Tirana-kryeqytet, zbulohet qarkorja e Ahmet Zogut

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës duke hyrë në Tiranë më 11 shkurt 1920
Si sot 92 vjet më parë u shpall Tirana kryeqytet dhe ky vendim do të hynte në fuqi menjëherë, kur qeveria e zgjedhur në Kongresin e Lushnjës do të vinte këmbë në qytet, më 11 shkurt. Edhe pse Kongresi u zhvillua në Lushnjë, vendimet e tij do të kishin jehonë më të madhe në kryeqytetin e porsazgjedhur, i cili priti qeveritarët e rinj. Ti bahet me dijt popullit atjeshëm se kabineti ri i zgjedhun nga mbledhja Kombtare e Lushnjes, më 11. të k. muajit mrriti në Tiranë e filloji nga puna. Tirana u shënua për kryeqytet. Kështu shkruante në një qarkore drejtuar të gjitha prefekturave të Shqipërisë, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Ahmet Zogu. Shefi i sektorit të protokollit dhe ceremonialit pranë Bashkisë së Tiranës, Valter Gjoni, na vë në dispozicion një sërë dokumentesh, mes të cilave qarkore apo fotografi, që tregojnë se si u vunë në jetë, pikërisht në Tiranë, vendimet e Kongresit të Lushnjës. Kongresi i Lushnjes u ndie më së shumti në Tiranë, ku ruhet më së miri elementi historik. Kemi godinën e Regjencës (Këshilli i Naltë), sot Akademia e Shkencave, kemi disa pllaka përkujtimore, për godinën e qeverisë, pastaj më vonë të Bashkisë, ndërkohë që është kryetari i bashkisë së Tiranës, Ismail Efendi Ndroqi, që e priti dhe e sistemoi qeverinë që doli nga ky kongres. Ishte Bashkia e Tiranës që mbështeti të gjitha veprimet patriotike të Kongresit të Lushnjës, thotë Gjoni. Pikërisht ky moment, ai i hyrjes së qeverisë së zgjedhur në Lushnjë, është fiksuar në një fotografi, e cila na vjen e dëmtuar nga koha, por ku mund të shquhen disa prej protagonistëve të saj. Janë kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili do të mbesë në histori si kryetari i parë i kryeqytetit të ri, Ismail Efendi Ndroqi, por edhe Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Ahmet Zogu, Eshref Frashëri dhe Mytesim Këlliçi. Në arkivin e Bashkisë, por edhe në të tjerë arkiva, gjenden dokumente shumë interesante në lidhje me këtë. Një ndër to është procesverbali i Kongresit të Lushnjës, thotë Valter Gjoni. Në këto procesverbale mësojmë për zhvillimin e kësaj ngjarjeje. Duket se protokollarët e asaj kohe ishin shumë të kujdesshëm për të mbajtur mirë të dhënat, datat, orët, pjesëmarrësit. Edhe mënyra se si quheshin deklaratat apo udhëzimet asokohe. Gjejmë termat zëdhënie e qarkore, ndërsa për seancat plenare përdorej termi çelje. Dhe jo vetëm për dëshmitë historike që mbartin, por edhe nga mënyrat e formulimit, ato do të ngjallnin mjaft kërshërinë e publikut. Të gjitha këto i japin një shtysë të mëtejshme idesë për ngritjen e një hapësire për ekspozimin e kësaj historie të vendit. Po shkojmë gradualisht në 100- vjetorin e Tiranës kryeqytet dhe është e domosdoshme që kjo ngjarje e përjetësuar edhe në emrat që mbajnë rrugët e kryeqytetit, të ketë hapësirën e vet, qoftë në muzeun që Bashkia ka kohë që po mendon ta ngrejë apo si një muze më vete, thotë Gjoni.
DOKUMENTET
Në këtë 92-vjetor të Kongresit të Lushnjës, por edhe të shpalljes së Tiranës kryeqytet, studiuesi Valter Gjoni na ofron një sërë dokumentesh interesante, të cilat pak ose aspak janë publikuar. Por edhe një informacion të shkurtër se cilët ishin katër burrat që përbënë Këshillin e Naltë apo Regjencën, që kishte pushtetin e kryetarit të shtetit. Bëhet fjalë për Aqif Pashë Elbasanin, Imzot Luigj Bumçin, Abdi Toptanin dhe Mihal Turtullin, emrat e të cilëve i mban edhe nga një rrugë e Tiranës. Por ato që përbëjnë më shumë kuriozitet, janë dokumentet. Krahas qarkores që ministri i asaj kohe, Ahmet Zogu, u dërgon prefekturave për shpalljen e Tiranë Kryeqytet, kemi edhe disa faqe nga procesverbali i Kongresit të Lushnjës. Ndër të tjera në këtë procesverbal janë shënuar edhe formulat e betimit të delegatëve të Kongresit, por edhe të Këshillit të Naltë. Asokohe shqiptarët betoheshin para Perëndisë, por edhe mbi besën e shqiptarit. Interesante është fjala që Regjenca ka mbajtur në Parlamentin shqiptar, ku në emër të saj Eshref bej Frashëri shpreson që të ketë një fqinjëri të mirë me Jugosllavinë e Greqinë, se Italia do të njohë vullnetin e shqiptarëve e do të ndryshojë politikën ndaj saj, se Ingliterra e Franca do të vazhdojnë të mbështesin interesat e popujve të vegjël… Një lumë falënderimesh vjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidentin Wilson për rolin që kanë luajtur në indipendencën e Shqipërisë. Një tjetër dokument na bën me dije vështirësitë e mëdha me të cilat u përball qeveria e re shqiptare. Aq sa u detyrua të merrte një hua të brendshme nëpër qarqet e vendit dhe, siç na dëshmon, ky dokument i quajtur Zëdhënie, Gjirokastra, Shkodra e Korça ndihmuan qeverinë e re me nga 1 mijë apo 2 mijë lireta, të cilat do të ktheheshin me përqindje.
QARKORE MINISTRISE SE BRENDSHME
Ti bahet me dijt popullit atjeshëm se kabineti ri i zgjedhun nga mbledhja Kombtare e Lushnjes, më 11. të Muajit mrriti në Tiranë e filloji nga puna. Tirana u shënua për kryeqytet. Për dorëzimin e aktevet në Durrës masat e nevojshme janë marrë. Jeni të porositun qarkoret e lidhuna sa ma shpejt të ndahen në nënprefekturat e katundarit të qarkut tuaj. Tiranë më 13. II. 920 Ministri i P. Brendshme, Ahmet Zogu
BETIMI I DELEGATËVE
Në procesverbalin e Kongresit të Lushnjës, ndër të tjera gjejmë dhe formulën e betimit të delegatëve: Mbledhja kombtare jep fjalën e nderit e besën e shqiptarit duke u betuar në emën të perëndis se deri sa Këshilla e Naltë vepron mbas ligjet të Shtetit tue ruejtun indipendencën e plotë të Shqipnis me mish e me shpirt, do të jetë mprojtës e përkrahës i gjithhershëm i kësaj Këshille.
BETIMI I KËSHILLIT TË NALTË
Pas betimit të delegatëve, është radhë e regjentëve të betohen para Perëndisë: Betohem nemër të Perëndis, tue dhanë besën Shqiptare e fjalën e nderit para mbledhjes së Kombit se do shërbej popullit dhe Shtetit Shqiptar drejtësisht, do të mbrojë ligjet dhe indipendencën e plotë tAtdheut Shejt.
Kreu i parë i kryeqytetit

Myderiz Ismail Efendi Ndroqi
Lindi në vitin 1876, në Tiranë. Mësimet fillestare i ndoqi në Tiranë në shkollën Ruzhdie, ndërsa studimet e larta në Stamboll, studioi për teologji nga viti 1893-1908. Gjatë kësaj kohe u bë një veprimtar në Lëvizjen Kombëtare, duke u shoqëruar me atdhetarët Ismail Qemali, vëllezërit Frashëri etj. Ismail Efendi Ndroqi ishte ndër udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare në Tiranë. Gjatë viteve 1914-1915, u burgos me shumë atdhetarë të tjerë nga forcat e Haxhi Qamilit. Në vitin 1917 u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku shërbeu me ndershmëri deri më 1922-shin. Ka qenë një nga nismëtarët kryesorë në organizimin e Kongresit të Lushnjës. Dhe ishte pikërisht ai që priti, me shumë luftëtarë të tjerë, në Qafë-Kashar, qeverinë e Lushnjës, duke hyrë në Tiranë në krye të saj, përmes ushtarëve italianë që përpiqeshin ta pengonin. Pas 92 vjetësh, Tirana mbeti kryeqytet dhe kleriku Imail Efendi Ndroqi ka hyrë në histori si kryetar i parë i kryeqytetit Tiranë dhe si kryetari që i hapi dyert qeverisë së Kongresit të Lushnjës.