Klima e favorshme fiskale kompani te huaja hapin filialet e tyre ne Shqiperi

Klima e favorshme fiskale ka bërë që një sërë kompanish të huaja, kryesisht italiane dhe spanjolle në fushën e telemarketingut, të hapin filialet e tyre në Shqipëri. Një ndër to është dhe facile.it. Lehtësirat e ofruara si nga qeveria ashtu dhe nga Bashkia dhe klima miqësore ndaj biznesit bëri që në muajin tetor të vitit 2012, të hapin filialin e tyre në Shqipëri dhe të punësojnë deri tani 250 të rinj me paga mesatare rreth 50 mijë lekë në muaj.
Kryebashkiaku Basha i cili në programin e tij ka si prioritet absolut zhvillimin ekonomik dhe punësimin ka garantuar për angazhimin e tij, për të vijuar edhe më tej me krijimin e lehtësirave dhe kushteve sa më të mira për biznesin.
“Në fakt, dua t’ju falënderoj unë për besimin që keni pasur tek Tirana, ku jeni vendosur me këtë biznes të ri i cili sot punëson 250 qytetarë të Tiranës, shumica prej të cilëve janë të rinj, me kushte shumë të mira. Dua t’u them se është orientim i Bashkisë (ka qenë që në fillim) që të krijojë lehtësira për biznesin, ashtu siç e keni edhe ju emrin, “facile” dhe jemi të kënaqur që kjo politikë e lehtësirave për biznesin po fillon të japë rezultate të tilla. Ju keni punësuar 250 qytetarë të Tiranës, të rinj e të reja, do të punësoni edhe 200 të tjerë, pra keni tejkaluar afro 5 herë normën e 50 punonjësve të rinj, që u kualifikon juve për një shërbim nga Bashkia e Tiranës, 5 vjet pa taksa. Bashkia e Tiranës do vazhdojë t’ju mbështesë edhe nëpërmjet këtyre masave, siç është heqja e taksave për këdo që punëson mbi 50 punonjës për 5 vjet por edhe përmes masave të tjera të cilat do të mundësojnë që ne jo vetëm të mos prekemi nga kriza, por mundësisht të përfitojmë nga kriza” – u shpreh kryebashkiaku Basha.
Taksat e larta dhe kriza që ka përfshirë shumë vende të BE ka bërë që shumë kompani të shfrytëzojnë mundësitë që ofron Shqipëria, përmes taksave të ulëta dhe punonjësve të kualifikuar.
“Ky është një oportunitet të cilin Bashkia e Tiranës dhe unë personalisht, jemi të vendosur ta “vjelim”, në të mirë të qytetarëve të Tiranës, duke punësuar më shumë qytetarë, duke u dhënë më shumë shanse të rinjve për të pasur të ardhura shtesë edhe gjatë kohës së studimeve por edhe të kenë eksperiencën shtesë të “call-center” e cila është një eksperiencë shumë e mirë për të rritur mjeshtëritë në komunikim dhe për të rritur aftësitë e tyre në përballjen me tregun. Ju falënderoj për besimin që keni tek qyteti i Tiranës, tek klima e biznesit në Tiranë dhe t’ju siguroj për mbështetjen time të plotë që ju të rriteni e konsolidoheni, sikundër u bëj thirrje investitorëve të tjerë të kthejnë sytë nga ky model, sepse Tirana ka vetëm një synim, të jetë qyteti më konkurrues për klimën e biznesit në Ballkan sot dhe nesër në Evropë” – theksoi Basha.
Administratori i kësaj kompanie Lorenc Goga tha se deri në fund të vitit, do të punësojnë dhe 200 të rinj të tjerë.