E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana do shkoje ne Shkoder te shtunen per te mbrojtur kryesimin

Kishte qenë 23 maji i vitit 2009, dita e fundit e kampionatit të atij sezoni dhe dita kur bardheblutë provuan për herë të fundit kryesimin e Superligës. Ka kaluar një kohë pafundësisht e gjatë pa kryesim, gjithnjë për standardet e një ekipi si Tirana. Por, të paktën kjo pritje sfilitëse ka marrë fund, edhe sikur kjo të jetë vetëm për një ditë.

Janë 822 ditë me duar të kryqëzuara, 70 javë kampionati, me dy prej sezoneve, në 2009-2010 dhe 2010-2011 kur kryeqytetasit ishin krejtësisht jashtë loje, fillimisht me Dinamon e Besën që dyluftuan për titull dhe më pas me duelin emocionues dhe plot me idhtësi mes Skënderbeut e Flamurtarit.

Gëzimi i fundit ka qenë 23 maji, kur u kurorëzua me sukses një sezon, ndërsa kreu i pashpresuar u kap më 16 maj, pas fitores 3-2 në derbin ndaj Dinamos.

Fitorja 2-0 ndaj Flamurtarit ishte ajo që solli këtë arritje, ndonëse Tirana më shumë javë i ka kaluar në krye sesa poshtë vendit të parë, të paktën në 20 apo 30 vitet e fundit.

Një autogol i Veliut dhe një gol i Morinës ishin receta për të zotëruar majën, duke mposhtur një rival direkt si Flamurtari dhe duke përfituar nga lëkundjet e Skënderbeut apo Vllaznisë.

Trajneri Hulian Rubio Sançez ka ndikimin e tij të padiskutueshëm në një skuadër që ka pasur shumë lëvizje këta 2 muaj. Shumë lojtarë të larguar, mjaft paqartësi dhe një mungesë e madhe përvoje në mesfushë. Ndoshta ardhja e Duros ndryshon raportet, por është prania e spanjollit që duket vendimtare. Nuk mund të jetë ndryshe për një profesionist që vjen nga një “kafaz” me “tigra” të tillë si Barcelona e Real Madrid.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›