E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët e kuq i ankohen administratorit Thaka

Nga Erjon HAMITAJ

Disa nga ultrasit e Partizanit janë takuar me administratorin Gjergj Thaka dhe i kanë shprehur pakënaqësitë

Ekipi i Partizanit, pas tri ndeshjeve të zhvilluara, ku dy i ka pasur në Tiranë dhe një në transfertën e Patosit, ka grumbulluar katër pikë dhe renditet në vendin e nëntë në tabelën e klasifikimit në Grupin B të kategorisë së dytë.

Në Tiranë ka fituar takimin e parë ndaj Bilisht Sportit 1-0 dhe barazoi pa gola këtë fundjavë me Naftëtarin. Ndërsa në Patos ka humbur 2-0. Kjo skuadër ka një ndeshje të prapambetur, atë ndaj Memaliajt, që duhet ta luante javën e parë të kampionatit, por vendimi  për faljen dënimit të Memaliajt nga FSHF u mor në çastet e fundit të fillimit të kampionatit.

Pas ndeshjes së fundit të Partizanit, e cila përfundoi 0-0, tifozët kanë kërkuar takim me administratorin e deleguar nga Ministria e Mbrojtjes për FK Partizani, Gjergj Thaka. Dje Thaka ka pranuar të takohet me mbështetësit e skuadrës pas kontestimit të tyre mbi trajnerin Neptun Bajko, i cili ka qenë në qendër të debateve të tifozëve të kuq gjatë këtyre javëve të drejtimit të kësaj skuadre.

Debatet janë bazuar mbi korrupsionin, pra tifozët akuzojnë teknikun Bajko për marrje ryshfeti në këmbim të një federimi për të luajtur me këtë klub. Thaka i ka dëgjuar ankesat e tifozëve dhe u është drejtuar duke u thënë se duhen fakte që ai të veprojë për shkarkimin e trajnerit.

Nëse mbështetësit e klubit të kuq sjellin fakte, atëherë dhe administratori Thaka do të veprojë në bazë të situatës që do ti parashtrohet. Ndeshja e radhës së Partizanit është ajo e ditës së diel në Përmet, në vendlindjen e ish-presidentit Albert Xhani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›