Tirana renditet ne 21 komunitetet me inteligjente te botes

Tirana është përzgjedhur nga forumi Intelligent Community Forum (ICF) si një nga 21 komunitetet inteligjente të botës (smart cities). Tirana është ndër pesë vendet e përzgjedhura nga Europa, ndërsa përkrah saj renditen kryeqytete botërore si Filadelfia, Toronto, Rio de Janeiro, etj. Kryeministri Berisha e ka shpërndarë lajmin përmes Facebook-ut, duke postuar edhe një pjesë nga motivacioni për përzgjedhjen nga ICF.
“Në Tiranë shtrirja e internetit me brez të gjerë po rritet shpejt si rezultat i rritjes së disponueshmërisë së tij dhe çmimeve shumë të ulëta. Qëllimi i vendit është të bëhet “qendër teknologjike” për rajonin dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit po shndërrohet në një sektor kryesor për ekonominë. Qeveria shqiptare ka investuar ndjeshëm në aplikimet e qeverisjes elektronike dhe ka inkurajuar sektorin privat t’i ofroje shërbime dixhitale klientëve”, thuhet ndër të tjera në motivacionin e ICF.
Referuar një vlerësimi të tillë erdhi dhe falënderimi i Kryeministri Berisha, i cili dha mesazhin e tij në rrjtin social “Facebook”.
“Duke falënderuar me mirënjohje të thellë të gjithë ata që bënë të mundur këtë arritje madhore në projektin tonë “Shqipëria dixhitale” unë shpreh besimin tim më të madh se së shpejti, me mendjet dhe imagjinatën tuaj të pakufishme miqtë e mi të rinj, do të bëjmë Shqipërinë superfuqinë e ICT në rajon, ku do krijohen mijëra e mijëra vende pune të reja bazuar në trurin dhe energjitë tuaja”, shkruan Berisha, duke shtuar më tej “Ne jemi ndryshimi. Përpara drejt Shqipërisë dixhitale, Shqipërisë së dijes! Miqësisht sb”, shkruan Berisha.