E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana shkurorëzon Dinamon, Ilir Daja largohet për protesta

SHKRUAN: Jeton Selimi 01-02-2011 11:40

Minuta e pestë dhe Elis Bakaj kalon Dinamon në avantazh! Duket se do të jetë mbrëmja perfekte për kampionët në fuqi, por në fakt do të ndodhë krejt e kundërta. Tirana reagon shpejt dhe e përmbys rezultatin brenda 15 minutave, duke barazuar në fillim me Morinën (20’) dhe duke shënuar golin e dytë pas ekzekutimit të saktë të një penalltie nga ana e kapitenit Lila, penallti që solli reagime të forta nga stoli dinamovit, teksa gjyqtari ka nxjerrë jashtë edhe trajnerin Ilir Daja.

Ndeshja është vërtet e bukur dhe plot raste për të dyja skuadrat, por është Tirana ajo që tregon më shumë superioritet. Nga blerjet e fundit, në formacionin fillestar është vetëm Gilman Lika, teksa Bekim Bala ka qëndruar në tribunë, ndërsa Hyka është prezantuar te tifozët pas përfundimit të sfidës. Është Dinamo ajo që krijon rastet e para për shënim, madje konkretizon shumë shpejt, kur lojtari më i mirë i formacionit blu, Elis Bakaj, do të godiste saktë në minutën e pestë. Sulmuesi blu do të shmangte portierin Lika, që kishte braktisur zonën e tij, do të eliminonte me lehtësi ndërhyrjen e Sinën dhe me portën e boshatisur shënon. Dinamo është në delir, ndërsa bardheblutë nuk u besojnë syve, teksa shokohen nga ky gol i shpejtë. Megjithatë, 24 herë kampionët e vendit nuk demoralizohen, dhe nisin ta ngrenë lojën e tyre nga minuta në minutë. Nuk do të vonojë shumë dhe Morina do të barazojë për Tiranën. Lojtari bardheblu do të përfitojë nga një hutim i mbrojtjes kundërshtare dhe do të mposhtë me lehtësi portierin dinamovit. Në fakt, lojtarët blu patën kërkuar një pozicion jashtëloje në momentin e harkimit të topit nga e majta e sulmit bardheblu, por nuk ishte i këtij mendimi anësori, që la lojën të vazhdojë dhe Tirana shënoi kështu golin e barazimit. Loja bëhet edhe më e ndezur, por gjithçka do të merrte “zjarr” në minutën e 35-të. Kapiteni Arjan Pisha ndërhyn në zonë ndaj Gilman Likës. Për kryesorin është 11-metërsh, por nuk është kështu për krejt kampin dinamovit, që nis të protestojë me trajnerin Ilir Daja në krye. Ky i fundit do të detyrohet të dalë jashtë stolit pas ndëshkimit të gjyqtarit dhe do ta shohë golin e avantazhit të Tiranën nga tribuna. Penalltinë e merr përsipër ta ekzekutojë Andi Lila, që me gjakftohtësi e preh topin në rrjetë. Pjesa bardheblu e stadiumit “Qemal Stafa” shpërthen në gëzim, ndërsa rivalët blu heshtin. Por nuk mbaron me kaq, pasi spektakli dje ishte i garantuar, pasi të dyja ekipet luajtën hapur. Sidoqoftë, Tirana ishte më dominuese sesa Dinamo dhe e meritoi plotësisht fitoren, pasi mund të kishte shënuar edhe 3-4 gola nëse Pero Pejiç apo Gilman Lika do të ishin treguar të saktë përpara portës. Shumë ankesa nga ana e Dinamos, e cila ia faturoi këtë humbje treshes gjykuese, pasi në të dy golat e shënuar nga rivalët e përbetuar, blutë kishin pretendimet e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›