Tirana, pas 11 javësh sërish në krye Në fund të fazës së dytë do të përcaktohen edhe numrat e ekipeve për fazën e tretë, kështu që mund të ndodhë që në javën e 33-të mund të kemi Tirana-Vllaznia në “Qemal Stafa” e jo Vllaznia-Tirana në “Loro B

Tirana fiton në Kavajë me Besën (1-3), ndërsa Vllanzia bën një gjysmëhapi fals me barazimin 0-0 me Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta” në javën e 20-të të Kategorisë Superiore.
Bardheblutë, falë golave të Xhafës, Agollit e të zakonshmit Memelli (kapiteni Mihani realizoi për Besën), rikthehen në krye të renditjes pas 11 javësh, pikërisht kur duhen edhe dy javë nga mbyllja e fazës së dytë.
Për Memellin ky ishte goli i 13-të në 20 javë kampionat, duke dëshmuar edhe njëherë se trajneri Han ka gabuar me mosthirrjen e tij kundër Maltës. Xhafaj shënoi golin e pestë sezonal, ndërsa Agolli të tretin dhe të dytin rresht.
Vllaznia barazoi 0-0 me Elbasanin në debutimin me bankinën verdheblu të Faruk Sejdinit. Barazimi i pestë sezonal i Vllaznisë, që tashmë ndodhen në vendin e dytë. Në tri ndeshjet e vitit 2009 shkodranët i kanë provuar të tri rezultatet.
Në fund të fazës së dytë do të përcaktohen edhe numrat e ekipeve për fazën e tretë, kështu që mund të ndodhë që në javën e 33-të mund të kemi Tirana-Vllaznia në “Qemal Stafa” e jo Vllaznia-Tirana në “Loro Boriçi”.
Dinamo fitoi ngushtësisht 3-2 me Apoloninë në debutimin e trajnerit Shkëlqim Muça, duke i dhënë fund serisë negative prej dy humbjesh e duke ndërprerë serinë prej katër fitoresh rresht të fierakëve.
Lushnjari i Dinamos, Fatjon Sefa është heroi i ditës, duke shënuar tri gola (dy asistë të Elis Bakajt), ndërkohë që serbët e Apolonisë, Brkic e Haxhibulic hapën dhe mbyllën me golat takimin midis dy ekipeve. Kjo ishte fitorja e dytë sezonale e bluve me Apoloninë (në fazën e parë Dinamo fitoi 2-0) dhe 35-ta në 59 takime historike.
Shkumbini fitoi në shtëpi me rezultatin e ngushtë 1-0 me Partizanin, me një gol të shënuar nga Roland Dervishi në minutën e 42-të, por e mbylli takimin me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të mbrojtësit Erald Turdiu. Për Partizanin kjo humbje ndërpreu serinë prej tri fitoresh ndërkohë që Shkumbini realizoi fitoren e dytë sezonale me të kuqtë dhe tani ndodhet në vendin e katërt me 30 pikë.
Lushnja mori një pikë të çmuar në Durrës me Teutën, në barazimin 1-1 me formacionin durrsak. Portieri Vashaku i Teutës u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 24-t. Topi (51’) realizoi i pari për Lushnjën, ndërsa Vila barazoi në të 74’ për Teutën. Ky ishte barazimi i 27-të historik në 85 ndeshje midis dy ekipeve. Edhe takimi i fazës së parë kishte mbaruar po 1-1.
Bylis e Flamurtari ndanë nga një pikë në barazimin 1-1 në Ballsh. Gentian Muça shënoi për Bylisin, ndërsa Elhan Galica barazoi për Flamurtarin. Edhe takimi i fazës së parë kishte përfunduar në barazim, por pa gola. Një statitistikë është interesante midis dy ekipeve: në 15 ndeshje, 5 fitore për secilin ekip dhe 5 barazime, golat 15-17 për Flamurtarin.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA XX
E diel, 15.02.2009
Dinamo-Apolonia 3-2(1-1)
Sefa 45', 62', 74' / Brkic 7’, Hadjibulic 81'
Shkumbini-Partizani 1-0 (1-0)
Dervishi 42'
K.Kuq Turdiu (Shkumbini)
Teuta-Lushnja 1-1 (0-0)
Vila 74'/ Topi 51'
K.Kuq 24’ Vashaku (Teuta)
Besa-Tirana 1-3 (1-1)
Mihani 44' /Xhafa 29’, Agolli 54', Memelli 75'
Elbasani-Vllaznia 0-0 (0-0)
Bylis-Flamurtari 1-1 (1-0)
12’ Muca/ Galica 70'
RENDITJA
1.Tirana 39
2.Vllaznia 38
3.Dinamo 32
4.Shkumbini 30
5.Besa 29
6.Teuta 25
7.Flamurtari 25
8.Elbasani 24
9.Apolonia 24
10.Partizani 19
11.Lushnja 18
12.Bylis 18
E Diele, 15 Shkurt 2009