E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ndryshime kushtetuese? Kushtetuta ka nevojë të zbatohet

TIRANË- Pa kaluar as 24 orë nga deklarata e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, se në këtë parti po punohet për një paketë ndryshimesh kushtetuese, Kryeministri Sali Berisha ka theksuar se vendi ka nevojë për zbatimin e kësaj Kushtetute. Në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës, Ura e Farkës- Fshati “Mustafa Kocaj”, Berisha përcolli gjatë fjalës së tij, edhe një mesazh për opozitën. “Procesi i integrimit, liria e qytetarëve, zhvillimi i vendit ka një kusht mbi të gjitha kushtet dhe ky kusht është zbatimi i ligjit, ky kusht është të gjithë të barabartë para ligjit. Atyre që bërtasin të ndryshojmë Kushtetutën, sa herë ju lëviz karrigia, atyre do tu them këtu sot, se ky vend ka nevojë të zbatojë Kushtetutën, të zbatojë ligjet dhe se ju që doni të ndryshoni drejtimin e orës, duhet të ndryshoni velat, se drejtimi i orës nuk ndryshon”, - tha dje Berisha. Dy ditë më parë, në një intervistë për “TCH”, kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se opozita kishte gabuar me ndryshimet kushtetuese të ndërmarra në muajin prill të vitit 2008. Në përgjigjet e tij, Rama paralajmëroi se, në PS, në bashkëpunim me disa konstitucionalistë, po punohet për një paketë ndryshimesh kushtetuese. “Ne kemi planifikuar ta bëjmë jo thjesht me njëri- tjetrin, por me një grup të konsiderueshëm konstitucianalistësh dhe ekspertësh, që do t’i dëgjojmë me shumë vëmendje dhe gatishmëri, për të pranuar edhe gabimin (për ndryshimet kushtetuese) që në rastin konkret mund të konstatohet si i tillë. Por thënë kjo, mbetet për t’u parë ajo që vjen më pas... Sepse ne na duhet që të shkojmë përpara, jo më me një tjetër fazë të stërzgjatur, me thirrjet e zakonshme të radhës për dialog, por me një plan konkret të qartë, të mirëpërcaktuar”, - tha Rama dy ditë më parë. Por, paralajmërimi i Ramës dhe disa zyrtarëve të tjerë të PS-së për ndryshime kushtetuese ka sjellë reagimin e dy partive kryesore në mazhorancë, PD dhe LSI, të cilat në unison kanë përcjellë mesazhin se Kushtetuta ka nevojë për tu zbatuar dhe jo për tu ndryshuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›