Tirana, e vetmja bashki së cilës nuk i janë miratuar pronat, Basha si ministër nuk dha asnjë grant për kryeqytetin
Po shkruaj këtë email pas një reflektimi personal me ndjekjen e emisionit në TV Klan, ku ishin të ftuar disa nga intelektualët, të cilët së fundmi kanë organizuar në Tiranë një seri të takimeve- iniciativa për Tiranën. Mbasi dëgjova me shumë vemendje mendimet e intelektualëve të nderuar që merrnin pjesë, nuk mund të mos ndjeja me të vërtetë keqardhje, jo për idetë e hedhura nga ana e këtyre zotërinjve të nderuar, të cilat janë ide që kanë shumë kohë që ekzistojnë në shoqëritë e zhvilluara dhe janë super të mirëpritura nga të gjithë, por për përforcimin gjithnjë dhe më shumë të idesë se dhe këta intelektualë të nderuar nga të gjithë fushat e jetës, sikurse politikanët, thjesht mbeten në kuadrin e fjalëve të përgjithshme dhe vetëm fjalëve të përgjithshme, pa u ndalur minimumi në detaje konkrete të një çështjeje të caktuar, analizimi i së cilës pa dyshim që mund të tregojë shumë … Ku dëshiroja të ndalesha?
Dëgjova komentin nga një prej pjesëmarrësve, ku me të drejtë u vu theksi mbi procesin e decentralizimit, si një kusht primar për zhvillimin e vendit. Çudia më e madhe për mua, pasuar me zhgënjim, erdhi menjëherë kur ky pjesëmarrës lavdëroi Zotin Basha duke e konsideruar si mjaft të angazhuar me procesin e decentralizimit, duke patur ide konkrete për zhvillimin e qytetit, duke i dhënë theksin qytetarit. Menjëherë në mendjen time u ngrit një pyetje shumë e madhe. Cili ka qenë pozicioni i Z.Basha deri tani? A ka qenë apo jo Ministër i Brendshëm, përgjegjës ndër të tjera dhe për Decentralizimin? Këto 2 vitet e fundit pushteti lokal ka denoncuar apo jo cënimin e thellë të autonomisë vendore? Çfarë ka bërë Z.Basha për pushtetin vendor dhe më konkretisht për Tiranën? A i ka përmbushur ai detyrat e tij si Ministër? A ka votuar Z.Basha si anëtar i Bordeve përgjegjëse për shpërndarjen e Granteve Konkurruese ndonjë projekt të dorëzuar nga Bashkia e Tiranës? Mund të verifikohet shumë lehtë që jo!! Përse ka më shumë se 2 Vjet, që Zoti Basha si ministër përgjegjës për përcjelljen e Pronave të pushtetit vendor për miratimin përfundimar nga Këshilli i Ministrave, ka bllokuar të gjithë pronat e qytetit të Tiranës. A e dini, që Bashkia e Tiranës ka ngelur e vetmja bashki në vend, së cilës nuk i janë miratuar pronat e saj, me përjashtim të Godinës së Bashkisë dhe Njësive Bashkiake?!! Si mund të themi që Z.Basha ka koncepte decentralizimi kur ai ka dështuar deri tani në këtë proces nga një pozicion shume i rendësishëm si Ministër përgjegjes për Decentralizimin? Për këtë egziston dhe një Strategji të Decentralizimit Vendor, e miratuar nga qeveria që në vitin 2006 me shumë detyra për qeverinë për kalimin e funksioneve të reja, rritjen e të ardhurave (duke kaluar burime të reja të ardhurash si aplikimi i Taksave të Ndara ku duhet të kalojnë për llogari të pushtetit vendor Tatimi mbi Fitimin (Taksë e pushtetit qendror) dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale (Taksë e pushtetit qendror) të cilat kuptohet që kanë ngelur vetëm në letër.
Me të drejtë pjesëmarrësit diskutuan mbi shpërndarjen e biznesit, mungesën e librarive, kinemave etj, dhe mbizotërimin e bareve dhe kafeve. Me të drejtë këta zotërinj kërkonin një shpërndarje tjetër të këtij biznesi si në çdo vend të botës duke e kërkuar këtë gjë nga Bashkia. Unë jam absolutisht dakort me shqetësimin e këtyre Zotërinjve dhe realisht ky është një problem tepër shqetësues për qytetin, ku kushdo mund të bëjë çfarë të dojë. Imagjinoni të gjithë fëmijët e një pallati që u ka rënë për hise të jetojnë në një ambient me një klinikë infektive, dhe kështu u duhet të shkojnë në banesën e tyre të shoqëruar çdo ditë me njerëz të sëmurë që drejtohen drejt klinikës. Ështe kjo e drejtë?! Absolutisht jo!! Por këta zotërinj të nderuar, duke qenë intelektualë, duhet ta dinë shumë mirë që Bashkia nuk ka asnjë lloj kompetence në këtë drejtim. Absolutisht asnjë. Nisur pikërisht nga shqetësimet e drejta të banorëve, Bashkia e Tiranës krijoi që në vitin 2003 një strukturë të posaçme (Sektorin e Dhënies së Lejeve të Ushtrimit të Aktivitetit), strukturë e cila krijoi një projekt të plotë mbi atë se si duhet të shtrihej rrjeti i biznesit, rregullat për të, kufizimet, duke lobuar fuqishëm dhe me strukturat qendrore të asaj kohe, duke arritur më në fund miratimin e këtij Akti (për herë të parë si koncept) në Ligjin e Procedurave Tatimore në fund të vitit 2004, duke lënë në atë kohe si detyrë Këshillit të Ministrave nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse për regjistrimin e një biznesi të tillë. Por çfarë ndodhi? Çuditërisht, gjithë ajo punë e bërë, gjithë ato studime, bashkëpunime me ekspertë të huaj, u hodhën poshtë me miratimin e radhës së ndryshimeve të Ligjit të Procedurave Tatimore, në fund të vitit 2005, ku i vetmi paragraf me shpresë për zgjidhjen e këtij problemi u fshi.
Një tjetër çështje ishte pikërisht ajo e kompetencave të Njësive Bashkiake. U diskutua shumë lidhur me kompetencat e Njësive Bashkiake dhe raportet me Bashkinë e Madhe. U tha aty që Njesite Bashkiake nuk kanë asnjë lloj kompetence, por vetëm shpërndajnë certifikata dhe japin ndihmën ekonomike. Më erdhi shumë keq me thënë të drejtën që këta zotërinj të nderuar nuk kanë informacion që Njesite Bashkiake kanë më shumë se kaq, por ndoshta në këtë mungesë informacioni ka ndikuar drejtpersedrejti performanca e ketyre Njesive. Njesite Bashkiake jane pergjegjese per mbledhjen e arkëtimeve të Taksave dhe Tarifave Vendore per kategorine e qytetareve (Taksa e Nderteses, Tarifa e Pastrimit, Taksa e Gjelbert deri ne vitin 2010), jane pergjegjes per Tregjet Publike ne çdo aspekt duke administruar totalisht Tarifen e Tregut, janë pergjegjes per gjelberimin e lagjeve (ne 2007 eshte bere transferimi i punonjesve perkates, mjeteve te nevojshme per kalimin e ketij funksioni), jane pergjegjes per administrimin e librarive…Jane pergjegjes dhe për administrimin e shpenzimeve për cdo kopesht a shkollë brenda kufijve territorialë të tyre.
Të gjitha këto refleksione doja ti ndaja me Ju me qëllimin e vetëm, se realisht do më pelqente të degjoja politikanët e vendit tim, gazetarët e vendit tim, intelektualët e vendit tim të flisnin bazuar në argumente, fakte, dokumente, dhe jo ne eter.
ikonomib@yahoo.com