E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, 150 000 euro për Aksel Rosin

Bledar KUKATIRANË – Tirana mund të japë edhe 150 000 euro si rrogë për trajnerin e ri të skuadrës. Pasi gjermani Aksel Ros është piketuar si favoriti për të zënë stolin e mbajtur sezonin e kaluar nga disa trajnerë, pritet të bëhen bisedimet e rastit për ta sjellë atë në "Skënder Halili". Burime pranë klubit bardheblu pohuan dje se katërshja e donatorëve kërkon t'i japë rëndësi postit të trajnerit, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë të bindur se vetëm një i huaj mund të bëjë punë në një organikë të tillë si ajo bardbeblu.
"Ros u ftua edhe më parë nga donatorët, - tha ky burim, - por nuk pranoi jo për shkaqe financiare sesa për ato të kushteve stërvitore. Në atë periudhë, fusha e "Skënder Halilit" ishte e përbaltur dhe me gurë, ndërsa tani është moderne, më e mira fushë në Shqipëri, përfshi edhe ato të stadiumeve". Aksel Ros ka qenë ndihmësi i trajnerit të kombëtares shqiptare, Hans-Peter Brigel në vitet 2002-2005, kur ky e drejtoi skuadrën në eleminatoret e Euro 2004-ës dhe Botërorit 2006.
Në takimet e fundme mes tyre, donatorët kanë diskutuar për disa emra trajnerësh, madje janë përmendur ish-trajnerët Josa e Hafizi, por edhe trajneri i Flamurtarit, Sllavko Kovacic, për të arritur më në fund tek Rosi. Vetë donatori Refik Halili, disa kohë më parë, pohonte për gazetën se "më e mira për Tiranën do të ishte një trajner i huaj, por duhet parë nëse do të kemi mundësitë financiare për ta marrë, sepse një si Menikini kërkonte 150 000 euro vetëm për veten e tij, ndërsa duheshin edhe shumë të tjera për ndihmësit".
Lidhur me lojtarët që do të kërkojë Tirana për sezonin e ardhshëm ka shumë emra që dalin në media, por njerëz brenda klubit "ftohin" disi gjakrat. "Donatorët shqetësohen më parë për trajnerin, - thonë këto burime, - sepse po të mos jetë trajneri, kush do t'i marrë lojtarët. Mema (Sulejman) kishte bërë listën e tij ku ishin emrat e Osmanit, Abilaliajt, Muzakës si dhe të tjerë, por një trajner tjetër mund të ketë preferenca të tjera".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›