E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr fund pas 235 ditësh debatesh odiseja e 3 ligjeve

3 ligjetPas 235 ditësh plot me akuza, replika dhe debate, mazhoranca dhe opozita kanë miratuar më në fund dje tri ligjet e famshme të integrimit. Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur dje nga kryeministri Berisha deputetët e maxhorancës dhe ata të opozitës bashkuan duke votuar me 100 vota pro paketën e plotë të Bashkimit Europian. Më pas në votimin që u bë për secilin ndaj 3 ligjeve votat ishin të ndara në këtë mënyrë: 108 vota pro mori ligji për Gjykatën e Lartë, 107 ligji për Nënpunësin Civil, dhe 100 vota pro Rregullorja e Kuvendit.
Seanca
Edhe pse seanca e djeshme ishte njoftuar se do të niste në orën 10:00, për shkak të mungesës së kryeministrit Berisha, kryeparlamentares Topalli dhe disa deputetëve, ajo i nisi punimet në mesditë. Para votimit, nuk munguan as debatet mes kryeministrit Berisha dhe disa deputetëve të Partisë Socialiste. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama se bllokoi për gati një vit statusin e vendit kandidat duke i hequr vendit kështu miliona euro investime. Në votimin e sotëm (të djeshëm), pasi u varros statusi për një vit, parlamenti kryen një akt, me të cilin kursen një shumë të konsiderueshme parash që do të përdorej për referendum, por parlamenti i bën ligjet aktive, me votën e tij dhe në këtë mënyrë kursehen rreth 6 milionë euro pasi janë humbur disa qindra milionë euro nga shkelmi që i bëri kreu i PS nga statusi i vendit kandidat, tha kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë u kërkoi deputetëve të PS-së që të kërkojnë të falur për mos votimin e tre ligjeve deri më tani. Shqiptarët duhen ta dinë mirë se ata që shkelmuan hodhën në kosh 3 ligje që kërkoheshin për marrjen e statusit krijuan një pellg të zi me ujin e të cilit po lajnë sot fytyrën. Nëse ju i kërkoni të falur shqiptarëve për 235 ditë shkelmim të interesave të tyre, unë nuk kam asnjë koment, u shpreh kryeministri Berisha. Por pas kësaj deklarate të kryeministrit reagoi deputeti socialist, Ditmir Bushati i cili i cilësoi si jo të vërteta deklaratat e kreut të qeverisë. Votimi i djeshëm në Kuvend u ndoq nga afër edhe nga ambasadori i OSBE-së, në Tiranë, Eugen Wollfarth si dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Ettore Sequi.

PAKETA E BRUKSELIT
100 vota pro

LIGJI PËR GJYKATËN E LARTË
108 pro, asnjë kundër, 1 abstenim

LIGJI PËR NËNPUNËSIN CIVIL
107 pro, asnjë kundër, asnjë abstenim

RREGULLORJA E KUVENDIT
108 pro, asnjë kundër, asnjë abstenim

AMNISTIA
Me 67 pro, shtyhet amnistia fiskale deri më 31 dhjetor.

Miratimi i tre ligjeve, Wollfarth dhe Sequi: Hap konstruktiv
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth dhe ai i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi të cilët ndoqën nga afër procesin e votimit në parlament e cilësuan si të rëndësishme për të ardhmen e vendin miratimin e këtyre ligjeve. Ky është një hap konstruktiv në ndërtimin e një të ardhmeje të mirë për Shqipërinë. Unë dhe stafi im e mirëpresim këtë. Ky hap konstruktiv është veçanërisht i rëndësishëm sepse ai hap rrugën konstruktive për gjysmën e dytë të vitit, pasi ky vit vijon të jetë vendimtar për Shqipërinë. Dëshiroj të përgëzoj të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e këtyre ligjeve dhe në miratimin e tyre sot. Nuk mund të resht së thëni: ishte hap i rëndësishëm për një të ardhme konstruktive të Shqipërisë, tha ambasadori Wollfarth. Ndërsa ambasadori Sequi e cilësoi votimin si një provë për të treguar bashkëpunimin e palëve politike në vend. Ne mirëpresim miratimin e kësaj pakete dhe kjo është prova që vërteton atë që kam thënë gjatë inaugurimit të një projekti. Unë kam thënë që shqiptarët i kanë të gjitha mundësitë dhe vullnetin e mirë për të punuar në të mirë të vendit. Që do të thotë që miratimi i këtyre ligjeve është i rëndësishëm por është edhe prova që vërteton se palët mund të bashkëpunojnë me njërit tjetrin kur kjo është në të mirë të vendit. Unë mendoj që është një ditë e rëndësishme pasi është miratuar kjo paketë, theksoi ambasadori Sequi.

Fyle: E rëndësishme ruajtja e konsensusit
Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle ka përshëndetur s miratimin e 3 ligjeve në Parlamentin shqiptar. Në rrjetin social Tëitter, Fyle shkruan se rëndësi ka tashmë për Shqipërinë, ruajtja e konsensusit ndërpartiak, me qëllim që të çohet përpara procesi i integrimit. Mirëpres miratimin e 3 ligjeve në Parlament. Rëndësi ka tani ruajtja e konsensust ndërpartiak me qëllim që vendi të ecë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, shkruan Fyle.

SHBA: Konsensus dhe bashkëpunim për një opinion pozitiv në BE
Edhe ambasada Amerikane në Tiranë me anë të një deklarate ka përshëndetur votimin e tre ligjeve nga parlamenti shqiptar. Ambasada mirëpret miratimin konsensual nga parlamenti të legjislacionit të rekomanduar nga Bashkimi Evropian. Nxisim parlamentin dhe qeverinë e ardhshme ti përkushtohen përmbushjes së përparësive të mbetura dhe reformave të tjera të nevojshme nëpërmjet konsensusit dhe bashkëpunimit me qëllim që të fitojnë një opinion pozitiv nga Bashkimi Evropian, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›