E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana mposht Vorën me poker golash, siguron tri pikët e para në Superiore

TIRANË, 6 shtator/ATSH-A.Fortuzi/ Tirana ka fituar sot me rezultatin 4-0 ndaj Vorës, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, e vlefshme për javën e tretë të “Abissnet Superiores”.

Bardheblutë siguruan kështu tri pikët e para në kampionat, pas një nisjeje jo të mirë të sezonit, me dy humbje përballë Egnatias dhe Teutës në transfertë.

Në ndeshjen e parë të sezonit të luajtur në shtëpi, skuadra më e titulluar në vend arriti një fitore bindëse ndaj Vorës. Miqtë vinin në këtë sfidë pas një fitoreje në transfertë ndaj Dinamo City në javën e parë dhe një humbjeje në shtëpi përballë Egnatias.

Sfida e zhvilluar në orarin e drekës shfaqi një Tiranë bindëse, e cila dominoi gjatë gjithë takimit dhe nuk u dha shumë hapësira miqve.

Serinë e golave e hapi Tomislav Kiš në minutën e 14-të, ndërsa Redon Xhixha dyfishoi shifrat në minutën e 36-të, pas një kundërsulmi të shpejtë të bardhebluve.

Në pjesën e dytë, Drilon Hazrollaj vulosi fitoren e Tiranës, duke shënuar dy herë, në minutat 51 dhe 81, për rezultatin përfundimtar 4-0.

Me këtë fitore, Tirana ngjitet momentalisht në vendin e gjashtë të renditjes me 3 pikë, po aq sa edhe Vora. Kampionati kryesohet nga Egnatia, e vetmja me tri fitore në tri ndeshje dhe ndiqet nga Teuta me 7-pikë. Në vend të fundit klasifikohet Skënderbeu, me vetëm 1 pikë.

Java e tretë e “Abissnet Superiores” mbyllet në mbrëmje me sfidën Dinamo City-Elbasani.

Rezultatet e javës së tretë:

Klasifikimi:

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›