Molla: Bilisht Sporti, vendimtar për pretendimet e Naftëtarit
Futbollisti pogradecar thekson se një fitore e mundshme në ndeshjen e radhës e favorizon shumë ekipin kuçovar
Ndonëse do të kenë përballë skuadrën kryesuese të grupit, Bilisht Sportin, futbollistët kuçovarë besojnë se do të fitojnë dhe do të futen bindshëm në garën për kategorinë e parë. Barazimi me Partizanin në transfertë e ka rritur ndjeshëm besimin te Naftëtari, që bëri një start zhgënjyes të kampionatit, me dy humbje në dy javët e para.
Kuçovarët mbajnë vendin e 8-të, por është ende fillimi dhe diferenca e pikëve me rivalët është e vogël. Një fitore e mundshme me Bilisht Sportin i fut plotësisht në lojë ata, ndaj dhe kësaj ndeshjeje po i bëhet hyzmeti ashtu si duhet. Do të jetë e vështirë për Naftëtarin, sepse do të mungojnë për shkak kartonësh Kajo dhe Baku, por trajneri Fraholli ka në dispozicion një grup të mirë dhe do të gjejë zëvendësuesit e duhur.
Fabian Molla, futbollisti pogradecar i Naftëtarit, e vlerëson përballjen radhës të fortë, por mendon se Naftëtari është më pranë fitores. ”Kuptohet që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, përderisa do të luajmë me ekipin kryesues, që vjen me përvojën e kategorisë së parë, por them se në stadiumin Bashkim Sulejmani mund të fitojmë ndaj çdo kundërshtari. E kemi vlerësuar kundërshtarin, por asgjë nuk na ndalon të kërkojmë pikët maksimale.
Naftëtari vjen pas një barazimi të merituar me Partizanin, ku, edhe pse kishim gjykimin kundër, bëmë një paraqitje të mirë. Shpresojmë që fenomeni i gjykimeve tendencioze të ketë marrë fund me ndeshjen me Partizanin. Në kushtet kur gjendja fizike dhe morale është në shkallën e duhur, kam shumë besim se do të fitojmë të dielën.
E kemi lënë pas atë nisje zhgënjyese, me një humbje në fushën tonë, dhe tani jemi të përqendruar te ndeshjet që kemi përpara. Do ti bëjmë të gjitha përpjekjet për ta realizuar objektivin e ngjitjes në kategorinë e parë, ka thënë mes të tjerash Molla, i cili kërkon mbështetjen e fuqishme të tifozërisë kuçovare edhe në ndeshjen e fundjavës me Bilisht Sportin, ndërkohë që i falënderon ata për praninë në kryeqytet, në sfidën me Partizanin. Molla luan sezonin e parë me Naftëtarin dhe shpreson të jetë një nga protagonistët e ngjitjes së këtij ekipi në kategorinë e parë.
