E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, e majta përpara në këshillin bashkiak

TIRANE- Në bazë të rezultateve paraprake të zgjedhjeve, koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” i kryesuar nga Partia Socialiste, dominon momentalisht me një diferencë të ngushtë votash në këshillin bashkiak të Tiranës. Të majtët rezultojnë të kenë në proporcional 345 vota më shumë sesa koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, i kryesuar nga Partia Demokratike. Rezultati është nxjerrë pas numërimit të 278 nga 485 kutitë e votimit në total. Sipas të dhënave që jep Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, “Aleanca për të Ardhmen” ka siguruar në proporcional deri më tani 47.079 vota, ndërsa “Aleanca për Qytetarin”, 46.734 vota. Në shpërndarjen e votave sipas subjekteve kryeson Partia Socialiste, me 40.616 vota. Forca e dytë politike në proporcional renditet Partia Demokratike, me 29.630 vota, e pasuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, me 7.732 vota. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, është subjekti i katërt garues me numrin më të madh të votave në proporcional, respektivisht me 2.854. Ajo pasohet mandej nga republikanët me 2.010, që ndiqen ndërkohë nga Lëvizja e Legalitetit me 1219 vota.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›