E Diel, 1 Nëntor 2026

Kastrioti humb ndeshjen në tavolinë, i hiqen dhe 3 pikë

Disiplina Dënimet maksimale: Hodo, i detyruar t’i thotë lamtumirë futbollit

Komisioni i Disiplinës jep ndëshkimet maksimale që përmban rregullorja e FSHF-së në lidhje me dy nga parregullsitë më të përfolura të javës së fundit të kampionatit shqiptar të futbollit. Anëtarët e këtij komisioni, të mbledhur dje në ambientet e FSHF-së, janë analizuar të gjitha reklamimet e aktorëve përkatës të garës, por edhe ankesat e mbërritura nga Sektori i Garave. Java që kaloi ishte e mbushur me mjaft probleme, që kulmuan në Ersekë, në përfundim të ndeshjes Gramozi-Vllaznia 1-1, kur ndihmëstrajneri kolonjar, Altin Hodo, goditi me grushte gjyqtarin anësor Denis Agaraj, por nuk mungoi as braktisja e lojës nga Kastrioti në Vlorë, si shenjë proteste karshi një penalltie, sipas krutanëve e parregullt, dhënë nga Sokol Jareci në minutat shtesë, kur rezultati ishte 1-1. Komisioni i Disiplinës, për të dyja këto raste ka dhënë dënime maksimale. Duke e përjashtuar përjetësisht nga futbolli ndihmëstrajnerin e Gramozit, Hodo, por edhe duke e detyruar skuadrën kolonjare që t’i luajë dy ndeshje në fushë asnjanëse, të planifikuara për në shtëpinë e vet. Zyrtari i klubit të Gramozit u përjashtua përgjithmonë nga futbolli, për grushtin që i dha gjyqtarit anësor në ndeshjen e së shtunës ndaj Vllaznisë. Ndërkohë që vetë klubi kolonjar, për mosmarrje të masave të mjaftueshme të sigurisë organizative, me pasoja ushtrim të dhunës mbi arbitrit, dënohet me pezullimin e fushës për dy ndeshje dhe zhvillimin e tyre në fushë asnjanëse. Për sa i takon Kastriotit, Komisioni i Disiplinës ia ka dhënë fitoren në tavolinë 2-0 Flamurtarit, për shkak se ka braktisur fushën, por nuk ka munguar as gjoba 10 milionëshe (të vjetra), por edhe heqja e 3 pikëve në klasifikimin momental. Pra, ndëshkimi edhe për skuadrën krutane ka qenë maksimal, sipas rregullores përkatëse. Klubi krutan kishte kërkuar që të verifikoheshin pamjet filmime, te të cilat shpresonte të faktohej se asnjë nga lojtarët e tyre nuk ka lënë fushën, por duket se për anëtarët e Disiplinës kjo provë nuk ishte bindëse, ndaj nuk është marrë parasysh. Po ashtu një pezullim për 5 ndeshje dhe një gjobë 100 mijë lekë të reja kanë shkuar për lojtarin e Flamurtari, Halim Begaj, për shkak të goditjes së tij ndaj kundërshtarit në po këtë ndeshje.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›