TiranaWeek, një fundjavë në grykën e Rugovës
Nga shfaqjet teatrale tek udhëtimet në fundjavë. Ndiqni guidën e Tirana Observer
TiranaWeek vjen çdo të premte në Tirana Observer. Është një rubrikë javore e gazetës sonë, e ideuar për të përcjell sa më shumë informacion kulturor dhe argëtues për lexuesit tanë. TiranaWeek këtë fundjavë vjen me një larmishmëri aktivitetesh, duke nisur që nga shfaqjet më të reja në teatro; tek filmat e fundit në kinema e deri të ekskursionet në natyrë e ngjitjet në mal. Nëse ende nuk keni menduar se çfarë do të bëni në fundjavë rubrika jonë është guida më e mirë për tu ndjekur…
Teatri i Operas
Këtë të premte më 31 maj, në orën 20:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit, ambasada italiane sjell në Tiranë dy artistë të talentuar italianë; Petra Magoni dhe Ferruçio Spinetti, të cilët së bashku do të japin një koncert për publikun shqiptar duke interpretuar për herë të parë në Shqipëri zhanrin e Musica Nuda, një ndërthurje midis jazz-it, këngës
cilësore të traditës italiane, rock-ut dhe madje edhe muzikës klasike.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Teatri Kombëtar
Teatri Kombëtar në Tiranë sjellë më datat 31 maj 2013 dhe 1 qershor 2013 në orën 20:00, premierën e modernizuar e komedisë shekspiriane Ëndrra e një nate vere, të regjisorit amerikan John Blondell.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Koncert në Akademinë e Arteve
Koncert me muzikë klasike nën drejtimin e dirigjentit Eno Koço të Orkestrës simfonike të Radio Televizionit Shqiptar. Koncerti organizohet në Universitetin e Arteve në Tiranë, më 31 maj ora 19:00.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Festivali i këngës për fëmijë
Këtë fundjavë të fundit të muajit maj, organizohet edhe edicioni i 50-të i Festivalit të Këngës
për Fëmijët e qytetit të Tiranës. Për të gjithë prindërit dhe të afërmit e vogëlushëve, por edhe për të gjithë të interesuarit e tjerë, festivali do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, në datat 1 dhe 2 qershor në orën 19:00.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Stambolli në një ekspozitë në Tiranë
Janë 47 piktura të përzgjedhura nga Koleksioni i Artit i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, ku disa prej tyre janë vepra të rralla, të cilat do të ekspozohen në këtë ekspozitë të titulluar: Stambolli, kohë dhe vende të ndryshme. Ekspozita do të qëndroj e hapur për rreth një muaj nga data 30 maj deri në 14 korrik, nga ora 10:00 deri në orën 18:00, në Galerinë e Arteve në Tiranë.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Shfaqje për fëmijë
Të shtunën dhe të dielën në orën 11:00, Cirku Kombëtar organizon për vogëlushët shfaqjen Jemi edhe ne. Ndërsa Teatri i Kukullave në datat 30 dhe 31 maj 2013, të shtunave ora 11:00 dhe të dielave ora 10:30 dhe ora 11:30, shfaq pjesën teatrale për të vegjël; Katër shokët.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Udhëtim në Grykën e Rugovës
Këtë fundjavë në datat 1 dhe 2 qershor klubi High Albania Mountain organizon një udhëtim turistik për në Rugovë. Nisja bëhet në Tiranë në orën 6.30 të mëngjesit, mbrapa pallatit të Kongreseve. Pasi të mbërrini në Gjakovë organizatorët kanë menduar të bëjnë një shëtitje tek Carshia (pazari i vjetër) dhe një pushim të shkurtër për një kafe. Më pas do të mund të vazhdoni për në Pejë, dhe pasi të mbërrini do të shkoni të shikoni ujvarën e Drinit të Bardhë dhe më pas për drekën. Pas drekës do të bëhet nisja për në Rugovë, (Gryka e Rugovës). Vendosja do të jetë në fshatin Kuqisht tek restorant Liqeni (21 km nga Peja). Në ditën e dytë mbas mëngjesit në restorant do të nis ecja e lirë nga Guri i Kuq deri tek liqeni i Liqenatit dhe për ata që do të duan më shumë, do të vazhdohet ecja deri në majën e Liqenatit. E gjithë ecja do të zgjas rreth 6-7 orë. Më pas do të bëhet nisja për në Pejë, dhe në një nga restorantet në grykën e Rugovës do të hahet dreka, pas drekës do të bëhet nisja për në Tiranë. Çmimi për këtë udhëtim është vendosur 50 euro/personi, ku përfshihet (transporti, fjetja, mëngjesi dhe guida). Për këdo që dëshiron ti bashkohet grupit mund të prenotojë në adresën: fisnikmuca@yahoo.com, 069 40 31 232, 067 20 81636.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Kinema Millenium, Fast & Furious 6,
filmi më i ri ku luan edhe Rita Ora
Agjenti Hobbs kërkon ndihmën e Dom dhe skuadrës së tij për të çuar para drejtësisë gangsterin Owen Shaw. Një përpjekje që vlen sa jeta, dashuria dhe kthimi në shtëpi…Ky është në pak fjalë subjekti i serisë së 6-të të: Fast and Furious 6. Adrenalinë, shpejtësi e lartë, gara dhe skena spektakolare vijnë sërish në drejtimin e regjisorit Justin Lin ndërsa në timon është Vin Diesel, kauboji urban që nuk ka frikë nga asgjë dhe nuk zhgënjen kurrë. Bashkë me të rikthehet thuajse i plotë ekipi i aktorëve që kanë luajtur që në serinë e parë, Paul Walker, Dwayne Johnson, Michelle Rodriguez dhe Luke Evans. Këtë herë në kast është përfshirë edhe këngëtarja e njohur shqiptare Rita Ora e cila spikat edhe në trajlerin e filmit. Gjithçka në film i përket një aksioni të pastër, plot skena befasuese dhe makina ëndrrash. Filmi i parë i sagës është shfaqur në vitin 2001, kur arkëtoi befasisht mbi 200 milionë dollarë dhe duke shkruar fatin e aktorit Vin Diesel. Prej atëherë tema e grabitësve me makina është trajtuar në forma dhe kontinente të ndryshme, por gjithnjë me të njëjtin rezultat; admirim të plotë nga publiku.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Filmat në kinema Imperial dhe Marubi
Këtë fundjavë n rrjetin e kinemave Imperial shfaqen filmat :The Great Gatsbey, Hang Over 3, Fast and Furios 6; 3D-Iron Man dhe filmi për fëmijë, Epika në 3D. Për rezervime kontaktoni në: tel: +355 4 2266396; cel: +35569 48 62 887. Ndërsa në kinema Marubi me rastin e Festivalit të Kanës do të shfaqet filmi; shfaqet filmi “2 Filhos de Francisco”(The 2 Sons of Francisco) i regjisorit Breno Silveira, prodhim i vitit 2005, në portugalisht me subtitrat anglisht. Filmin do të mund ta ndiqni më 31 maj në orën 19:00.