E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i FMN-së

Nga Kristal Hykaj

Kristali-fotoDisa ditë më parë drejtoresha në largim nga Banka Botërore, Kseniya Lvovsky, dha mesazhin për nevojën e rikthimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar si konsulente e ekonomisë sonë, dhe duket që kjo ide e saj mbështetet edhe nga ekspertët vendas. Sipas tyre, futja e qeverisë së re në një marrëveshje me FMN-në, mbetet një zgjidhje për ti vënë financat publike në rrugën e duhur. Në të njëjtën kohë, ekspertët shqiptarë e konsiderojnë praninë e Fondit Monetar edhe si një mundësi për të tërhequr investime të huaja private, pasi shihen si një garanci për to.
Disa ekspertë janë pro kësaj ideje, pasi FMN-ja pritet të ketë rolin e një arbitri të financave publike në vend, si dhe do ti vërë fre nismave populiste të qeverisë. Në një ekonomi të brishtë, ku shifrat e institucioneve merren me rezerva, si dhe një sërë nismash ligjore bëhen për të favorizuar grupe të caktuara interesi, ardhja e FMN-s me një program te posaçëm sikundër ka premtuar qeveria e re, do të evitojë marrjen e të tilla vendimeve nga ana e ekzekutivit. Aktualisht FMN-ja ka një rol këshillues për Shqipërinë. Ndaj një marrëveshje e re, do të bënte që qeveria të mos merrte asnjë vendim me ndikim në ekonomi pa marrë më parë miratimin e këtij institucioni.
Por pas analizave të situatës ekonomike ne Shqipëri, FMN-ja ka sugjeruar rritje taksash ose taksim të atyre pasurive për të cilat sot nuk paguhet asgjë. FMN-ja është një garant i situatës ekonomiko-financiare në vendin ku ai operon. Politikat e tij konservatore në drejtim të uljes së taksave kanë qenë gjithnjë në opozitë me qeveritë, ndërsa e vendos theksin tek mirëmbledhja e tasave dhe tatimeve si dhe ne reduktimin e informalitetit.

Por, si gjithmonë kemi dy anë medaljeje, në anën tjetër, Ardian Civici, ekspert i njohur i ekonomisë dhe njëkohësisht president në UET ka deklaruar se Shqipëria nuk është në situatën e rikthimit të marrëdhënieve me këtë institucion financiar ndërkombëtar. Sipas Civicit vendi ynë ka aftësi të mirë paguese për borxhin dhe nuk ka një deficit të rrezikshëm.

Fondi Monetar Ndërkombëtar aktualisht e viziton Shqipërinë dy herë në vit, këto që në fund janë konkluduar me një dalje të përbashkët në media të guvernatorit dhe ministrit të Financave. Këtë vit, një vizitë e ngjashme, ku përfshihen gjithë sugjerimet e FMN-së dhe pikëpamjet mbi situatën e vendit, pritet që të zhvillohet në shtator. Këtë herë ndryshimi qëndron në faktin që në shtator misionin e FMN-së do ta presë qeveria e re, e cila pritet që të lidhë edhe një marrëveshje. Fokusi i saj, tashmë i deklaruar nga socialistët, është tek asistenca që FMN-ja do të japë për përmirësimin e situatës së financave të vendit. Qëllimi i vizitës do të jetë vlerësimi i zhvillimeve të fundit në ekonominë tonë, si dhe diskutimi me qeverinë dhe Bankën Qendrore rreth politikave ekonomike dhe atyre financiare që do të ndiqen në të ardhmen. Aktualisht këshillat e FMN-së kanë qenë vetëm në kuadrin e sugjerimeve dhe qeveria nuk ka qenë e detyruar ti zbatojë, ndërsa marrëveshja që pritet të lidhet rrit peshën e sugjerimeve dhe detyrimet për ti zbatuar.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit të tij të përditësuar mbi parashikimet ekonomike për rajonin tone, ka mbajtur të njëjtin nivel si më parë për Shqipërinë. Saktësisht, me një parashikim për rritje ekonomike deri në nivelin prej 1.7%-1.8% për vendin tone, ky institucion i rëndësishëm financiar ndërkombëtar në këtë mënyrë, ka dalë në mbrojtje të zhvillimeve aktuale ekonomike në Shqipëri.

*Pedagog i Makroekonomisë, Fakulteti i Tiranës

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›