E Diel, 1 Nëntor 2026

TiranaWeek, një fundjavë në Kelmend, zgjidhni turizmin malor

Nga kinemaja tek udhëtimet në mal. Ndiqni guidën e Tirana Observer

weekendTiranaWeek vjen çdo të premte në Tirana Observer. Është një rubrikë javore e gazetës sonë, e ideuar për të përcjell sa më shumë informacion kulturor dhe argëtues për lexuesit. Por jo vetëm,  pasi kjo rubrikë çdo javë pasqyron edhe vlerat turistike të Shqipërisë, ku promovohen zonat më të bukura të vendit tonë të shoqëruara me paketa të lira udhëtimi. Këtë javë jemi në Kelmend. Nëse ende nuk keni menduar se çfarë do të bëni në fundjavë rubrika jonë është guida më e mirë për tu ndjekur…

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Udhëtim në Kelmend

Kush nuk ka bërë asnjë plan për këtë fundjavë mund të zgjedh të shkojë në Kelmend. Një udhëtim fantastik në mesin e natyrës përrallore shqiptare. Ekskursioni do të zgjasë dy ditë (të shtunë dhe të diel më datat 27 dhe 28), dhe organizohet nga stafi i High Albania Mountain. Grupi do të takohet të shtunën në orën 6 e 30 të mëngjesit, tek Play Bar mbrapa pallatit te Kongreseve. Pas nisjes, ndalesa e parë do të jetë në Shkodër, dhe më pas udhëtimi do të vijojë për në Tamarë. Në vendin që quhet Leqet e Hotit do të ndaloni për të bërë foto, po ashtu edhe në Luginën e Cemit. Më pas do të niseni për në Selce, nga ku fillon shtegu për të shkuar tek Ujvara e Sllapit (një nga monumentet natyrore me të bukura të zonës). Mbas kthimit nga ujëvara do të udhëtoni për në Lepushe ku do të akomodohemi në një nga shtëpitë pritëse të Lepushes. Në ditën e dytë, të dielën, do të nisni ecjen në këmbë deri tek qafa e Berizhdolit (rreth 1800 m)nga ku do të keni mundësinë të shikoni gjithë Lepushen si dhe pjesën veriore te Alpeve shqiptare. Më pas do të ktheheni në shtëpinë pritëse dhe pas drekës, do të bëhet nisja për në Tiranë. Çmimi: 8000 L/person (transporti, një natë fjetje, darka e të shtunës, mëngjesi dhe dreka e të dielës si dhe guida). Prenotoni: fisnikmuca@yahoo.com, info@highalbania.al, 069 40 31 232, 067 20 81 636.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Grown Ups 2, filmi i ri në Millenium

Vera nuk ka kuptim pa ata që ndonëse u kalojnë vitet, refuzojnë të rriten. Janë komikët e Grown Ups, që rikthehen sërish pas tre vitesh, me një premierë botërore edhe në kinema Millenium. Seria e parë, është shfaqur në vitin 2010, por këtë herë personazhet e Groën Ups 2 të interpretuar nga Adam Sandler, Kevin James, Chris Rock, David Spade bëshkë me aktorët Salma Hayek, Maya Rudolph, Maria Bello dhe Nick Swardson rrëfejnë aventurat e tyre gjatë kthimit në qytetit ku baballarët dikur djem të rinj, janë rritur. Grown ups është komedia më e suksesshme e Sandler në karrierën e tij. Por ajo që ndryshon këtë herë në karrierën 10-vjeçare te Sandler është fakti se për herë të parë ai bën një sekuel, një film të dytë, vijim i të parit. Dhe është sërish producent i filmit të tij, madje në këtë Grown ups 2 ai është edhe skenarist. Lenny është kthyer me familjen e tij, në lagjen e vjetër aty ku është rritur me shokët e tij, por ai dhe miqtë do të marrin mësime nga fëmijët e tyre, gjatë një dite të mbushur me surpriza, në ditën e fundit të shkollës, ky është thelbi i subjektit të filmit.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Arti postum i Tefik Çaushit

Një estet në epokën e komunizmit nuk e kishte të lehtë ta lexonte artin pa shmangur ideologjinë. Megjithatë kishte pedagogë dhe hartues tekstesh si Tefik Çaushi që u mundua të përcjellë te studentet edhe një mendim të qartë mbi të bukurën. Në 1-vjetorin e vdekjes prezantohet një anë e panjohur e Çaushit piktor. Një vit pas vdekjes së Tefik Çaushit shfaqet në Galerinë Kombëtare, një anë e panjohur e estetit të letërsisë dhe arteve në dy epoka. Çaushi jetëgjatë pikturoi katër vitet e fundit 160 tablo në teknikën e akrilikut. Nënshkruan me pseudonimin Venetik Ç., siç sqarohet në post scriptum-in e testamentit të tij. Pikturon ato gjëra që i kanë tërhequr vëmendjen në studimet shumëvjeçare. Dhe spektri është i ngushtë. Dashuria dhe erosi që si objekt studimi letrar ka pasur veprën e Kadaresë. Venetik Ç. është i sinqertë kur pohon ndikimin nga disa kryevepra botërore dhe dëshirën për ti riprodhuar. I lindur në Libohovë, ndoqi Liceun Francez të Korçës, ku mësoi vizatim nga Vangjush Mio. Asgjë teorike më shumë se aq. Në Moskë studion gazetari. Sado nëpunës i organeve të Komitetit Qendror, dërgohet për riedukim në Azotikun e Fierit ku punon punëtor, montator. Skicat humoristike, laps me ngjyra mbi letër, janë të kësaj kohe.
Drejton Institun e Lartë të Arteve, njëzet vjet pedagog në shkencat politike-juridike. Studentët e tij komentojnë mënyrën që ai kishte zgjedhur për të mos u njësuar me botën e propagandas edhe pse shkruan vepra si Estetika në edukimin komunist.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Arti pamor në Galerinë Kombëtare të Arteve

Rritet interesi për artin pamor në sezonin e verës. Shifrat flasin për një rritje të numrit të vizitorëve që kanë shkelur Galerinë Kombëtare e Arteve në 6 mujorin e parë të këtij viti çka do të thotë se janë më shumë shtetasit e huaj se sa ata shqiptarë që interesohen më shumë për artin tonë pamor. Ky art sipas specialistit të sektorit të ekspozitave Gent Gjikolaj prezantohet në dy forma në ambientet e galerisë. Vizitorë të shumtë i drejtohen veprës më të rëndësishme të artit pamor Motres Tone e cila daton në vitin 1883, krijuar nga autori më i hershëm i pikturës  Kol Idromeno. Impresionet janë të ndryshme. Gjikolaj  pranon se ka një rritje të numrit të vizitorëve për turizmin elitar krahasuar me vitet e mëparshme por përsëri shifrat janë të pakrahasueshme me vizitorët në galeritë e vendeve europiane. Fondi i Galerisë së Arteve ruan vepra në pikturë që datojnë nga fundi i shekullit XIX, piktura që  flasin qartë për atmosferën kulturore në Shqipërinë e fillim viteve të shekullit të XX, si dhe përbëjnë dokumente të mirëfilltë etnografikë dhe historikë të periudhës. Këto vepra manifestojnë edhe një lloj fryme romantike. Autorë të tjerë të epokës janë Pjetër Marubi, Simon Rrota, Zef Kolombi, Vangjel Zengo, Spiro Xega etj. Fondi i Galerisë është mjaft i pasur me vepra të autorëve të rëndësishëm të pikturës shqiptare.

<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<

Librat e rinj, Susanna Tamaro, Përgjithmonë

A ekziston përgjithmonë?, më kishte pyetur. Të kisha shtrënguar pas vetes me më shumë forcë. Nën shtresën e bluzave, pulovrave dhe xhupit, kisha ndier të gjallë dhe të ngrohtë trupin tënd të hajthëm. Ekziston vetëm përgjithmonë, të isha përgjigjur. Ky ishte pakti i dashurisë dhe jetës, filli i pazgjidhshëm mbi të cilin kishin ndërtuar intrigën e ditëve të tyre. E megjithatë kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet që kur Nora është ndarë nga jeta dhe Mateoja kujton çdo ditë pikëpyetjet që kanë shënuar rrugëtimin e tij dhe që shënojnë rrugëtimin e çdo njeriu: nga sa dhimbje përbëhen jetët tona? Po kur marrin fund? Si dilet nga ferri? Po kush është Zoti?

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›