E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tirana Grand Prix”, 42 makina historike sjellin në Tiranë elegancën e automobilizmit

TIRANË, 3 tetor/ATSH/  Historia e automobilizmit është zhvendosur këto ditë në Sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë ku 42 automjete historike dhe modele të veçanta nga Shqipëria, Italia dhe vendet e rajonit po prezantohen për publikun në kuadër të “Tirana Grand Prix”.

Sot u mbajt dhe gara e parë. Ndërsa eventi startoj mbrëmjen e së premte, duke e kthyer kryeqytetin nga data 2 deri më 4 tetor, në qendrën që mirëpret një aktivitet që bashkon pasionin për automjetet historike me kulturën, koleksionimin dhe përvojën e një gare të veçantë automobilistike.

Në ceremoninë e hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Kreshnik Bajraktari, vlerësoi rëndësinë e aktivitetit për komunitetin e automobilizmit dhe për promovimin e mjeteve historike.

Në qendër të aktivitetit janë automjetet e prodhuara deri në vitin 1980, krahas modeleve “Youngtimer” të viteve 1980–1995. Të nxjerra nga koleksionet private, ato sjellin në shesh pjesë të historisë së automobilizmit dhe u japin vizitorëve mundësinë t’i shohin nga afër.

“Tirana Grand Prix” u zhvillua për herë të parë në vitin 2023 dhe tashmë është kthyer në një takim për koleksionistët, klubet automobilistike dhe të apasionuarit pas mjeteve historike.

Përtej garës, aktiviteti shoqërohet me muzikë, ekspozita dhe aktivitete të tjera, duke krijuar një atmosferë festive në Sheshin “Nënë Tereza” dhe duke e sjellë historinë e automobilizmit më pranë publikut.

Tre ditë me makina të rralla, histori dhe pasion e kthejnë Tiranën në një pikë takimi për dashamirësit e automobilizmit nga Shqipëria dhe rajoni.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›