Tirana, kampione për të dytin vit radhazi në volejboll për femra
Tirana është kurorëzuar si skuadra më e mirë në Shqipëri në volejboll për femra. Në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, skuadra e drejtuar nga trajneri Hasan Gurabardhi ka mposhtur UMB-në në finalen e dytë, duke marrë titullin e dytë radhazi. “U shpërblyem për punën tonë dhe për faktin që kemi luajtur në mënyrë mjaft të organizuar”, deklaroi Gurabardhi. “Gjatë këtij sezonit kemi qenë skuadra më e fortë në volejboll për femra dhe fituam me meritë. Tashmë do të fillojmë menjëherë përgatitjet për kupat e Europës, ku kontingjenti do të përforcohet me afrimin e Hysenbellit nga Italia dhe Nezajt nga Amerika”. Ndeshja e zhvilluar gjatë pasdites së djeshme ka përfunduar me rezultatin 3-1 për vajzat bardheblu. Takimi ka nisur mjaft mirë për UMB-në, që fiton setin e parë falë pikëve shtesë, me shifrat 26-24. Por, Tirana përmbysi gjithçka, duke fituar 25-23 setin e dytë, 25-21 setin e tretë dhe me pikë shtesë 26-24 setin e katërt të lojës.
#