Tirana, autostradë me katër korsi në mes të parkut të liqenit artificial
Kristi Pinderi / Xhek Preçetaj
Dikur opinioni publik ishte i shqetësuar se përreth liqenit artificial dhe Parkut Kombëtar pranë tij po ndërtohej në mënyrë të çrregullt dhe se e gjithë ajo zonë që ne e quajmë, me të drejtë, mushkëria e Tiranës po betonizohej. Atëherë flitej me frikë për diçka që pritej të ndodhte, kurse sot, ai rrezik është bërë realitet!
Nga i gjithë projekti për Unazën e Madhe që do të ndërtohet nga Bashkia e Tiranës, vetëm një segment i tij tashmë është realizuar dhe ky segment kalon ngjitur me liqenin artificial. I ndan me njëri tjetrin vetëm një rrip i ngushtë toke (më saktë bregu i liqenit artificial). Përbri tij tani kalojnë makina të të gjitha peshave apo llojeve, që ecin në katër korsi autostrade.
Në njërën anë të autostratës ndodhet një lagje e plotë me pallate të reja, banorët e së cilës i blenë pronat e tyre në një kohë kur gjithçka përreth ishte e qetë, pa pluhur, pa makina, pa tym, pa zhurma. Por tani duket se ka shkuar atje ku nuk mban më, për të paktën shumicën e qytetarëve që jetojnë në atë zonë çdo ditë e më shumë kaotike, por edhe për shumë qytetarë të tjerë të kryeqytetit që deri më sot e kishin liqenin artificial, bregun e tij, peshkimin në të, apo dhe gjelbërimin dhe paqen natyrore përreth tij, si të vetmin oaz shplodhjeje.
Të parët kërkojnë tani të shesin banesat e tyre, ndërsa të dytët presin me ankth ditën kur edhe vetë liqeni artificial do të jetë pa asnjë peshk e përreth sdo ketë më gjelbërim (siç po ndodh, në fakt).
Po bëhet e padurueshme! Dikur i blemë shtëpitë që të ishim të qetë, na mjaftonte një rrugë e zakonshme qyteti, tani na kalon autostrada poshtë dritareve, shprehet një banor i asaj lagjeje.
Sotir Polena, pensionist, i cili gjithashtu banon në atë zonë shprehet se rruga e re që është segment i Unazës së Madhe të Tiranës vërtet mund të jetë pjesë e një zgjidhjeje më të madhe për kryeqytetin, vërtet mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të trafikut dhe se vërtet mund të lehtësojë lidhjen transit mes Tiranës dhe qyteteve të tjera, por zonës konkrete i sjell më shumë të këqija, se të mira.
Kanë ngushtuar së tepërmi liqenin, thotë ai, dhe kanë zgjeruar shumë rrugën, ku pritet të kalojnë të gjitha makinat transit në Tiranë, pra praktikisht, e gjithë Shqipëria!. Ai është i ndërgjegjshëm, megjithatë, se rruga e re patjetër që do të ndihmojë trafikun e Tiranës, por beson se e gjithë zona ku jeton ai do të ketë probleme me pluhurin, ndotjen e ambientit dhe sidomos probleme me zhurmat. Ne pensionistët këto të fundit nuk i durojmë dot fare, ndërhyn një tjetër i moshuar.
Gjatë paradites së djeshme ne ishim dëshmitarë edhe të një fakti tjetër. Teksa punëtorët ndërtonin autostradën, qytetarë të zakonshëm të Tiranës bënin xhiron e tyre në rrugën bri liqenit. Por ishte e pamundur të ndiheshe i qetë, dhe të thithje ajër të pastër.
Përpos kësaj është absurde që vetëm pak metra larg liqenit dhe gjithë zonës së Parkut përreth tij të shikosh makinat e gjithë Shqipërisë dhe të Tiranës që kryqëzohen si mizëri atje ku çdo qytetar do të donte të ishte i qetë, pa zhurma dhe të ndihej si në mes të një ajri të pastër…
Dervish Gjina, një peshkatar amator nga Tirana është shumë i ashpër kur e pyesim se çfarë mendon për këtë situatë. Kam katër vite që e vizitoj shpesh këtë vend për të peshkuar, thotë ai për Shekullin. Kur kam ardhur në fillim ka qenë zona bosh, pa asnjë pallat. Sot është mbushur plot dhe do të vazhdojë të mbushet akoma edhe më shumë me pallate. Ai pohon se ka rreth dy muaj që punimet janë ndalur, mund të shikosh tek tuk, ndonjë punëtor me ndonjë makineri, ndryshe nga fillimi që e morën me vrull të madh.
Komenton më tej se me siguri nuk kanë lek për këto ndërtime në këto kohëra. Dhe e përfundon duke shprehur një keqardhje, që e ndjejnë, për fat të keq, të gjithë ata qytetarë që e mbajnë mend si një oaz të paqtë atë zonë: Këto kodra të pastra ishin të vetmet që i kishin mbetur këtij qyteti, plot tym dhe pluhur. Kjo është vërtet për të ardhur keq.
Si ai mendojnë edhe dhjetëra peshkatarë të tjerë amatorë cilët të cilët ne i takuam dje teksa rrekeshin të kapnin ndonjë peshk në liqenin tashmë tejet të ndotur artificial të Tiranës. Një grup vajzash ishin ndërkohë, duke ngarë biçikleta por sapo u afruan në hyrje të Kopshtit Zoologjik, u detyruan të ndalojnë, e të ktheheshin nga kishin ardhur, ngaqë rruga e re aty nuk është as për këmbësorë, e as për çiklistë! Një tmerr i vërtetë duhet të jetë situata edhe për kafshët ekzotike që ne i mbajmë të burgosura në një kopsht mjeran. Për të hyrë në atë kopsht, duhet të futesh poshtë një nënkalimi të aytostradës me katër korsi…
Sotir Polena, pensionist
Kjo rrugë po sjell të mira por edhe shumë të këqija. Kanë ngushtuar së tepërmi liqenin dhe kanë zgjeruar shumë rrugën. Madje edhe liqeni i vogël brenda territorit të kopshtit zoologjik po thahet gradualisht. Ka shumë pluhur, sidomos në këto momente që po bëhen punimet, por mendoj se edhe kur të hapet rruga do të ketë shumë pluhur. Njëkohësisht ka edhe zhurma të mëdha që vijnë si rrjedhojë e punimeve, por këto zhurma mund të jenë të pranishme edhe pas hapjes së plotë të rrugës.
Dervish Gjina, peshkatar
Si gjithnjë liqeni ka qenë një oaz i vërtetë për të gjithë peshkatarët amatorë. Njëri prej tyre, Dervishi, ka vite që shkon atje pothuajse çdo ditë, për të peshkuar thjesht për sport, siç pohon vetë. Kam katër vite që qëndroj në këtë vend për të peshkuar. Kur kam ardhur në fillim zona ka qenë e boshatisur, e qetë dhe pa zhurma, makina apo pallate që të marrin frymën. Sot, siç e shikoni vetë është mbushur plot dhe do të vazhdojë të mbushet akoma edhe me më shumë pallate. Dy muaj më parë punimet ishin më intensive, siç duket tani nuk kanë lekë të paguajnë firmën. Por ajo që më shqetëson më shumë mua është fakti se këto kodra të pastra përreth ishin të vetmet zona me ajër të pastër që i kishin mbetur këtij qyteti, plot tym dhe pluhur. Kjo është vërtet për të ardhur keq.
Mentori nga Dibra thotë: shyqyr që po na bëhet rruga!
Mentor Leka është një qytetar i ardhur para 20 viteve nga Dibra. Ai punon aktualisht si gazetashitës, tamam në vendin ku ndahen katër korsitë e autostradës. Por pavarësisht se jeton e punon në pluhur, ai nuk ndihet i pezmatuar, madje do të thonim se ndihet i lumtur. Ai qëndron çdo ditë në mes të atyre punimeve që ngrinin një pluhur të llahtarshëm.
Qëndron në një barakë ku shet gazeta, por edhe produkte ushqimore të paketuara. Pranoi të fliste me shumë kënaqësi për gazetën Shekulli në lidhje me ndërtimin e segmentit të Unazës së Madhe përbri liqenit artificial dhe gjelbërimit që ka patur dikur ajo zonë.
Kur kam ardhur në fillim ka patur pak shtëpi në këtë zonë dhe një rrugë të vogël. Sot ka pallate të shumta dhe një rrugë e madhe po ndërtohet. E pyesim nëse e mban mend se si ishte jeta në fillim kur u vendos me banim atje, atëherë kur ishte i rrethuar nga gjelbërimi dhe a mund ta krahasojë atë periudhë me këtë të sotmen. Por ai beson se pavarësisht gjelbërimit që nuk është më, e rëndësishme është që me rrugën e re ai do të ketë mundësi të shkojë më shpejt në qendër të Tiranës!
Jam pro hapjes së rrugëve të reja dhe jam shumë dakort që të bëhen investime me rrugët, pasi një rrugë e re do të thotë zhvillim, thotë ai i bindur.
I sinqertë në atë që thotë, i bindur se ka më shumë nevojë për rrugë me katër korsi familja e tij, se sa për gjelbërim, ai e pranon më tej se nuk është shumë mirë të punosh gjithë ditën në mes të pluhurit.
Madje beson se pluhuri, por sidomos zhurmat do të vazhdojnë të jenë prezente në lagjen e tij edhe në të ardhmen, kur autostrada të ketë marrë pamjen e saj përfundimtare.
Edhe në vijim do të ketë pluhur në këtë zonë, madje edhe kur të hapet rruga, por nuk mendoj se do jetë shumë shqetësuese në krahasim me të mirat që do të sjellë kjo rrugë kur të ketë përfunduar, e përforcon idenë e tij Mentori.