Tirana bie viktimë para Vllaznisë
Bardheblutë dominojnë, por Bekim Bala qëllon në shenjë për fitoren 1-0
Për t’u rikthyer e madhe, Vllaznia bën surprizën e javës, duke mundur Tiranën 1-0 brenda në “Qemal Stafa”, në një stadium pa tifozë. Kuqeblutë morën tri pikë shumë të rëndësishme në përpjekjet e saj për t’iu larguar sa më shumë fundit të klasifikimit. Një fitore prestigjioze, edhe për trajnerin Edi Martini, i cili në ndeshjen e tij të tretë (pas dy humbjesh radhazi) qëlloi në shenjë. Por shumë e rëndësishme kjo fitore ishte edhe për Vllazninë, e cila mundi të mposhtë bardheblutë pas dy vitesh tabu. Njeriu-gol i kësaj ndeshjeje ishte sulmuesi i ri Bekim Bala, i cili e realizoi në minutën e 36’ falë një veprimi të bukur individual të anglezit Feniks. Rezultati 1-0, që pavarësisht përpjekjeve të shumta të Tiranës, që e dominoi ndeshjen, ka mbetur në fuqi deri në fërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Lorenc Jemini. Kështu që, bardheblutë i nënshtrohen verdiktit të lojës, edhe pse kanë goditur dy herë traversën e portës së Grimës, duke bërë “harakiri” në javën e 20 të kampionatit. Mungesat e shumta të 24 herë kampionëve në fuqi, si rezultat i pezullimeve nga komisionet juridike të FSHF-së, por edhe për shkak të kartonëve të verdhë, e kanë kushtëzuar Tiranën në këtë ndeshje. Kjo gjë është shfrytëzuar mjaft mirë nga kuqeblutë, ashtu sikurse mungesa e tifozëve në stadium, që kanë fituar 1-0. Po të shtunën, një tjetër ndeshje është luajtur, në kuadrin e javës së 20, pikërisht në Laç. Skuadra vendase, e drejtuar nga Stavri Nica, ka mundur minimalisht Shkumbinin, me golin e Arlind Norës, me penallti, shënuar në minutën e 56’. Loja mes të dyja skuadrave ka qenë e fortë dhe burrërore, me sulme dhe kundërsulme nga të dyja palët, por diferencën e ka bërë goli i Norës, që i jep tre pikë të tjera skuadrës kurbinase, e cila e shikon veten në pozita komode në klasifikim. Dy ndeshjet e fundit të javës së 20 të Superiores do të luhen sot. Edhe në Kavajë, sfida pritet të jetë e fortë. Besa, e shokuar nga humbja 3-0 në mesjavë, në Vlorë, patjetër do të tentojë autokritikën e duhur. Qoftë për tifozët e vet, por edhe për të mos e lëshuar vendin e dytë. Sepse mund t’ia rrëmbejë Tirana. Nga ana e tij, Kastrioti do t’ia bëjë hyzmetin edhe një barazimi. Përforcimet cilësore të dimrit i kanë dhënë një tjetër “fytyrë” skuadrës krutane, kështu që verdhezinjtë mikpritës nuk do ta kenë të lehtë. Konkretisht, në Vlorë do të luhet Flamurtari-Apolonia dhe në Kavajë, Besa do të presë Kastriotin. Kuqezinjtë e Vlorës, pasi kanë mundur pastër 3-0 Besën, në mesjavë, në ndeshjen e riluajtur, kanë marrë superxhiro. U është shtuar oreksi. Dhe po të kemi parasysh nevojën gati jetike për pikët maksimale, do të ketë një synim të vetëm ndaj Apolonisë: fitoren. Por që ta realizojë këtë, duhet të kalojë Apoloninë, që ka në gjirin e saj lojtarë të mirë, por që nën drejtimin e trajnerit Hasan Lika nuk po gjejnë dot atë lojë që i karakterizoi si ekipi më simpatik i fazës së parë.
#