Shteti lan duart me piramidat

Në foto: Kreditorë të fajdeve duke pritur me shpresën se do t'u kthehen paratë. Fotot Corbis
Emirjon Senja
Çështja e fajdeve po mbyllet në heshtje, sot kur janë mbushur më shumë se 15 vjet nga lulëzimi i tyre, e cila i kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve shumë më tepër se sa 1.2 miliardë dollarët e zhdukura tashmë. Komisioni i Ekonomisë miratoi dje me një prani dhe interes të vogël të deputetëve nga të dyja kahet politik, ligjin për shpërndarjen e Grupit Mbikëqyrës të Kompanive Huamarrëse dhe kalimin e administrimit të atyre pak aseteve të mbetura nën varësinë e Ministrisë së Financave. Grupi shpërndahet menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kurse administratori i vendosur nga qeveria do të kryejë shitjen e aseteve të mbetura, për tia shpërndarë më pas fondet që do të mblidhen kreditorëve të kompanive rentiere.
Por sa para do të mblidhen nga ky proces dhe a duhet të presin kthimin e parave të humburit e fajdeve? Përgjigja kuptohet edhe nga vetë të dhënat që dha dje në Kuvend, Drejtoresha e Juridike e Ministrisë së Financave, gjatë prezantimit të projektligjit, sipas të cilës, vërehet një interes tepër i ulët i qytetarëve për të marrë mbrapsht paratë e mbyllura vite më parë tek firmat me shpresën se do të shumëfishoheshin.
Duket se pas një procesi 15 vjeçar në administrimin e këtyre aseteve duke mundur ti kthejë atyre që futën lekët nëpër piramida 10 për qind të shumës së parave të zhdukura, shteti kërkon të lajë duart tashmë, pasi çdo gjë duket e mbyllur. Një gjë e tillë vlen edhe për faktin se janë vetëm 10 për qind e aseteve të bllokuara ndaj kompanive që nuk janë shitur, të cilat pritet të nxirren në treg. Nisur edhe nga asetetet që kanë mbetur, kryesisht fabrika të rrënuara apo hotele në zona malore të vendit, ka pak gjasa që ato të shiten, pasi ka pak interes. Për këtë shkak, qeveria ndërmori disa ndryshime në procedurat për shitjen e tyre në shtator të këtij viti duke krijuar më tepër kushte lehtësuese ndaj blerësve të mundshëm.
Ligji
Përpos shkrirjes së Këshillit Mbikëqyrës dhe kalimin e të drejtës së administrimit tek Ministria e Financave, ligji i ri i propozuar nga qeveria parashikon edhe procedurat e shpërndarjes së parave që do të mblidhen tek kreditorët. Pas shitjes, paratë do të depozitohen në banka të nivelit të dytë dhe kreditorët do të kenë pesë vite kohë për tërheqjen e tyre. nëse gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë interes për të tërhequr paratë, ato do të kalojnë në një tjetër llogari bankare në emër të Ministrisë së Financave. Edhe kësaj radhe, personat përfitues apo trashëgimtarët e tyre do të kenë mundësi që të paraqiten pranë kësaj ministrie për të kërkuar kthimin e pjesës që u takon duke dorëzuar dokumentet që vërtetojnë mbylljen e parave në firmat piramidale brenda 10 viteve duke filluar nga momenti kur ligji hyn në fuqi. Duke marrë parasysh procedurat standarde, siç është diskutimi në Kuvend, miratimi në seancë plenare dhe botimi në Fletoren Zyrtare, ligji pritet të hyjë në fuqi në fillim të muajit maj. Në këtë mënyrë, shteti u jep fund andrallave me fajdet 25 vjet pas shembjes së kompanive rentiere, nëse marrim parasysh edhe afatin ligjor për tërheqjen e parave që do të sigurohen nga shitja e aseteve të mbetura.
Qytetarët janë indiferentë
Procesi i kthimit të parave të humbura në piramida është karakterizuar nga shuma tepër të vogla krahasuar me ato që qytetarët humbën. Pas bërjes së bilancit, administratorët përcaktonin edhe koeficientet e përfitimit për kreditorët, të cilët arrinin në vlera qesharake duke bërë që një pjesë e tyre të mos shkojnë fare për të tërhequr paratë. Ajo që është konstatuar është mungesa e interesit të personave që janë në lista për të kërkuar marrjen e shumave edhe për shkak të faktit që personi i parë që ka qenë përfitues ka vdekur, shumat janë të vogla dhe trashëgimtaret janë të pa interesuar mesa duket që të tërheqin shumat. Ato nuk mund të qëndrojnë pafundësisht nëpër banka, – do të shprehej në Komisionin e Ekonomisë, Linda Rusmali gjatë prezantimit të draftit të qeverisë për fajdet.
Krahas kësaj, një pjesë e atyre që mbyllen paratë nëpër piramida kanë humbur tashmë dokumentet duke mos pasur më mundësi për vërtetimin e shumës së futur. Të gjithë këta, i shtohet ushtrisë së indiferentëve, të cilëve nuk iu interesojnë më thërrimet e mbetura të kursimeve të tyre që i investuan në piramida me shpresën se do të shumëfishoheshin.
Asetet e kompanive nuk vlejnë as për tu vënë roje
Kreditorët e kompanive piramidale kanë mundur të rimarrin deri më tani nëpërmjet shitjes së aseteve të bllokuara, mesatarisht vetëm 10 për qind të parave të investuara. Tashmë, 15 vjet më pas kanë mbetur vetëm një numër i kufizuar asetesh, të cilat në numër, përbëjnë 10 për qind të totalit. Më pak fjalë, ndryshimet ligjore që po bën qeveria kanë të bëjnë më shumë me mbylljen e këtij procesi se sa me përmirësimin e procedurave për gjenerimin e fondeve nga shitja e tyre.
Por çfarë janë asetetet e mbetura dhe sa gjasa ka që të gjenerohen para nga shitja e tyre? Janë 27 asete të mbetura ende pa shitur që iu sekuestruan kompanive rentiere pas vitit 1997, kryesisht të kompanive VEFA dhe Gjallica. Me ligjin e ri të miratuar dje në Komisionin e Ekonomisë, qeveria synon ti shesë duke ia kthyer kreditorëve paratë që do të mblidhen.
Kreu i Grupit Mbikëqyrës i Kompanive Huamarrëse, Bajram Malaj do të deklaronte pak muaj më parë në Kuvend se vlera që mbartin asetet e mbetura të pa shitura është minimale. Nga kalkulimet, del se vlera e aseteve që kanë mbetur pa u shitur nuk shkon as 1 deri në 2 për qind e totalit të vlerës së aseteve të bllokuara. Paraprakisht, përllogaritet që të gjitha ato të vlejnë diku tek 1.2 milionë dollarë. Megjithatë, asetet do ti nënshtrohen ankandit, dhe me ndryshimet ligjore të miratuara duke lehtësuar procedurat e shitjes si edhe interesit të ulët nga ana e blerësve potencial, vlera e tyre mund të ulet edhe më tepër. Për më tepër, kur shumica e aseteve të mbetura janë të amortizuara totalisht. Shumica e tyre janë objekte, për të cilat nuk ia vlen të lësh asnjë roje për ti ruajtur, mirëpo ato janë në gjendje dhe duhet tu jepet një rrugë. Duke përjashtuar apartamentet që janë në qytete të ndryshme të vendit dhe që janë bllokuar, janë, dyqane, hotele të braktisura, – do të shpjegonte në Kuvend Malaj. Asetet e mbetura përbëhen kryesisht nga fabrika të vogla sallami në qytete të ndryshme të vendit, të cilave u kanë mbetur vetëm kolonat mbajtëse, lokale, apo banesa, të cilat krerët e kompanive rentiere i kanë blerë për interesat e tyre gjatë periudhës së lulëzimit të piramidave.
Qeveria ka ndryshuar procedurat e shitjes së aseteve të mbetura duke i mundësuar të interesuarve tashmë një çmim paraprak, me të cilin mendon ta shesë asetin. Që prej dy vjetësh ne vazhdojmë ti çojmë për shitje këto asete, por asnjë blerës nuk është afruar dhe askush nuk ka shfaqur interes, – do të shprehej Malaj në Kuvend.
Qeveria do të vijojë me procedurat e shitjes pavarësisht vlerës së ulët. Pas vendosjes së administratorit të ri nga Ministria e Financave, ai do të fillojë shitjen. Me përfundimin e shitjeve, administratori i ri do të përcaktojë edhe koeficientin e përfitimit për secilin debitor. Sigurisht që vlerat do të jenë tepër të ulta. Pas kësaj, radha dhe procedurat e shpërndarjes do të përcaktohen me urdhër të ministrit të Financave.
Asetet i përkasin kompanive VE