E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana thahet, Berisha shpall Javën e ujit

Këshilli i Ministrave vendosi dje shpalljen "Java e ujit në Shqipëri", javën e parë të muajit nëntor të çdo viti

Muajt e nxehtë na janë kthyer në një tmerr të vërtet për mijëra qytetarë të Tiranës pasi në shtëpitë e tyre uji ka ardhur me orare, ose kanë vuajtur mungesë totale të ujit. Por si të mos mjaftonte kjo në vend që të zgjidhet problemi i kryeqytetasve, kryeministri Sali Berisha ka vendosur të marrë një vendim, por pa e ditur se në dobi të kujt është. Kështu Këshilli i Ministrave vendosi dje shpalljen "Java e ujit në Shqipëri", javën e parë të muajit nëntor të çdo viti. Në bazë të këtij vendimi të gjitha institucionet shtetërore të fushës, në nivel qendror dhe vendor, si dhe Shoqata e Ujësjellës-Kanalizimeve në Shqipëri, veçmas ose në bashkëpunim, të programojnë, organizojnë dhe realizojnë në këtë kuadër, brenda juridiksionit dhe mundësive të tyre financiare, infrastrukturën festive dhe veprimtari të ndryshme. Ndërkohë qytetarë të Tiranës janë ankuar gjatë gjithë verës se uji në shtëpitë e tyre ka ardhur me pikatore dhe temperaturat e larta në këto kushte janë të papërballueshme. Kështu ankesat fillojnë me banorët e lagjes së “21 Dhjetorit”, Komuna e Parisit, zona e ish-Bllokut dhe plot zona të tjera. “Në shtëpinë time kam gjithë pasditen që nuk kam ujë. Tani që filloi vapa, është e tmerrshme të vuash edhe kufizimet e ujit”,- pohon një banor i zonës së “21 Dhjetorit”. Ndërkohë më problematikët janë banorët që i kanë shtëpitë në katet e larta, pasi uji për shkak të mungesës së presionit nuk arrin të ngjitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›