E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e kamionistëve grekë shton vuajtjet e klandestinëve shqiptarë

Vëzhgimi Pakësohen lëvizjet në kufirin shqiptaro-grek

Pasojat e grevës së pikave të karburantit dhe autoboteve që ka nisur tri ditë më parë nga sindikatat në Greqi, ka përkeqësuar situatën e sektorit publik dhe privat në vendin fqinj. Por pasojat e saj janë shfaqur edhe në pikat e kalimit kufitar me Shqipërinë. Mungesa e karburantit ka paralizuar të gjithë vendin, pasi më shumë së 2000 shoferë të kamionëve që transportojnë karburant, të përkrahur edhe nga sindikatat e tjera simotra, kanë reaguar ashpër ndaj projektligjit për lirimin e lejeve të punës. Ndikimi i krizës greke është më i dukshëm në pikën doganore të Kakavijës, ku ndonëse personeli i policisë kufitare është shtuar për shkak të pritjes për rritjen e fluksit mbizotëron një qetësi e pazakontë. Doganierët dhe policët e turnit qëndrojnë para sporteleve në pritje të ndonjë kalimtari apo ndonjë autobusi të linjave ndërkombëtare private nga Shqipëria. “Vetëm autobusët e kompanive private shqiptare të linjave ndërkombëtare nuk e kanë ndërprerë lëvizjen e tyre, pasi për të përballuar lëvizjen në rrjetin rrugor përgjatë territorit grek, shoferët i furnizojnë depozitat e tyre me kapacitet maksimal në pikat e shpërndarjes së karburanteve më pranë kufirit në Gjirokastër dhe në Dropull”, thotë doganieri ç.S., për gazetën “Shqip”.

Ndërkaq, sipas përfaqësuesve të policisë kufitare në Kakavijë, mungesa e karburanteve edhe për mjetet e policisë greke, këto ditë nuk ka pasur kthim të emigrantëve klandestinë dhe pa dokumente. Kjo do të thotë disa ditë më shumë burg apo qëndrim në kushte burgu për këta emigrantë. Sikurse deklarojnë të deportuarit nga policia greke, kushtet e mjedisit në pikat e qëndrimit të përkohshëm të emigrantëve shqiptarë të kapur nga policia greke dhe që presin të riatdhesohen janë jashtëzakonisht të papërshtatshme. Në këto mjedise pritjeje mungojnë kushtet minimale të jetesës: uji, ushqimi, kushtet e fjetjes, tualetet, etj. Emigrantëve klandestinë të kapur nga policia greke ndonjëherë u duhet të qëndrojnë në këto kushte deri në një muaj, derisa numri i tyre të plotësojë kapacitetin e plotë të autobusëve që i sjellin ata në kufi për t’i dorëzuar tek autoritetet shqiptare të policisë kufitare. Pritet që sot greva që kundërshton reformat e harmonizuar dhe standardizuara me BE-në, që realizojnë vendosjen e konkurrencës në këtë sektor të ndërpritet dhe të rinisë funksionimi i distributorëve të karburanteve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›