Zonja Presidente
Për Jozefina Topallin, posti i numrit një të shtetit nuk është aq i dëshiruar apo i synuar sa mund të mendojmë ne të gjithë. Posti i presidentit të republikës i konceptuar kështu si është sot të paktën nga korniza ligjore, përveç nderimit hierarkik, përbën një lloj pensioni apo konvaleshence të karrierës, të cilin gruaja e përplasjeve të ashpra nuk ka përse ta dëshirojë. E mësuar me luftëra të forta politike dhe vendime të vështira, e mësuar me vështrimin e drejtpërdrejtë të kundërshtarit mbi vete dhe konfliktet verbale, e stërvitur për vite me radhë në zemër të arenës si një gladiator, roli i mbretit që bën sehir betejën, edhe pse i nderuar, nuk buron adrenalinë. Jozefina Topalli është në kulm të maturimit dhe konsolidimit të karrierës dhe pavarësisht polemikave që shpesh hap, jemi apo s’jemi dakord me të, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, ajo është gruaja politikisht më e fuqishme në vend sot por dhe historinë e politikës shqiptare para e pas ‘90. Pikërisht tani, kur fuqitë e saj politike brenda e jashtë partisë janë në ditët më të mira, propozimin për tu bërë president i republikës jam e sigurt Ajo shpreson të mos ia bëjnë të paktën edhe për një dhjetëvjeçar. Kohë në të cilën ajo mund të “dëfrejë” ende duke u ndeshur në arenë, herë duke fituar e herë duke humbur por duke jetuar atë për të cilën stërvitet prej vitesh. Por, Jozefina Topalli nuk ka asnjë mundësi të zgjedhë sepse ajo është e vetmja kandidate që përmbush pritshmëritë e forcës së saj politike. Dy janë arsyet se përse Ajo është e vetmja kandidate. 1. Jozefina Topalli ka sot profilin më të lartë politik në PD pas kryetarit të partisë. 2. Jozefina Topalli gëzon besimin absolut të kryeministrit. Kjo simbiozë elementesh e bën kandidaturën e saj të pakundërshtueshme. Pasi u zhgënjye me zgjedhjen e një gjenerali larg partishmërive por me kredenciale jetësore, kur shtrëngoi duart në të parin vendim konsensual me ish-kryeministrin Nano, pasi u zhgënjye edhe nga djali plangprishës Topi, kryeministri Berisha nuk ka asnjë mundësi veçse të zgjedhë gladiatorin më të mirë që ka stërvitur po ai, për një betejë për atë vetë shumë të rëndësishme, siç janë zgjedhjet e 2013. Të fituar apo jo në këto zgjedhje, gruaja e fortë e PD është garancia e një pike mbështetjeje shumë të fuqishme për kryeministrin të cilën ai nuk pranon më ta negociojë për asnjë çmim qoftë edhe për t’i larë një borxh të vjetër ish-armikut të tij politik Nano, borxhin e katër viteve burg. Pushteti që buron prej postit të presidentit, në mënyrë të veçantë mbi sistemin e drejtësisë është një vektor prej të cilit kryeministri nuk do të heqë dorë. Me ndryshimet kushtetuese të realizuara me konsensus të gjerë të cilat në mënyrë të paekuivoke ia lanë mazhorancave të drejtën për të zgjedhur presidentët asgjë nuk i pengon figurat e forta politike të ushtrojnë pushtetin e tyre edhe në pikën më të lartë të piramidës shtetërore. Dhe ky është rasti i Jozefina Topallit. Dhe jo detyrimisht minoranca duhet të jetë dakord. Përkundrazi, thirrjet për zgjedhjen e një figure me konsensus nga opozita dhe ndërkombëtarët janë krejtësisht jashtë kohe. Ky konsensus është hartuar dhe ratifikuar me një supermazhorancë prej 117 votash jo shumë kohë më parë kur Sali Berisha dhe Edi Rama firmosën të parin dhe të vetmin pakt politik mes tyre. Askush nuk duhet të ketë më dyshim se presidenti është i mazhorancës kushdoqoftë ajo. E vetmja gjë që ngelet për të parë është se si kryetarja aktuale e parlamentit do te veshë kostumin e kryetarit të shtetit. Edhe këtu ajo është e para që thyen një tabu. Të mësuar në imagjinatën kolektive me një burrë mundësisht me thinja si “baba të kombit” , Jozefina Topalli do të thyejë këtë deja` vu duke na vënë përballë një grua, me fizikun e një 30-vjeçareje dhe energjitë e një rishtareje në vend të plakut thinjosh në fund të karrierës që nuk ka sjellë asgjë të re në performancën e institucionit më të lartë të shtetit. Gjë që nuk e bëri as presidenti aktual, i cili edhe pse pa thinja, pikërisht në momentin kur vendi kish më shumë nevojë për të, plot një vit më parë në 21 Janar, u fsheh nën justifikimin më të pakuptimtë të mungesës së kompetencave? A nuk i ka kompetencat një president të thotë të vërtetën, të luftojë korrupsionin, të flasë me popullin e tij , t’i përfaqësojë e të identifikohet me ta? Një grua si presidente është sot një arsye për të pasur pritshmëri të reja. Në të gjithë karrierën e saj në politikë Jozefina Topalli nuk është përfolur për ryshfete. Ky fakt bashkë me besimin se një nënë s’do të merrte kurrë para për të emëruar një gjyqtar që do lironte kriminelë për të kërcënuar më pas bij nënash të tjera më bën të bastoj se presidenca e një nëne i duhet Shqipërisë. Ashtu siç i duhet vetëm përkushtimi prej gruaje që mban bashkë një familje për të nxitur unitetin kombëtar, ashtu siç i duhet vokacioni i një besimtareje që nuk e braktisi kurrë besimin as kur regjimi e trajtoi çnjerëzisht atë dhe njerëzit që përfaqëson. E pikërisht një kryetar shteti që vjen me historinë e ish-të përndjekurve me vete mund të jetë një hap i parë drejt rrugës së gjatë të larjes së borxhit moral me këtë dhimbje të shoqërisë. Do të vazhdoja shumë gjatë me shumë elementë të tjerë që e bëjnë figurën e Jozefina Topallit përfaqësuese. Marketingu ndërkombëtar që ajo do transportojë nga parlamenti në presidencë, qetësimi i preokupimit ambasadorial shprehur mes letrash të hapura për pozitën e gruas në politikë etj etj. Unë besoj në presidencën e saj. Unë besoj tek ju Zonja Presidente.