E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, sot “sfida” me fatin Champions

Ndërkohë që skuadra kampione e Shqipërisë, Tirana, po kryen fazën përgatitore në Strugë të Maqedonisë (fitoi ndeshjen e parë miqësore me Vasakën e kategorisë së dytë), zyrtarët e saj më të lartë, përfshi sekretarin e klubit Shkëlqim Muca, do të jenë në selinë qendrore të UEFA-s, në Nion të Zvicrës, për të marrë hedhjen e shortit të turit të parë eliminator të Ligës së Kampioneve, short që do të hidhet në orën 12:00 dhe do të jepet "live" nga siti zyrtar i UEFA-s.
Nëse shorti do të tregohet i mëshirshëm me rekordmenët shqiptarë
dhe do të shmangë në hedhjen e shortit dy ekipet më të forta (seedeng teams)të Vazos 1 në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve, kampionen e Kroacisë Dinamon e Zagrebit dhe atë të Suedisë, IF Elfsborg, i ka të gjitha shanset për t'u kualifikuar në turin e dytë për sezonin 2007-2008.
Tirana ndodhet në vazon e dytë, por në grupin e 14 ekipeve me koeficient të dobët (unseeding teams) ajo është skuadra e dytë më e fortë e Grupit 2, gjë që natyrisht dëshiron ta shmangë cdo kundërshtar i Vazos 1. Kongresi i UEFA-s, i mbajtur më 26 janar 2007, vendosi që klubet kampione nga Mali i Zi (anëtari më i ri i UEFA-s), Andora dhe San Marino, të luajnë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampioneve, duke e rritur me 6 ekipe më shumë turin e parë (28). Kjo bëri të mundur që në raundin e parë të marrin pjesë skuadrat kampione të 25 vendeve, përfshirë dhe Dinamon e Zagrebit. Lista e 14 kundërshtarëve të mundshëm të Tiranës janë nga Kroacia, Qiproja, Sllovenia, por dhe nga Letonia, Moldavia e deri te kampionia e Maqedonisë fqinjë, Pobeda Prilep. Në vazon e Tiranës bëjnë pjesë ekipe nga Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani e deri te modestët e San Marinos, Ishujt Faroe. Nëse bardheblutë do të kualifikohen në turin e dytë, përballë tyre do të gjejnë ekipe të njohura si Steaua e Bukureshtit (Rumani), Shahktar Dontesk (Ukrainë), Beshiktash (Turqi), Salzburg (Austri), cka do të jetë shumë e vështirë si gjithnjë për të kaluar turin e dytë, që është shndërruar në një "mur Berlini" të pakalueshëm për kryeqytetasit shqiptarë. Në paraqitjen e fundit të Tiranës në Ligën e Kampioneve, atë të sezonit 2005-2006, bardheblutë, atëherë në drejtimin e Sulejman Starovës, humbën në ndeshjen e parë të turit të parë me sllovenët e ND Gorica (2-0), por arritën të bënin një përmbysje madhështore në ndeshjen e kthimit në Tiranë, kur fituan mbi kundërshtarin me rezultatin e thellë 3-0. Dy sfidat me CSKA e Sofjes, si në Tiranë ashtu dhe në Sofje, formacioni i Starovës i humbi me rezultatin e njëjtë 2-0, cka solli jo vetëm eliminimin por dhe shkarkimin e trajnerit. Ndeshjet e raundit të parë do të luhen më 17/18 dhe 24/25 korrik 2007.

Turi i parë kualifikues (28 ekipe)
Vazo 1
Dinamo Zagreb (Kroaci)
Apoel Nikosia (Qipro)
NK Domzale (Slloveni)
IF Elfsborg (Suedi)
FK Sarajevo (Bosnjë)
FK Ventspils (Letoni)
MSK Zilina (Sllovaki)
Derry Siti (Irlandë)
FH Hafnarfjardar (Islandë)
FBK Kaunas (Lituani)
Tampere United (Finlandë)
Sheriff Tiraspol (Moldavi)
Olimpi Rustavi(Gjeorgji)
Pobeda Prilep (Maqedoni)

Vazo 2

Bate Borisov (Bjellorusi)
SK Tirana (Shqipëri)
Levadia Talin (Estoni)
Pyunik Yerevan (Armeni)
Khazar Lenkoran (Azerbajxhan)
FK Astana (Kazakistan)
Linfield Belfast (Ir.Veriut)
Neë Saints (Uells)0
HB Torshavn (Ish. Faroe)
F91 Dudelange (Luksemburg)
Marsaxlokk (Maltë)
Rangers FC (Andora)
Murata (San Marino)
Zeta Golubovci (Mal i Zi)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›