E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata- Berisha, premton rritje investimesh në jug

Takimet elektorale të Kryeministrit Berisha janë ndalur këtë fundjavë në Tepelenë, Përmet e Kolonjë. Duke kërkuar votën më 28 qershor Berisha u ka premtuar banorëve të këtyre zonave investime të shumëfishta në infrastrukturë. 

TEPELENE- Kryeministri Berisha ka vijuar takimet në jug të vendit në kuadër të fushatës elektorale. Ne qytetin e Tepelenës kreu demokrat, ndërsa ka kërkuar votën për Partinë Demokratike, ka premtuar ndërtimin e boshtit të jugut, një projekt që sipas Berishës do të shkurtojë ndjeshëm distancën mes Tepelenës dhe kryeqytetit

“Unë jam sot këtu për t’ju garantuar se boshti i jugut do të jetë projekti numër një i qeverisë time dhe se gjatë këtij mandati distanca juaj me Tiranën do të shkurtohet së paku gjysmë për gjysmë. Gjatë mandatit që vjen përfundon jo vetëm boshti i jugut por edhe autostrada Tepelenë –Levan”- tha kryeministri Berisha.

Kreu i qeverisë ka premtuar 15 herë më shumë investime gjatë mandatit të dytë qeverisës në rast fitoreje.

“Jam sot këtu për tu zotuar para fermerëve dhe blegtorëve të Tepelenës, se gjatë mandatit të dytë do të financojmë absolutisht çdo projekt të tyre në blegtori apo bujqësi, kudo që do të ndodhen. Në këtë mandat ne kemi investuar në Tepelenë rreth 11 miliardë lekë, kundrejt 2.5 miliardë që kanë investuar socialistët në tetë vitet e qeverisjes së tyre.
Në mandatin që vjen, që në Tepelenë do të investohen jo 5 herë më shumë se në mandatin e tyre, por 15 herë më shumë se në mandatin tim të parë”- tha Berisha.

I bindur në fitoren e demokratëve Berisha ka ftuar qytetarët e Tepelenës që më 26 qershor të festojnë së bashku në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

PËRMET- Ndërkaq në një tjetër miting këtë radhë në qytetin e Përmetit Berisha ka ftuar qytetarët të votojnë për Partinë Demokratike në emër të investimeve jo vetëm në infrastrukturë dhe kanalizime, por dhe për një projekt tjetër madhor, që sipas Berishës do të marr udhë shumë shpejt. Bëhet fjalë për projektin e 8 hidrocentraleve në kaskadën e Vjosës.

“Ju jap fjalën në këtë shesh se rruga Këlcyrë-Përmet, pavarësisht nga ndërtimi Boshtit të Jugut do të asfaltohet e tëra. Ndërtimi i saj ka filluar nga Berati dhe po bëjmë projektin për të filluar edhe nga Këlcyra. Përmeti evropian është Përmeti një kantier i vërtetë ndërtimi. Qeveria ime së shpejti do të nxjerrë në treg kaskadën e Vjosës për tetë hidrocentrale, ndër më të rëndësishmit për Shqipërinë” – theksoi kryeministri Berisha në fjalën e tij drejtuar banorëve të qytetit të Përmetit.

KOLONJË- Investimet kanë qenë kryefjala e premtimeve edhe në rrethin e Kolonjës, ku Sali Berisha premtoi në 4 vitet e ardhshme 10-fishim të tyre. Në këtë rreth Berisha u bëri thirrje socialistëve të bashkohen me të djathtën për një Shqipëri europiane

“Do tu bëj një thirrje miqësore socialistëve të Kolonjës, të gjithë qytetarëve të këtij rrethi bashkohuni me ne në këtë projekt të madh, sepse ky është projekti i përbashkët. Votoni 10-tën, pasi 10-ta jeni ju, janë fëmijët tuaj, familja juaj është Paria Demokratike është Shqipëria blu, është Europa blu”- theksoi kryeministri Berisha.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›