E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, 15 familje në protestë: Në tarracë po ngrihet një kat i paligjshëm

TIRANË- 15 familje të një pallati protestuan sot në rrugën ‘Margarita Tutulani’ për shkak të një kati të paligjshëm që fqinji i tyre po ndërton në tarracën e pallatit.

Sipas banorëve punimet në tarracë kanë filluar prej një viti, ndërkohë që edhe pse kanë lajmëruar Policinë Ndërtimore, askush nuk ka marrë masa për të pezulluar këto punime.

“Kemi lajmëruar policinë bashkiake, bëjnë sikur vijnë këtu e nuk vinë fare, i njëjti problem përditë. Ky pallat është për 8 katë këta e kanë cuar në 10”, shprehet një banor.

Sipas tyre, personi që po ndërton në tarracë iu ka dëmtuar oxhaqet e ajrimit, depozitat e ujit si dhe rrufepritëset. Ata shtojnë se këtu po punohet pa kushte teknike. Në këto kushte ata paralajmërojnë për vetëgjyqësi.

“Shteti nuk funksionon, ne kemi rënë në hall si ta zgjidhim këtë problem. Ose do kalojmë në vetëgjyqësi me këta që na rrezikojnë jetën. Na janë prishur të gjitha oxhaqet e ajrimit. Na janë hequr depozitat e ujit rrufepritëset, jemi të pambrojtur”, shton një tjetër banor.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›