Tirana në festë u ngjan kryetarëve
Institucionet dhe punët marrin hijen e të Zotit. Në to pasqyrohen vlerat që përfaqëson titullari. Në epokën “Rama”, në kryeqytet nuk ngrihej as flamuri, vidheshin fondet e festave, shkatërrohej sheshi qendror, trafiku shkonte në kolaps dhe nuk shpërndahej as ndihma ekonomike. Pamja e sotme e festave është krejt tjetër. Atmosfera ndihet kudo, si një pasaportë që flet për një optimizëm që e pret kryeqytetin në 2013-n
Vigjilja e festave të fund vitit e gjen të ndriçuar kryeqytetin e shqiptarëve si një shtëpi e madhe në festë. Tirana është këtë fundvit është “qyteti i dritës”, pasi janë 3.3 milionë drita që përbëjnë dekorin festiv. I gjithë ky dekor, i vendosur në disa rrugë të ndryshme të Tiranës ka sjellë në kryeqytetin shqiptar një atmosferë feste.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha është investuar personalisht në krijimin e një klime mjaft të këndshme për qytetin e madh, që menaxhon prej një viti e gjysmë.
Këtë vit si kurrë më parë festimet kanë filluan me ndezjen e dritave të pemës, secila përmban 640 dekorime dhe gjithashtu ka 25 200 drita. Më tej, dekori shpalosen me bulevardet dhe rrugët kryesore të qytetit. Si asnjëherë më parë, Bashkia këtë vit ka dekoruar edhe shumë rrugë, që nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, te “Zogu i Parë”, rruga e “Kavajës”, rruga e “Durrësit,” rruga e “Elbasanit”, rruga e “Dibrës”.
Në planveprimin e Bashkisë Tiranë për festat e fundit vitit janë parashikuar edhe mjaft aktivitete të tjera, të cilat do të zhvillohen, në sheshin “Skënderbej”, në rrugën “Murat Toptani” por edhe ambiente të tjera të kryeqytetit, si qendra “Ten”, Teatri i Metropolit etj.
Ndërkaq, më datë 24, në mbrëmje e deri ne orët e para të datës 25 do të ketë aktivitet te Pedonalja, një festë për të rinjtë. Më tej, më datë 25, përpara pemës do të ketë aktivitete për fëmijë, ansambli dhe koncert me muzikë klasike, krishtlindjesh. Aktivitetet do të variojnë për të gjithë grup-moshat dhe për çdo shije.
Kuptohet vetiu, që Tirana në festë u ngjan qytetarëve të saj të parë. Çdo kryetar bashkie ka një vizion për qytetin që menaxhon, sidomos në festa. Lulzim Basha, si kryetar i Bashkisë Tiranë meriton një falënderim të veçantë për kalimin e “provës” së festës së 100 vjetorit të Pavarësisë, ku në kryeqytet u dyndën miliona shqiptarë festues. Një festë që u menaxhua në gjithë kompleksitetin e saj, në qindra aktivitete të ndryshme dhe me një organizim civil të koordinuar në detaje.
Megjithatë, merita më e madhe e Kryebashkiakut Basha është largimi i shijes së hidhur që pati krijuar paraardhësi i tij, Edi Rama, që përgjatë administrimit 11 vjeçar të Bashkisë Tiranë, në fakt, festat ishin si “ditë zie”.
Janë të pashlyeshme imazhet e kryeqytetit pa dekor, pa drita, pa kolorit festiv kur qeveriste bashkinë më të madhe të vendit, Edi Rama. Rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës nuk kishin as edhe një lloj shenje se kryeqyteti kishte festë. Asnjë flamur, asnjë banderolë me urimin “Gëzuar festat” “Gëzuar Krishtlindjet”, “Gëzuar Vitin e Ri”, ... Kjo përbuzje, kryeqytetasve u behej për vite me radhë. Edi Rama neglizhonte totalisht edhe festën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Për kujtesë, dy vite më parë në prag të 98 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe 66-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit, nuk gjeje as edhe një shenjë feste në Tiranë. Asnjë flamur, asnjë banderole, asnjë shenjë tjetër. I vetmi dekor i Tiranës së qeverisur prej Ramës ishin gërmadhat e qendrës, ky sheshi Skënderbej ishte “bark hapur”, trafiku ishte në një kolaps, dhe nuk shpërndahej as ndihma ekonomike.
Ishte fare e qartë se ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama nuk dëshironte që të kishte asnjë feste të denjë për kryeqytetasit, përveç festave të reja që sajon bashkia, si 16 shtatori i Pezës apo “Nata e bardhë” me 29 nëntor.
Pamja e sotme e festave është krejt tjetër.
Në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë kryeqyteti veshi petkat më të bukura, më të pastra, më hijerënda që krenon një komb. Ndërsa këto ditë fund viti kryeqyteti i Shqipërisë është ndriçuar duke nxjerrë në pah një Tiranë krejt tjetër, një kryeqytet që i jep statusin e dinjitetit çdo qytetari.