i himnnit kombëtar nga ana e lojtarëve: “Kemi kërkuar që ata ta këndojnë himnin me dorë në zemër, por ka pak përmirësim. Kemi kërkuar që të përshëndesin tifozët në fund dhe të luajnë gjithnjë me zemër. Tani nuk tolerojmë më”.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›