E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet vendimin për SHQUP-in, PD merr edhe Shtëpinë e Ushtarakëve në Fier

shqupQeveria ka bërë publik dje në faqen e saj zyrtare në internet, vendimin e plotë për kalimin e SHQUP-it në pronësi të Partisë Demokratike. Por përveç vendimit për SHQUP-in, qeveria ka marrë të njëjtin vendim edhe për Shtëpinë e Ushtarakëve në Fier, e cila do ti kalojë në pronësi degës së PD-së në Fier. Publikimi i vendimeve u bë një javë me vonesë, pasi vendimi për kalimin e SHQUP-it në pronësi të PD-së u mor në mbledhjen e javës së kaluar të qeverisë.

Publikimi

Kryeministri, Berisha tha se vendimi për SHQUP-in nuk u publikua më herët pasi pritej të dekretohej nga Presidenti, Nishani. Kjo qeveri nuk fsheh asnjë vendim e asnjë germë. Do të shihni tjetrin, por unë nuk fsheh kurrë. Ka një të vërtetë. Vendimi nuk u zbardh, pasi ishte bërë një gabim. Vendimi për kalimin e SHQUP-it në pronësi të Bashkisë së Tiranës, me destinacion për Partinë Demokratike, nuk mund të vinte në mbledhjen e qeverisë pa u dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe qeveria nuk mund të marrë asnjë vendim, me të cilin parakalon kompetencat e Presidentit të Republikës. Ndaj vendimi u mbajt dhe nuk mund të zbardhej se, në rast se Presidenti nuk do ta dekretonte, vendimi mund të bëhej i paqenë. Kjo është arsyeja. Nuk ka asnjë arsye për të fshehur asgjë, u shpreh kryeministri, Sali Berisha.

Vendimi

Në vendimin e bërë publik për SHQUP-in thyhet: KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E BRENDSHME, TË PASURISË SË PALUAJTSHME SHTËPIA QENDRORE E USHTRISË, ME QËLLIM PAJISJEN E SUBJEKTIT PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË ME NDËRTESË, PËR SELI QENDRORE. Në pikën e fundit të këtij vendimi thuhet se për zbatimin e tij ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme. Vendimi i bërë publik dje hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren zyrtare. Të njëjtën procedurë, qeveria ka ndjekur edhe për Shtëpinë e Ushtarakëve në Fier, e cila tashmë do të jetë në pronësi të PD-së së Fierit.

 

SHQUP-i selia e re e PD-së, ushtarakët në protestë

Që pas publikimit të lajmit se qeveria kishte firmosur vendimin që Shtëpia Qendror e Ushtrisë ti kalonte Partisë Demokratike pati një sërë reagimesh. Ushtarakët ishin të parët të cilët u grumbulluan në ambientet e SHQUP-it duke protestuar ndaj këtij vendimi të qeverisë. Më pas protesta e tyre u zhvendos edhe në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në pjesën e cila ndodhet përballë kryeministrisë ku i kërkuan kësaj të fundit që të anulonte vendimin e marrë. Ndërkaq vendimi i qeverisë solli edhe reagimin e menjëhershëm të Mimi Kodhelit, Ministrja e Mbrojtjes në qeverinë e re, e cila bëri të ditur se ky vendim i qeverisë do të rishikohej. Pas Kodhelit reagimi pati edhe nga deputeti socialist, Erjon Braçe por edhe nga vetë kryeministri i zgjedhur, Edi Rama. Ky i fundit në një reagim në rrjetin social Twitter e cilësonte këtë vendim si një turp. Ndërkohë reagime pati edhe nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nënkryetari i kësaj force duke e cilësuar këtë vendim të qeverisë si të nxituar dhe të gabuar paralajmëroi anulimin e tij nga qeveria e re.  

 

Zyhdi Kroi: Mbështesim qëndrimin

e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm

 

Zyhdi Kroi, president Nderi i Shoqatës së Ushtarakëve gjatë një interviste për News 24 tha se kryeministri Berisha nuk mund tu heq dot ushtarakëve statusin e fituar. Çështja e statusit nuk është ashtu si thotë Berisha, është ligji 9 110, dhe e ka titullin për statusin e ushtarakut. Ka dy nene, ku parashikohet dënimi me burgim, dhe rasti i dytë kur përfundon kontratën dhe e fundit kur vdes. Ka dhe një nen nr.42 për të drejtat e ushtarakëve në lirim, ku u lejohet të anëtarësohen në shoqata jo politike etj. Në asnjë rast ky ligj nuk parashikon heqjen e statusit nga kryeministri. Ligji i 2004 ka ndryshuar disa herë, por jo kjo pjesë sa i takon statusit të ushtarakut, tha Kroi. Në vijim, Kroi paralajmëroi se do të ketë të tjera protesta për këtë çështje, ndërsa shtoi se ushtarakët mbështesin Shefin e Shtabit të Përgjithshëm për qëndrimin e mbajtur. Më tej, Zyhdi Kroi tha se ka marrë një takim me përfaqësues nga qeveria e re ku do të paraqesin kërkesat e tyre. Kemi marrë takim, kërkesat janë: e para fuqizimi i aktit normativ, dhe Rama këtë e ka premtuar dhe në një takim në Vlorë. Kemi kërkuar së dyti, marrëveshje mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Vendimin e fundit të SHQUP nuk e kemi ngritur ende, deklaroi Kroi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›