E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, 4-vjeçari dëshmon në gjyq: Edukatorja më futi thonjtë

TIRANE – “Edukatorja më gërvishti me thonj në faqe...”. Vogëlushi 4-vjeçar D.L., i cili sipas prokurorisë është bërë viktimë e një keqtrajtimi në kopsht, është përballur në Gjykatën e Tiranës me edukatoren, e cila tashmë ndodhet nën akuzë. Ndodh rrallë që një fëmijë në moshë kaq të vogël të dëshmojë në gjykatë, por këtë herë, ishte tejet e domosdoshme pyetja e 4-vjeçarit, pasi është pikërisht ai viktima e keqtrajtimit fizik. Gjykatësi Arben Micko, që po shqyrton dosjen penale ndaj edukatores A.T., ka vendosur ta pyesë të miturin, në praninë e nënës së tij dhe psikologes. Ai ka rrëfyer për momentin kur edukatorja e ka kapur prej faqesh, me thonj, pasi nuk pranonte të flinte gjumë në kopsht. Pas dëshmisë së vogëlushit, pritej të rrëfehej e ëma e tij, e cila në fakt ka bërë dhe denoncimin për keqtrajtimin e të birit. Me shumë gjasë, nëna e vogëlushit nuk do të mund të rrëfehet si dëshmitare, edhe pse është personi kyç në tërë historinë, për shkak se ishte e pranishme gjatë marrjes në pyetje të të birit.
Dëshmia
Në një seancë me dyer të mbyllura, në prani të nënës dhe një psikologeje, 4-vjeçari ka rrëfyer dhunën që ka pësuar në kopshtin nr.xx në Tiranë. Burime nga gjykata thanë se dëshmia zgjati afro 30 minuta, për shkak të moshës fare të mitur të djalit, që në këtë rast ishte dhe viktima e keqtrajtimit fizik. Ai ka treguar me shenja se edukatorja e ka kapur prej faqesh me thonj, duke e çjerrë, edhe pse mosha fare e vogël nuk i ka dhënë mundësi të japë shpjegime shumë të detajuara për ngjarjen, për shkak se prej ditës kur ka ndodhur kanë kaluar gjashtë muaj. Më tej, avokati i të pandehurës A.T., e ka pyetur të voglin nëse zihej ndonjëherë me të vëllanë në shtëpi. Djali 4-vjeçar ka pranuar se kishte zënka dhe me të vëllanë. Në këtë mënyrë, avokati ka tentuar të ngrejë alibinë, se 4-vjeçari nuk është dhunuar nga edukatorja, por nga i vëllai.
Ngjarja
Ditën e fundit të dhjetorit 2012, një nënë troket në dyert e policisë, për të denoncuar keqtrajtimin fizik që i kishte ndodhur të birit vetëm 4 vjeç, në kopshtin që frekuentonte. Fill më pas fëmija iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore, ku u përcaktuan shenjat e dhunës së pësuar. Akti i ekspertimit, është prova më e fortë që ka prokuroria në duar për të vërtetuar akuzën ndaj edukatores. Ndaj A.T., është ngritur akuza e keqtrajtimit të të miturit. Në Gjykatën e Tiranës pritet të vijnë për të dëshmuar, veç familjarëve të të miturit që pretendohet se është keqtrajtuar, edhe disa edukatore, kolege me të pandehurën. Vetë edukatorja A.T. ka mohuar kategorikisht të ketë ushtruar dhunë ndaj fëmijës, madje këmbëngul se e kryen punën e saj me përkushtim. Pavarësisht se është vënë nën akuzë, A.T. vazhdon të jetë edukatore në të njëjtin kopsht. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›