E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana kryeqendër e investimeve, Spiropali: Ngjarje që bashkon vendet e Ballkanit Perëndimor, vendimmarrës nga BE-ja dhe investitorë nga e gjithë bota

Tirana do të rikthehet sërish në qendër të diplomacisë rajonale dhe evropiane. Më 13 dhe 14 tetor 2025, në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohet Forumi i Investimeve BE – Ballkani Perëndimor, një ngjarje strategjike që do të bashkojë vendet e rajonit me vendimmarrës nga Bashkimi Evropian dhe investitorë të shumtë nga e gjithë bota.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale theksoi rëndësinë e këtij organizimi.

“Një tjetër hap i rëndësishëm për ndërlidhjen, investimet, forcimin e bashkëpunimit dhe një të ardhme më të qëndrueshme në rajon,” shkruan Spiropali.

Qëllimi strategjik integrimi ekonomik

Forumi, i cili mbështetet nga Komisioni Evropian, synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të rrisë mundësitë e investimit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe shteteve anëtare të BE-së.

Zhvillimi i tij në Tiranë shihet si një moment strategjik në integrimin ekonomik të rajonit me Bashkimin Evropian. Ai pritet të ofrojë një platformë për të tërhequr investimet e huaja direkte, për të nxitur inovacionin dhe për të përshpejtuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Për të përballuar shpenzimet e këtij organizimi të rëndësishëm, Këshilli i Ministrave miratoi edhe një vendim për një shtesë fondi prej 31,753,000 lekësh.

Ky fond i shtohet buxhetit të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për të mbuluar kostot e Forumit të Investimeve, duke konfirmuar angazhimin e qeverisë shqiptare në pritjen e këtij aktiviteti të nivelit të lartë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›