Tirana i kthehet normalitetit, dyqanet vijojnë pushimin
Edhe pse rrugët e Tiranës i janë rikthyer normalitetit të zhurmshëm të qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve, tjetër situatë paraqitet nëpër tregjet e kryeqytetit. Një pjesë e mirë e tregjeve ushqimorë të kryeqytetit vijojnë të jenë mbyllur në datën 2 janar ndërsa normalitetit i janë rikthyer kryesisht dyqanet e ndodhura në brendësi të lagjeve apo pallateve. Dyqanet e produkteve industriale vijojnë të qëndrojnë të mbyllur, ndërsa aty këtu shikon ndonjë hapur i cili nuk vizotohet thuajse nga asnjë blerës. Një pamje gjumi dhe qetësie të jep një nga tregjet më të mëdhenj të fruta-perimeve në kryeqytet, tregu pranë ish uzninës Dinamo. Një nga tregjet më të frekuentuara nga blerësit nuk e ka nisur ende aktivitetin në 2 janar ndërsa tregu tek sheshi Avni Rustemi vijon një aktivitet të pjesshëm ku pjesa më e madhe e tregëtarëve nuk i kanë hapur produktet e tyre nëpër stenda. Situatë po e njëjtë paraqitet në pjesën më të madhe të vendeve të tregtimit me shumicë të produkteve ushqimore në Tiranë ku përpos rikthimit të zhurmës nëpër rrugë, tregjet nuk i janë rikthyer normalitetit. Panorama që të ofrojnë vendet e tregtimit janë stenda të boshatisura dhe qepena dyqanesh të mbyllura. Ndërkohë përtej qetësisë që të ofrojnë tregjet, rrugët e Tiranës kanë rifilluar popullimin normal. Lëvizjet e qytetarëve janë rikthyer me ritmin e parafestës së vitit të ri. Tashmë qarkullimi nëpër rrugët e kryeqytetit po rikthhet me stresin e zakonshëm të një trafiku të rënduar.