Kundër A. Zogut I, me manipulim të ditarëve të Çianos!
Nesër (sot) përurohet statuja e mbretit A. Zogut I, në bulevardin që mban emrin e tij. Kur ky bulevard e zëvendësoi emrin e Stalinit me atë të mbretit Zog I, disa nga “historianët” e zënë peng nga idiolatria enveriste, tundën opinionin publik për këtë emërtim, të urryer nga ati shpirtëror, stalinisti E.H.-a. Tani, me rastin e festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, me që ishte projektuar një statujë për shtetarin që vuri themelet e një shteti ligjor, u bënë katërsh për të njollosur figurën e mbretit shqiptar, që kishte luftuar kundër shovinistëve veriorë, që në moshën 17-vjeçare. Pastaj, gjetën edhe një “kazus” për të përligjur alergjisë e trashëguar ndaj mbretit, më anën e një taktike të dalë boje, sipas stilit të kryetarit të opozitës së sotme, Edi Ramës: Më jep – të të jap! Kjo ka kuptimin e allishverishit ose, më butësisht, të një pazari. Konkretisht: Nëse i bëhet statujë mbretit, t’i bëhet edhe Enver Hoxhës!
Bënë sikur harruan që stalinistit shqiptar, terroristit Enver Hoxha, uragani popullor ia rrëzoi statujën e kohës së kultit të individit dhe e hoqi zvarrë nëpër rrugët e Tiranës. Një makinë e rëndë, me një kavo të fuqishme me fije çeliku, e zvarriti këtë shtatore të copëtuar, së pari, nga përplasja në truallin përpara TOB-it (Teatrit të Operës e Baletit), nën britmat gazmore, që nuk u thyen dot nga qentë e kufirit, nga tanket e shtangura përkundër këtij rrebeshi të papërmbajtur dhe nga policët e Ramizit. U paralizuan disa orvatje të mëvonshme enveristësh për të rivënë në piedestalin bosh, një statujë tjetër. U shndërrua në grotesk edhe ai donkishotizmi i njëfarë bletërritësi me emrin N. Hoti, që do t’ia ndërtonte sërish, prej floriri! Ndonëse kjo ishte sa për t’u mbajtur me gajret, R. Alia e sajdisi këtë injorant, duke e bërë kryetar të një partie me emrin ekologjike, paçka se kryetari i saj nuk e dinte kuptimin e ekologjisë!
Tani, këta enveristë “historianë”, na dashkan të bëjnë një “ujdí” kompromisi (i thënçin!), që të vënë sërish statujën e një tirani, meqenëse po ngulmohet që të vihet statuja e mbretit Zog I. Njëri prej këtyre historianëve-partiakë antizogistë, kur u bë deti kos për lloj-lloj prapështirash pas asaj katrahurës së ’97-s, e vuri brenda institucionit të tij në të cilin ishte titullar, duke i shpërfillur ish-të përndjekurit politikë me protestat e tyre të përditshme, derisa ia pruri trutë në vend Doris Paku, në emër të komunitetit europian. Komunistët nuk heqin dorë nga idhujt e tyre të rremë, nga Stalini ose nga Enveri – është e njëjta gjë!
Tani prej kohësh kanë ngritur flamurin e Galeaco Çianos, që u ekzekutua me plotonin e ekzekutimit prapa krahësh, si aventurier. Merre me mend kur nuk e shpëtuan dot nga ky turp as i vjehrri, Musolini, as e shoqja e konti Çianos, Eda Musolini! Që Galeaco Çiano ishte antishqiptar dhe kundër Zogut, mjafton të lexohet libri i Aleksandër Lesonës, në të cilin argumentohet se Zogu, si shtetar ishte irredentist, kundër shteteve veriorë e jugorë, (diametralisht i kundërt me Enver Hoxhën, që u bë vasal i Titos dhe i emisarëve të tij në vendin tonë). Lesona ishte, në të vërtetë, diplomati i parë italian, i traktativave (1926) me Zogun, ndërsa Çiano u fut në vallen antishqiptare tepër vonë, kur mundohej të ndikonte te vjehrri i tij, që Shqipëria të shndërrohej në një protektorat italian. Duket se atyre që u ka ngecur ora të ditarët e Çianos, nuk e kanë lexuar fare Lesonën, për të vënë ré qëndrimin patriotik të Presidentit shqiptar të atëhershëm. Por, megjithëse e shndërruan në një lajtmotiv Çianon, le të shohim sesi e kanë shtrembëruar edhe atë, si falsifikatorë të paskrupullt që janë.
Më 1 nëntor 1937 Çiano i bënte petullat me ujë, në euforinë e tij aventureske: “Aluzioni im për Jugosllavinë ishte evident: serbët në Selanik, ne në Tiranë e në Korfuz”. Badoljo ishte kundër kësaj strategjie proserbe (iu ofrohej Selaniku) dhe kundërshqiptare (Forcat italiane në Tiranë (lexo: Pushtim i Shqipërisë) e në Korfuz, në kuptimin e mësymjes kundër Greqisë. Për nëntorin e 1937-s, kjo ishte thjesht një aventurë. Më 30 prill 1938, i thotë Duçes: - “ Ja një kampion i mrekullueshëm bakri nga minierat e Lezhës: Ja fiqtë e Kartagjenës”. Por këta fiq të ngecnin në fyt, sipas Badoljos. Më 27 tetor 1938, Çiano përgatit një komplot kundër Zogut: “Për vrasjen e mbretit duket se do të ngarkohet Koçi pas një kompensimi prej dhjetë milionësh”. Kur Zogu e pranoka vasalitetin italian, përse do të duhej të vritej? Këtë që sapo thamë e kupton edhe vetë komplotisti Ciano. Më 25 nëntor 1938, kemi këtë frazë: “Në ambientet e Oborrit (shqiptar), qëndrimi antiitalian është i theksuar”. Pa e lexuar Çianon endé, ne kemi thënë më parë se donaiolon Çiano e kishte refuzuar për vallëzim, njëra nga princeshat! Më 5 dhjetor 1938, Çiano flet përsëri për atentatin: “Zhdukja e mbretit do të vlejë për shuarjen e çdo qendre rezistence”. Pra, sipas Çianos mbreti nënkuptohet si qendër e rezistencës, nëse kuptohet drejt kjo shprehje. Në vitin 1939: Më 15 janar të këtij viti, citojmë: “Për çështjen shqiptare nuk ia vlen të cenohet miqësia e çmueshme me Beogradin për shkak të Shqipërisë”. Pra, Çiano qenka mik i Zogut, apo i Beogradit? Po në këtë datë përmendet sërish “pranimi i marrjes së Selanikut nga serbët” . Më 16 janar 1939 flitet për një marrëveshje me Stojadinoviçin “për ndarjen e Shqipërisë, si zgjidhja më e mirë”! Më 4 shkurt këto antishqiptarizma në favor të Jugosllavisë shkrihen si një flluskë sapuni: Stojadinoviçi dha diorëheqjen... sidoqoftë kjo më shqetëson”. Më 6 shkurt zbërthehet enigma: Likuidimi i Stojadinoviçit është një grusht shteti i vërtetë nga ana e Regjentit, që donte të mënjanonte diktaturën fashiste në Jugosllavi”. Pra, Çiano projektonte në Jugosllavi, me anë të Stojadinoviçit, një diktaturë fashiste”. Ja përse u shqetësua! Më 14 shkurt: “Të ushqehet ndjenja e kryengritjes kundër Zogut e të turbullohet ambienti”. Kur ata tanët flasin për Zogun se paska rënë nën kthetrat e Musolinit, këtu na del e kundërta. Dhe të mos harrojmë: jemi 25 ditë para pushtimit! 16 shkurt 1939: “Zogu ka urdhëruar mobilizim të përgjithshëm”. Po në këtë datë: “Duçja, i shqetësuar”. 15 mars, tri javë para 7 prillit: “Ose Zogu pranon zbarkimin e trupave italiane e kërkon protektoratin, ose trupat do të zbarkojnë kundër tij”. 24 mars. Tërheqje: “nuk leverdis ultimatumi. Të fillohen negociata”. Më 30 mars: “Duket se Mbreti qenka i vendosur ta refuzojë firmën e një traktati që shkel integritetin e sovranitetit shqiptar”. Do të mjaftonte vetëm kjo frazë, 1 javë para 7 prillit, që falsifikatorët e historisë mos të kenë guximin ta përmendin më Çianon, me të cilin na kanë shpuar timpanin e veshit! Përndryshe do të shpalosim citate të tjera, që edhe me antishqiptarizmin e Çianos nuk mund të cenohet dot integriteti politik i Zogut.
Sa për ikjen e Zogut, le të lexojnë librin e Gunnar Riebsit, “Një princ në bregun e kaltër” (botim i “55-s”). Atje do të kuptojnë se ç’pësoi mbreti i Belgjikës, Leopoldi III, nga mosikja! Duket se P. Majko e ka më të qartë se historianët megalomanë, këtë të vërtetë. Të gjithë monarkët ikën në shenjë proteste. Përse duhej ky përjashtim te ne, kur qëndresa u bë me Abaz Kupin? Meqë s’na besojnë né, le të kundërshtojnë E.H.-n, po mundën, në një artikull të gjatë në ZP, në dy numra të tij, në 23 e 24 shkurt 1943: “Në Më 7 prill 1939 në Durrës luftonte A. Kupi me djemtë e shqipes, të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun, që e bënë armikun të kthehej në Molo me qindra të vrarë”. Bazi i Canes i goditi fashistët pa mëshirë...”. Vetëm një pyetje: Kush e bëri qëndresën? Abaz Kupi, në emër të Zogut, apo komunistët e grupeve?