E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana sot në muzikë, Rama në skenë dhe karaoke

Festa e Dites ndërkombëtare e muzikës nis sot në orën 19:30 për të përfunduar në mesnatë. Aktiviteti ngjit në skenë emrat më të njohur të këngëtarëve tanë nga Shqipëria e Kosova, dhe vetë kryebashkiakun Edi Rama. 

Një ditë kushtuarkrejtësisht muzikës është konceptuar dita e sotme nga Bashkia e Tiranës, e cila do t’i kthejë rrugët e kryeqytetit në një skenë gjigande.

Aktiviteti, do të ngjisë në skenë jo vetëm emrat më të njohur të këngëtarëve tanë nga Shqipëria e Kosova, por edhe vetë kryebashkiakun Edi Rama dhe organizohet për të pestin vit radhazi në kuadër të ditës ndërkombëtare të muzikës. 

Festa është konceptuar në mënyrë të atillë që të mos mungojnë as bandat frymore, as muzika klasike, karaoket apo edhe bandat rrok.
Festa
Ne oren 19:33, Banda e Frymore e qytetit do të hapë siparin e festës. Rreth orës 20:00 skena e dedikuar fëmijëve, në lulishten e Skënderbeut, do të mbushet nga balerinët dhe këngëtaret e vegjël. Kjo skenë do të kërkojë përfshirjen e të gjithë spektatorëve të vegjël, për të kthyer eventin në një lojë interaktive.

Muzikës klasike i është rezervuar një vend i qetë dhe elegant ku dëgjuesit mund ta shijojnë atë plotësisht. Lulishtja e “Vëllezërve Frashëri” do të bëhet skena e 50 instrumentistëve të rinj e të njohur. Pak metra më tutje, në Urën e Re, një event tashmë shumë i pëlqyer nga kryeqytasit do të fillojë në orën 20:00. Karaoke me këngë shqiptare kryesisht dhe shumë surpriza të tjera do t’a bëjnë këtë një ndër pjesët më të parapëlqyera të festës. Unplug – quhet performanca më e re e që rokerët shqiptarë kanë vendosur të sjellin për publikun. Në orën 20:30, në Parkun Rinia, në një skenë modeste do të shpalosin tingujt e tyre live, muzikantë të rinj dhe të njohur. Genti, Spat, Lynix dhe shumë të tjerë, do t’i japin jetë eventit deri në orët e vona të mbrëmjes. Ka një skenë ku do të bashkohemi të gjithë në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës. Para Galerisë së Arteve nën një dekor mahnitës, me muzikën më të mirë moderne shqiptare, me prezencën e këngëtarëve me të mirë të Kosovës ( Tingulli 3, Etnoengjut, Bubulina Krasniqi dhe Vesa Luma) dhe entuziasmin që karakterizon qytetarët e Tiranës, festa do të jetë e paharrueshme. 33 këngëtarë të mirënjohur dhe jo vetëm do të fillojnë performancen e tyre në orën 20:00. West Side Family dhe Edi Rama do të jenë gjithashtu në këtë skenë, me këngën “Çohu”
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›